Politika

Reforma territoriale, Rama: Bashkitë e reja, njësi ekonomike të zhvillimit

Gjatë konferencës për zbatimin e reformës territoriale pas përfundimit të zgjedhjeve të 21 Qershorit, kryeministri Edi Rama nënvizoi se, thelbi i reformës është krijimi i njësive ekonomike të zhvillimit.

“Nuk kemi krijuar bashki më të mëdha për të vazhduar si më parë. Deri dje kemi pasur 50% të këtyre njësive vendore që nuk nxirrnin të ardhura, por mbaheshin me subvencion nga buxheti i shtetit. Tashmë, buxheti i shtetit do vazhdojë t’i mbështesë, por këto njësi do të gjenerojnë fonde për të përballuar shpenzimet e tyre”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi: “Nuk e kemi luksin të vetëshkatërrohemi dhe besoj se këto njësi të reja do të jenë instrument i vlefshëm për një qasje të re të shfrytëzimit të burimeve natyrore”.

“Ministritë duhet të jenë pjesë e ndërveprimit dhe buxheti për secilën bashki nuk duhet të jetë i imponuar nga kush zonë ka më shumë deputetë që bërtasin, por nga logjika e zhvillimit të qëndrueshëm”, sqaroi Rama.

Nga ana e tij, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, shpjegoi procesin e konsolidimit të 61 bashkive të reja në vend.

“Kemi një metodologji të detajuar që duhet të ndjekin të gjithë kryetarët e rinj të bashkive që do të zgjidhen nga votuesit”, tha Çuçi, i cili shtoi se për realizimin e këtij projekti është kontraktuar një nga 4 firmat më të mira në botë.

Ministri është shprehur se, reforma e re territoriale ka për qëllim vetëm përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, me kosto më të ulët.

“Qytetari nuk do të ketë nevojë të shkojë deri në qendrën e bashkisë, që do e ketë edhe më larg, por shërbimet do i marrë aty ku i ka marrë deri më sot, madje edhe më shpejt. Me t’u konsoliduar këto bashki të reja, do të nisim procesin e decentralizimit në shërbime dhe financa vendore”, deklaroi Çuçi.

Ndërkohë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, theksoi: “Falë kësaj reforme, rritet eficenca e pushtetit lokal dhe do të ketë një qeverisje më të mirë, pasi do të kemi burime njerëzore më të përqendruara dhe cilësore”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button