Home / Rajoni / Maqedonia / Gjykimi i ‘Monstrës’, Uollersi takon Ahmetin

Gjykimi i ‘Monstrës’, Uollersi takon Ahmetin

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti komentoi valën e protestave që degjeneruan në dhunë, si në Shkup ashtu edhe në qytete të tjera të vendit. Ahmeti tha se është e drejtë e çdokujt të protestojë, për tërhoqi vërejtjes se dhuna nuk i ndihmon as procesit gjyqësor “Monstra”, as edhe marrëdhënieve në shtet. Këto komente Ahmeti i bëri në një dalje publike, pas pritjes së ambasadorit të SHBA-së Pol Uollers, në selinë e BDI-së në Reçicë.

“Bashkërisht vlerësuam se e drejtë e çdo qytetari është të protestojë, e drejtë legjitime është që të gjithë të shfaqin pakënaqësi për procese të caktuara që këto procese të jenë sa më trasparente dhe sa më të besueshme për publikun, opinionin për të gjithë opinion bërësit. Po ashtu vlerësuam që dhuna nuk e ndihmon procesin, dhuna nuk e ndihmon zhvillimin e më tejmë të procesit nuk ndihmon zgjidhjen institucionale që ky proces të jetë sa më bindës për gjykatën e Apelit, me qëllim që, ky zhvillim të rikthehet në shkallë të pare”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti dhe Uollers ndanë shqetësimin për situatën e krijuar, dhe sipas Ahmetit, qytetarët duhet t’i lënë hapësirë institucioneve dhe politikës të menaxhojnë me të. Në fjalimin e tij, Ahmeti shprehu dyshimet rreth besueshmërisë së procesit “Monstra” i cili tashmë është në Apel, dhe njoftoi se do të kërkojë sërish monitorim nga të huajt, ndaj gjithë procedimit të tij.

“Gjithashtu njoftova ambasadorin e SHBA-së, se BDI-ja do të kërkojë monitorim nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendor, me qasje të plotë në të gjithë procesin dhe procedurën që opinioni të jetë në mënyrën më transparente i njoftuar”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Deri tani procesi ishte monitoruar edhe nga misioni i OSBE-së, por duke qenë se ai është ende në fazë të Apelit, nga ky mision nuk ka një qëndrim publik. I vetmi qëndrim i përbashkët i OSBE-së, Zyrës së BE-së dhe Ambasadës Amerikane ishte ai për ndalim të akteve të dhunës në protesta, pasi çdo incident mund të përshkallëzojë situatën për përfitime politike apo personale.

Leave a Reply

%d bloggers like this: