Politika

ASHE mbyll fushatën në Tiranë, Rama: Investoni me kujdes votën tuaj

ramaAftësitë menaxhuese të Erion Veliajt, përvoja e Ramës si kryebashkiak dhe mbështetja e qeverisë, janë garancitë se në katër vitet e ardhshme në Bashkinë e Tiranës do të bëhet më shumë se ç’është bërë në 24 vite të marra së bashku.
Ky ishte mesazhi kryesor i përcjellë nga kryeministri Edi Rama në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale për Tiranën.
“Është gati për të bërë në 4 vjet në Bashkinë e Tiranës, atë që nuk është bërë në 24 vite të marra së bashku, përfshirë edhe atë kur unë kam qenë në Bashkinë e Tiranës. Vitet e mia në krye të Tiranës janë një përvojë e mirë për të bërë shumë më tepër dhe shumë më mirë. Erjoni sot ka mundësinë për të bërë shumë më tepër dhe do të bëjë shumë më mirë”, tha Rama.
Si kryeqendra ekonomike, sociale e politike e vendit, Tirana ka rolin dhe përgjegjësinë e lokomotivës dhe modelit që tërheq gjithë Shqipërinë, por që sipas Ramës, ka 4 vite që fle.
“Edhe 4 ditë do të mbarojë gërhitja e Tiranës që vuri në gjumë gjithë pushtetin vendor në shumë vende dhe komunitete”, tha ai.
Rama njohu vështirësitë e shumë familjeve shqiptare, edhe atyre socialiste.
“Për të gjithë këta njerëz, gjithë këto familje që kanë investuar besimin e tyre tek ne dhe ende nuk kanë marrë mbrapsht asgjë, u them që ne nuk jemi në këtë fushatë që të rrahim gjoksin dhe që t’i mveshim përpjekjeve të gjithë kandidatëve tanë, që janë njerëzit e duhur, në kohën e duhur dhe vendin e duhur. Nuk kemi dalë në këtë fushatë ëpr të bërë paradën e qeverisjes dhe nuk kemi dashur të hyjmë në debat me palën tjetër, që ka vendosur ta kthejë 21 Qershorin në një referndum për qeverisjen. Kemi dalë për t’i dhënë kësaj fushate tonin dhe t’u themi njerëzve arsyet se përse duhet të votojnë më 21 Qershor”, deklaroi Rama.
Kryeministri vlerësoi si historik vendimin që çon në këshillat e qeverisjes vendore 50 përqind gra dhe vajza, ndërsa në fund deklaroi se vota është letra më me vlerë që ka qytetari në demokraci, ndaj duhet investuar me kujdes.
“Si mund të investoni letrën më me vlerë tek PD, ku nuk do të merrni asgjë më shumë se sa gërhimën e madhe që morët në katër vite?! Kjo është një betejë mes modelesh, mes një botëkuptimi politik”, tha ai.
Më herët kreu i Kuvendit, Ilir Meta shprehu bindjen e fitores së Erion Veliajt, të cilit i faturoi një sërë suksesesh gjatë kohës kur ishte pjesë e kabinetit qeverisës si ministër i Mirëqënies Sociale.
“Erjoni ka treguar që është një administrator shumë i mirë, një reformator i vendosur, sepse Erjoni në krye të ministrisë bëri si asnjë politikan e drejtues deri më sot, më shumë se kushdo për personat me aftësi të kufizuara, duke u dhënë përkujdesje dhe përfaqësim, bëri më shumë se kushdo për komunitetin rom dhe të tjerë të lënë pas dore. Bëri një reformë shumë të mirë, atë të pensioneve, mbajti fjalën e kësaj mazhorance për uljen e moshës së minatorëve dhe marrim falenderime për këtë. Ka bërë një punë të shkëlqyer për arsimin profesional, sepse kjo është një domosdoshmëri për të kontribuuar për rritjen ekonomike të vendit. Bëri një punë të shkëlqyer për rritjen e fondit për punësimin, duke e shumëfishuar atë. Ktheu zyrat e punës për shërbimin ndaj qytetarëve, të rinjeve dhe të rejave. Është e kotë të flas më për Erionin, sepse më tepër do të flasë puna e tij duke nisur nga 22 qershori për transformimin rrënjësor të kryeqytetit”, tha Meta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button