Home / Opinion / Një shembull suksesi kundër evazionit

Një shembull suksesi kundër evazionit

ILIR KUMBARO 

Më 3 prill 2014, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, bëri një vizitë pune në Sllovaki, për të shkëmbyer dhe për të marrë eksperiencë në fushat e mbështetjes së investimeve, marrëdhëniet me investitorët e huaj, mbështetjen shtetërore për bizneset e vogla dhe të mesme, legjislacionin në fushën e taksave, mbledhjen e taksave, Lotarinë Kombëtare me kuponët tatimorë etj.

Sipas ministrit Ahmetaj, Sllovakia është një histori suksesi që frymëzon në shumë fusha.

Përse Sllovakia është një histori suksesi në Lotarinë Kombëtare me kuponët e kasave fiskale?

Qeveria sllovake, e kryesuar nga Kryeministri Fico, që me ardhjen në pushtet në prill 2012, u fokusua në luftimin e evazionit fiskal.

Sipas raportit të Komisionit Europian, taksat e pambledhura në vitin 2011 shkonin gati në vlerën e 3 miliardë dollarëve amerikanë, kryesisht TVSH. Kjo shifër ishte sa 1/3 e TVSH-së së mbledhur apo sa 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në fund të vitit 2012, vendi ishte në prag të falimentimit, pasi ekonomia dhe borxhi i vendit ishte një rrëmujë e vërtetë.

Një nga masat që mori qeveria sllovake, në shtator të vitit 2013, ishte aplikimi i Lotarisë Kombëtare me kuponët e kasave fiskale. Si rezultat, në vitin 2013, u mblodhën 512 milionë dollarë më shumë taksa se në vitin 2012, me një rritje shumë të ndjeshme kur filloi lotaria.

Qeveria sllovake shpenzoi një shumë modeste prej 276,000 dollarësh për ngritjen e infrastrukturës për lotarinë. Aplikimi për pjesëmarrje në lotari është tejet i thjeshtë dhe fleksibël. Shorteu për të përcaktuar fituesit hidhet një herë në dy javë, ku përcaktohen 8 fitues që kapin vlera nga 1.000 deri në 10.000 euro

Që me fillimin e lotarisë, në shtator 2013, u duk qartë interesi i popullsisë. Deri në mars 2014, u regjistruan 58.8 milionë kuponë tatimorë dhe morën pjesë në lotari mbi 500 mijë njerëz. Lotaria jo vetëm që motivoi njerëzit për të kërkuar kuponin tatimor, por ndihmoi për të evidentuar bizneset që kryenin evazion, apo ata që ishin të paregjistruar. Ndërsa më përpara kishte shumë pak denoncime për biznese të parregullta, gati 300 denoncime në vit, me aplikimin e lotarisë denoncimet arritën në gati 7000 vetëm në 6 muaj.

Në prill të 2014-s, shembullin e Sllovakisë e ndoqi Portugalia, e cila pretendon që me aplikimin e lotarisë të mblidhen deri në 1 miliard dollarë më shumë taksa në vit. Po të njëjtën rrugë do të ndjekë dhe qeveria e Çekisë në vitin 2016, siç e deklaroi Kryeministri çek, në vizitën e tij në Bratislavë, më 13 shkurt 2014.

Aplikimi i Lotarisë Kombëtare me kuponë tatimorë nga kasat fiskale është plotësisht i mundur dhe në Shqipëri. Kasat fiskale që janë tregtuar në Shqipëri, gati 60 mijë copë, i kanë të gjitha parametrat për një lotari plotësisht të sigurt të modelit sllovak, pa u bërë asnjë modifikim. Ky është një avantazh që nuk duhet neglizhuar, është një premisë që lotaria mund të aplikohet në kohë rekord. Eksperienca dhe garancia e suksesit të menjëhershëm është gati, në Sllovaki.

Evazioni fiskal është si kanceri për shoqëritë demokratike, pasi ai minon besimin në sistemin fiskal dhe i pakëson mundësinë qeverisë të investojë në infrastrukturë dhe shërbime, duke i ulur asaj kredibilitetin. Kjo bëhet akoma më domethënëse kur është fjala për evazionin me TVSH, një taksë konsumi, që është parapaguar nga konsumatorët dhe prodhuesit, por që shteti nuk merr asgjë. Në fakt, e thënë hapur, evazioni i TVSH është një vjedhje e pastër.

Duke u dhënë mundësi njerëzve të zakonshëm për të kontribuuar në rritjen e performancës së mbledhjes së taksave, forcohet demokracia dhe përmirësohet qeverisja. Duke e realizuar këtë në një mënyrë kaq të thjeshtë dhe pa dhimbje është pa dyshim një zgjidhje brilante. Të vetmit persona që humbasin janë ata që thyejnë ligjin dhe vjedhin.

Leave a Reply

%d bloggers like this: