Home / Politika / Ligji i ri për arsimin e lartë, Rama: Nuk çojmë para te privati, e kundërta është e vërtetë

Ligji i ri për arsimin e lartë, Rama: Nuk çojmë para te privati, e kundërta është e vërtetë

Kryeministri Edi Rama mbrojti ligjin e ri për arsimin e lartë dhe renditi, sipas tij, një sërë avantazhesh të këtij ligji në krahasim me ligjin ekzistues.

“Ajo që është quajtur deri sot autonomi është një farsë e bazuar në një sistem të korruptuar me gjoja me sistem zgjedhjesh, që nuk ka prodhuar autonomi, por papërgjegjshmëri në raport me detyrimet ndaj publikut. Ky sistem, që hyn në fuqi me ligjin e ri, vendos bazën e një autonomie reale universitare dhe siguron që në emër të autonomisë të mos zhvillohet anarkia dhe mediokriteti maksimal”, deklaroi Rama.

Një nga pikat më të kritikuara të ligjit të ri është çështja e financimit. Kundërshtarët e ligjit thonë se përmes tij financohet arsimi privat me paratë publike. Por kryeministri e hodhi poshtë këtë.

“Me ligjin e ri nuk çojmë para publike në institucionet private. Kjo nuk ekziston. Kush thotë këtë spekulon për t’i bërë moral gjasme interesit publik, por që ka interesin e një kaste. Ne nuk çojmë para publike në institucionet private, e kundërta është e vërtetë; pranojmë financimin privat në arsimin publik. Para publike tek private nuk shkojnë, privatët bëjnë financim publik për arsimin publik. Është një spekulim dhe është për të ardhur keq”, tha ai.

Sipas kryeministrit, ligji i ri garanton dy përbërës plotësues me njëri-tjetrin; cilësinë akademike dhe atë administrative. Rama tha se ndarja e deritanishme, arsim publik dhe arsim privat është e padrejtë.

“Sistemi është për burime që gjenerojnë kompeticion dhe cilësi, si në shtet dhe në privat. Ndarja publik dhe privat është një ndarje e padrejtë. Arsimi është publik, pavarësisht se e merr në universitet shtetëror apo privat. Të gjithë do të trajtohen në mënyrë të barabartë”, shtoi ai.

Rama solli një përvojë personale për të ilustruar domosdoshmërinë e ndryshimeve në sistemin e arsimit të lartë për të rritur cilësinë, që sipas tij, e garanton ligji i ri, që çon përpara sistemin përmes konkurrencës.

“Marr një taksist ndonjëherë natën, sepse s’ka raport të Bankës Botërore që të të njohë më mirë me atë që po ndodh në vend. Dhe u bënë vite që nuk gjej një taksist në rrugët e Tiranës pa diplomë në juridik. Biles në një rast, njëri kishte marrë masterin dhe nuk pranoi të paguhej. E ka nga unë, – më tha, – se kishte marrë masterin. Kishte marrë masterin se çonte djalin e pronarit të universitetit në shkollë dhe ndonjëherë gruan e tij për shoping. Ky është sistemi që kemi ndërtuar ndër vite”, u shpreh Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: