Home / Arte / Kur Kodra përlotej nga ndarja me Matildën

Kur Kodra përlotej nga ndarja me Matildën

Jeta tjetër e Ibrahim Kodrës/ Fatos Faslliu tregon ditët e fundit të piktorit dhe dashuritë e mbetura diku

Nga Alda Bardhyli

“Teksa loti rrjedh në fytyrë/ kam kuptuar shumë gjëra/ pas kaq muajsh unë e di/ se çfarë jam për ty…/ Një vështrim e një buzëqeshje/ më zbuluan sekretin tuaj/ që ju më keni dashur/ dhe më doni ende…..” Teksa mbrëmja binte mbi Milano, zëri i Bobi Solo me këngën “Con una Lacrime” mbushte hapësirën e shtëpisë së Ibrahim Kodrës. Qëkur Matildë kishte ikur, kjo lirikë e njohur italiane ishte bërë si refren që e çonte në kohën kur ajo ishte pranë tij. Në biseda me miq ai fliste shpesh për të, aq sa kur në ndonjë bar dëgjohej kjo këngë, ai s’mund të fshihte lotët. Ibrahim Kodra ishte aq i vërtetë kur dashuronte, dhe nuk kishte drojë të fliste për mallin për një grua. E veshur me një xhaketë me viza të holla, dhe flokët e gjatë, Matildë duket e lumtur pranë tij, në një foto të bërë vite më parë. Drurët e zhveshur pranë tyre të kujtojnë vjeshtën e vonë. Por, ka gjithnjë një histori tjetër përtej një fotoje, e cila në këtë rast na grish imagjinatën. Thjesht një shëtitje e dy të dashuruarve në një park në një pasdite vjeshte, apo një zbulim i papritur pas një ecjeje të gjatë… Matilda, një arkitekte milaneze 30 vjet më e re se Kodra, ka qenë vajza që i theu zemrën artistit. Kaq vite nga kjo ndarje, dhe nga ndarja nga jeta e Kodrës, është Fatos Faslliu, njeriu që sot trashëgon të drejtën mbi veprat e tij, që e sjell këtë histori, përmes kujtimeve për fytyrën e trishtuar të Kodrës pas ikjes së saj. Gati 10 vjet nga ndarja nga jeta e Ibrahim Kodrës, një prej personazheve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, jeta e tij ka mbetur pothuajse e panjohur, e kyçur në shtëpinë e tij në Milano. Nuk janë vetëm historitë e zemrës, ato që do ta bënin të plotë dimensionin e Kodrës si artist e njeri, por dhe qindra shënime, letërkëmbime, apo koncepte të lëna prej tij për artin… Fatosi e quan shtëpinë e mjeshtrit si një pasuri për kulturën shqiptare, e cila kërkon një grup studiuesish për t’u hulumtuar. Asnjë vend nuk do të ishte indiferent ndaj një pasurie të tillë, e cila është pasaporta më e mirë për identitetin tonë. Disa javë më parë vendosja e një skulpturës së tij “Katër stinët e jetës” kaloi pothuajse në heshtje. “Kodra e donte këtë skulpturë”, shprehet Fatosi, njeriu që në shtatorin e vitit 1990, teksa kishte lënë Shqipërinë për shkuar në Itali, një taksist në Milano do ta drejtonte drejt shtëpisë së Ibrahim Kodrës. Me shqetësimin e një jete të re që sapo kishte nisur, Fatosi nuk mund ta mendonte se ky takim do të ndryshonte jetën e tij. Sot ai është njeriu që vazhdon të rendë pas pikturës së Kodrës, duke u kujdesur si për një thesar, për gjithçka ai ka lënë pas, i bindur se ky është misioni i tij më i rëndësishëm tashmë në jetë…

Si e kujtoni takimin e parë me Ibrahim Kodrën…?

Takimi im i parë me Maestro Kodrën ka ndodhur në fillim të shtatorit të vitit 1990. Unë bashkë me bashkëshorten sapo kishim mbërritur në Milano, ku nuk njihnim asnjë njeri. Duke pyetur taksistët që gjithnjë janë më të informuarit, rastësisht ndesha me njërin që njihte Maestro Kodrën. Unë e njihja si artist mjaft mirë, pasi kisha biseduar me Agim Fajën, që e njihte mirë. Kisha lexuar edhe një artikull te gazeta “Drita” në vitin 1973, ku me rastin e vizitës së tij në Shqipëri i dedikohej ky shkrim. Nuk mund ta harroj asnjëherë emocionin e atij takimi, sidomos për gjuhën gegënishte të pastër që fliste e shkruante, si dhe për humanizmin thjeshtësinë që e karakterizonte. Më vonë do të njihja artistë të tjerë të mëdhenj italianë, ndër të cilin Adriano Çelentanon, por njohja me Maestro Kodrën ishte e veçantë.

Ka pasur një tërheqje tuajën ndaj arteve apo pikturës përpara takimit me Kodrën?

Me artin, e sidomos letërsinë, kam qenë gjithmonë i lidhur e vazhdoj akoma, por me pikturën ka qenë njohja me Maestro Kodrën që më ka bërë të zhytem kokë e këmbë.

Si vazhdoi më pas lidhja juaj, si arritët të bëheshit një ndër më të besuarit e Kodrës?

Çdo vit ne organizonim Festën e Flamurit në Milano dhe prania e Maestro Kodrës ishte krenaria jonë. Por miqësia jonë e pandarë ka filluar në vitin 2001 ku unë i sapozgjedhur si kryetar i Shoqatës Kulturore Itali-Shqipëri me qendër në Milano së bashku me stafin e shoqatës, aktivitetin e parë që bëmë ishte një mbrëmje me temë Ibrahim Kodrën, jetën dhe veprën e tij, si një urë miqësie mes Shqipërisë dhe Italisë. Mbrëmja qe shumë e suksesshme e nga ajo ditë disa herë në javë e kaloja me Maestron, që vinte shpesh edhe në shtëpinë time.

Si e kujtoni kohën me të, cilët ishin miqtë që e vizitonin më shpesh?

E quaj veten, ashtu si shumë të tjerë, me shumë fat për kohën që kam kaluar me Maestro Kodrën, ku flitej shumë për artin dhe ai ishte gjithmonë violina e parë. Kur ishte në formë e kur rrethohej nga njerëz të artit ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme ta dëgjoje atë.

Si ishte një ditë e zakonshme e tij?

Dita e Maestros fillonte me një zgjim të vonshëm e me gjimnastikë të përditshme. Pas mëngjesit që përbëhej me shumë fruta e çaji i pandarë vazhdonte me leximin e disa gazetave, sidomos “Corriere della Sera” dhe “Il giornale”. Pasdreke punonte pak e pushonte. Mbas pushimit fillonte puna me penel. Pjesë e përditshme e tij ishin telefonatat e përditshme që ai u bënte miqve të shumtë që kishte në gjithë botën.

Çfarë kujtonte ai nga Shqipëria dhe çfarë i mungonte më shumë?

Shqiptaria e ka shoqëruar gjithë jetën e Maestro Kodrën. Ai nuk e ndante kurrë Kosovën, Arbërinë e Shqipërinë. Të panumërta janë intervistat që ai ka dhënë në përkrahje të çështjes shqiptare e të Kosovës. Vitit të mbrapshtë 1997 iu kundërvu me veprën e tij monumentale “Shqipëria fantastike”, e cila vlerësohet si një nga kryeveprat e Maestro Kodrës. Poezinë e Fishtës “Gjuha shqipe” e ka recituar deri në ditët e fundit të jetës. Me miqtë e shumtë shqiptarë bëmë të mundshmen që malli që ai kishte për Shqipërinë ta mbante deri në fund të jetës ku ai vendosi që të vijë të pushojë përjetësisht në tokën shqiptare.

Si kanë qenë ditët e fundit të jetës së tij. Si ishte përballja me vdekjen?

Ajo që më ka bërë shumë përshtypje jo vetëm mua, ka qenë përballimi me shumë burrëri i sëmundjes që e shoqëroi tre muajt e fundit të jetës së tij.

Ju kujdeseni tani për një trashëgimi të madhe siç është ajo e pikturave të Kodrës, si operoni për ta mbajtur ashtu si ai e meriton? 

Për përkujdesjen e veprës së Maestro Kodrës nuk është shumë e lehtë, por mundohem me ndihmën e shumë miqve të tij, kryesisht italianë, të mbajmë gjallë emrin e figurën e tij. Për sa i përket përkujdesjes së institucioneve shqiptare për figurën e artin e Maestro Kodrës mbase nuk mjafton një artikull. Është një sëmundje e vjetër e që nuk po mundemi ta shërojmë, por unë jam optimist se ndoshta do kujtohen ndonjë ditë për Ibrahim Kodrën.. Jam, e mbetem i bindur që ne kemi nevojë për Ibrahim Kodrën e jo ai për ne. Emri i tij është në piedestalin e artit që ai me meritën e tij e vendosi.

Një vëmendje e veçantë është edhe arkivi i tij, që do të përbënte një thesar për artin e kulturën tonë kombëtare. Shtëpia e tij është një pasuri e madhe e kulturës e artit. Janë me mijëra foto, libra korrespondenca e katalogë arti me vlera të jashtëzakonshme që presin të studiohen e hulumtohen…Mbetet të krijohet një grup pune studiuesish por që unë e shoh shumë të largët.

Maestro Kodra nuk u martua asnjëherë. A ju ka folur ndonjëherë në biseda për ndonjë histori të tijën dashurie?

Maestro Kodra më ka rrëfyer disa histori dashurie, por më e madhja ka qenë ajo me një arkitekte milaneze Matildë, e cila ishte 30 vjet më e re se ai. Kur janë ndarë nga njëri-tjetri, lajtmotiv i dashurisë së tyre ishte kënga e Bobi Solos “Con una Lacrime” të cilën Kodra e dëgjonte shpesh. Përlotej sa herë e dëgjonte. Këtë histori e dinin të gjithë miqtë e tij pasi maestro nuk mbante sekrete. Në rini donte të martohej me një vajzë me origjinë kalabreze, e për hatër të saj u konvertua dhe në katolik, por edhe ajo martesë dështoi. Gjithmonë thoshte se martesa të kufizon lirinë. Ndoshta kishte të drejtë…

Keni njohur ndonjë prej mikeshave të Kodrës?

Po, kam njohur një grua në vitin e fundit të jetës së maestros, quhej Katja por tashmë jetonte në Nju Jork. Besoj ka qenë 7-8 muaj para se maestro të ndahej nga jeta, kur ajo erdhi në Milano dhe e takoi…Në atë takim ndihej malli që kishin për njëri-tjetrin. Kemi ngrënë dhe një darkë bashkë.

Cilat nga pikturat e tij është më e dashur për ju?

Unë kam pasur fatin ti shoh të gjitha pikturat e Maestros, edhe pse janë edhe shumë për t’u parë, por veprat “Pushkatimi i nënës” e “Shqipëria fantastike” mbeten për mua më të pëlqyerat. Kam vënë re që në ambientet e kulturës në Shqipëri kanë njëfarë xhelozie në lidhje me kryeveprën e tij “Shqipëria fantastike”. Për mendimin tim kjo vepër duhet të jetë një simbol kombëtar, pasi është personifikimi më i mirë i vlerave tona, si harmonia fetare, bukuritë natyrore, mbetjet arkeologjike, e lahutën që është instrumenti tipik shqiptar. E t’i fusësh të gjitha këto elemente në një vepër është një gjetje artistike që vetëm gjenialiteti i tij mund ta bënte. Për mua është në sensin pozitiv si “Guernika” e Pikasos..

Leave a Reply

%d bloggers like this: