Politika

Pakti detar, nuk ka negociata me Athinën

Ambasadori Dervishi: Ligji i luftës duhet anuluar, çështja çame jo më tabu

DERVISHI

Mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka negociata për çështjen e Paktit Detar. Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi, shuan çdo dyshim për ndonjë rinisje të bisedimeve mes dy vendeve për marrëveshjen e re të detit. Menjëherë pas seancës dëgjimore me deputetët e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Dervishi deklaroi se “nuk ka asnjë gjasë, Greqia mund të thotë shumë gjëra unë po them çfarë thotë qeveria shqiptare, qartë dhe prerazi që vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk vihet më në dyshim. Grupet e punës punojnë në mënyrë të pavarur, por nuk kanë filluar negociatat. Të dyja palët janë të interesuara ta zgjidhin këtë çështje, edhe kufirin tokësor dhe kufirin detar”. Sipas diplomatit me karrierë, për palën shqiptare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është udhërrëfyesi i zgjidhjes së kësaj çështjeje mes dy vendeve. “Në Athinë është bërë e qartë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është i panegociueshëm dhe Athina e ka të qartë se Shqipëria është e gatshme të rinegociojë marrëveshjen mbi bazën e respektimit të të gjitha ligjeve të vendit dhe Kushtetutës shqiptare”, u shpreh Dervishi. Ambasadori hodhi poshtë interpretimet që u janë bërë deklarimeve të ministrit të Jashtëm grek, Venizelos, për bllokim të hapjes së negociatave Shqipëri-BE, duke e kushtëzuar me zgjidhjen e marrëveshjes së detit. Sa u përket marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë, Dervishi, theksoi se ka pasur një ngrirje, porse vizita informate e Edi Ramës para marrjes së drejtimit të qeverisë, shtensionoi situatën mes dy vendeve.

Ligji i luftës

Gjatë raportimit, ai pohoi se në marrëdhëniet me Greqinë tashmë nuk ka më tabu dhe axhendat dypalëshe janë mbi tavolinë. Sipas tij, Athina e ka kuptuar se tashmë ligji i luftës është anakronik dhe së bashku me çështjen e Çamërisë, tani shikohet për një zgjidhje. “Nëse deri para disa vitesh vetëm të përmendej fjala “Çamëri” përbënte lajm, tani kërkohet shumë më tepër, pasi kemi hyrë në fazën e kërkimit dhe gjetjes së formulave për zgjidhjen e tyre, jo duke u kapur në dy ngjarje banale që në dy vendet fqinje ngarkesat historike janë të shumta, por duke u kapur nga thelbi i tyre, nga shkaqet që i gjenerojnë ato. Një nga këto probleme që deri dje pëshpëritej nëpër korridore është Ligji i Luftës, nuk është më një patate e nxehtë, në Athinë është kuptuar se është një ligj anakronik që duhet anuluar dhe anulimi i tij do të çlirojë shumë energji pozitive, një pjesë e mirë e çështjeve që janë në agjendat tona do të futen në procesin e zgjidhjes si derivate të saj”, tha ambasadori Dervishi.

Toponimet

Një tjetër zbulim ishte dhe trajtimi si nder nga pala greke i marrëveshjes për toponimet, në një kohë që nënshkrimi i saj kishte qenë kërkesë e mëhershme e vetë Greqisë. “Ndërsa Turqia, Maqedonia dhe Bullgaria e zgjidhën këtë problem në mënyrën më të thjeshtë në kohën dhe mënyrën e duhur, ne e neglizhuam. Mbas dy vjetësh kur ne filluam prodhimin e pasaportave biometrike marrë shkas edhe nga disa abuzime absurde të vendosjes së krahinës si vendlindjen në vend të vendit të lindjes. U krijuan probleme me emigrantët me trarë ul edhe ngrit, u rrit ndjeshmëria jonë dhe u bë zgjidhja që duhet bërë që në fillim. Një çështje që u kërkua nga pala greke dhe që u shit në fund në propagandën greke si një favor i Greqisë ndaj Shqipërisë, për një kërkesë që Greqia i kishte bërë Shqipërisë”, tha ambasadori.

HERION MESI

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button