Opinion

Kryefajtori akuzon?

Petro Dhimitri, Gazetar
Petro Dhimitri, Gazetar

Na ishte një here e një kohë, në Shqipërinë Socialiste, shqiptarët nuk e kishin mendjen te droga. Jo se nuk e njihnin.  Kishin përdorur hashashin për qetësim.Për bimët e tjera dinin aq sa kishin mësuar nga leximet, po nuk  guxonte njeri t’i mendonte pa le t’i kultivonte. Shteti ishte shtet. Kishte nën kontroll çdo segment të jetës në qytet dhe në fshat.Prandaj ato pak shqiptarë të zgjedhur që dilnin jashtë, në asnjë aeroport  nuk kontrolloheshin për drogë. Sot ajo kohë na duket shumë e largët dhe si e pabesueshme nga që nuk ka ditë ose javë që shtypi të mos njoftojë që në këtë ose atë fshat u asgjesuan aq e kaq bimë narkotike. Madje Berisha para disa ditësh ia faturonte zotit Edi Rama fajin për parcelat me drogë. Dje ai e thelloi më tej akuzën e tij duke e paraqitur stemën e PS-së të shndërruar në gjethe kanabisi.
Le të ndjekim udhën e drogës për të dalë te e vërteta e hidhur dhe e dhimbshme.
Sa u hapën kufijtë dhe shqiptarët masivisht nisën udhën e kurbetit, filloi edhe droga të vërshonte. Shqipëria nu kthye nga  në një vend tranzit për të shpërndarë helmin e bardhë nëpër Evropë e kudo. Vinte nga Afganistani, Greqia,Turqia, Rumania, Bullgaria, Maqedonia….Në pikat kufitare dhe në dogana rrushfeti thyente ligjin. Në pushtet ishin socialistët ose më mirë ishte zoti Fatos Nano që nuk qe në gjendje ose nuk donte  t’i thoshte “Ndal” drogës. Pse? Nuk kanë qenë të paktë  titullarët e partisë së tij që me paratë e drogës dhe të skafeve forcuan edhe pozitën e tyre ekonomike dhe politike.
Mungojnë të dhënat statistikore për të ditur se kur dhe në cilin fshat droga filloi të kultivohej për herë të parë.  Nga thjesht transportues tranziti, shqiptarët u kthyen në prodhues të drogës. Fitimi, edhe pse me rrezik, do të ishte shumë herë më i madh. Shtetit nuk mund t’i shpëtonte kjo dukuri. Sherbimi sekret dhe policia e njohu këtë realitet, po Nano ose nga që nuk donte të punonte ose nga që kërkonte që klasa e tij të kishte frenat e ekonomisë, thuajse heshti. Në atë kohë u fol për raste droge në Lazarat, ish fshatin e ballistëve të persekutuar mizorisht nga komunizmi, po vetëm kaq. Disa aksione sporadike nuk mund t’i prisnin vrullin një dukurie që po bëhej masive nga që kultivuesit e kuptuan se shteti bënte sikur i luftonte. Pse vetëm lazaratasit të fitonin? Po përmetarët, po dukagjinasit e beratasit, po… sa shumë rrethe po i gëzoheshin lelmit të “ndaluar” ! Në aeroportet e Europës e kudo shqiptarët duhet të kalonin si në vrimën e gjilpërës me që u cilësuan si transportues të rrezikshëm të drogës. Jo pak përfunduan në burgjet e Zvicrrës, Italisë, Greqisë, Gjermanisë… Midis tyre kishte edhe intelektualë. Lind pyetja se ç’bënte opozita? Ajo nuk luajti rolin e duhur, deri sa qeveria Nano  nuk po vepronte me forcën që kërkohej. Siç duket prisnin kohën që të vinin në pushtet për të patur edhe ata përfitime nga bota e krimit. Dhe ashtu ndodhi. Duke qenë bastion i PD-së Lazarati u kthye në një fshat-shtet brenda Shqipërisë .Emri Lazarat u lakua në kanceleritë dhe policitë e Europës dhe Botës. Droga atje kultivohej dhe përpunohej  më lirshëm,se kishin mbështetjen e madhe të Berishës. Nga përkrahja e tij si edhe e zonjës Jozefina Topalli edhe Dukagjini u la si zonë e lirë për lulzimin e canabis sativa. Muaj pas muaji, vit pas viti edhe shumë fshatarë të rretheve të tjera  filluan t’ia ndjenin lezetin parave nga kultivimi i narkotikëve. Jo më kot u shqetësua Europa për këtë gjendje skandalizuese, po demokratët nuk donin t’ia dinin.Padrejtësisht drogën e lidhnin me politikën. Nuk e preknin Dukagjinin se ishte bastion i tyre. Lazarati po e po.” Nuk ka gjë se po shkelni ligjin, mjaft që të votoni për ne” pëshpërisnin idhtarët e PD-së.
Kjo ishte gjendja kur Partia Socialiste me Edi Ramën kryetar fitoi zgjedhjet e qershorit 2013. I binte atij barra që si kryeministër i ri të mos i mbyllte më sytë siç i kishin mbyllur Nano e sidomos  Berisha. Kur shumë mendonin se Lazaratit nuk kishte ç’ti bënte, me guxim dhe organizim profesional forcat e rendit u futën në Lazarat. U shkatërruan bazat përpunuese si dhe të gjitha parcelat e mbjella me drogë. Në tre ditë u asgjesuan aq shumë bimë narkotike sa nuk ishin asgjesuar për më shumë se disa vite nga qeveria e Berishës. Europa përgëzoi Shqipërinë dhe zotin Rama. Pas Lazaratit ai iu kthye Dukagjinit. Kaq të fortë e quanin veten dukagjinasit dhe kaq të sigurtë ishin në të “drejtën” e tyre për të shkelur ligjin, sa arritën të qëllonin edhe helikopterin e forcave speciale… Puna për zbulimin dhe asgjesimin e atyre bimëve po vazhdon me sukses pandërprerje, prandaj shtypi e pasqyron kaq shpesh. Megjithatë, Berisha ka guximin të mashtrojë popullin duke i vendosur stemës së PS-së gjethet e mariuanës që Nano dhe sidomos ai  me mosveprimet e tij, i lejoi të kultivoheshin anembanë Shqipërisë. Po sado Berisha të shpifi e mashtrojë, populli e di të vërtertën, se kryeministri Edi Rama po merret seriozisht me luftën kundër drogës. Edhe kjo është një nga arsyet që, edhe në zgjedhjet për pushtetin vendor, populli ia dha votën të majtës së bashkuar. Populli nuk mund t’i besojë më Berishës, njeriut që theu embargon  për të furnizuar me naftë ushtrinë  e Milosheviçit  që të çonte tanket dhe autoblindat në Kosovë: Berishës që, për të ruajtur pushtetin, çoi ushtrinë të gjakoste Vlorën dhe Jugun :Berishës  që vrau demostruesit paqësorë më 21 janar:Doktorit që për t’u pasuruar familja e tij shkaktoi tragjedinë e Gërdecit…:Berishës që mburrej me Lazaratin…Demokratët e ndershëm nuk mund t’a falin Berishën që e katandisi PD-në sa kokoshi një thelë.  Shkeljet ligjore të këtij politikani të paskrupullt mirëdihen dhe nuk harrohen  nga populli që pret ditën kur drejtësia të zgjohet nga gjumi letargjik dhe të gjykojë cilindo  që  me veprimet dhe mosveprimet e tij  i ka shkaktuar aq dëme Atdheut.Nuk e kam fjalën vetëm për një fshatar që ka kultivuar canabis, po për ata “burra” shteti që mbyllën sytë para këtij krimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button