Home / Politika / Schulz: Institucionet e pavarura, çelësi i një të ardhmeje të drejtë

Schulz: Institucionet e pavarura, çelësi i një të ardhmeje të drejtë

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz ka mbajtur paraditen e kësaj të marte një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Rekomandimi i zotit Schulz për klasën politike shqiptare, sikurse në takimet e zhvilluara kokë më kokë me krerët politikë, ishte reforma në drejtësi.

“I bëj thirrje klasës politike në Shqipëri që të veprojë në përputhje me 13 pikat e dialogut të nivelit të lartë sa i përket drejtësisë, për një gjyqësor efikas që mban përgjegjësi për vendimet e marra. Institucionet e pavarura janë çelësi drejt një të ardhmeje të drejtë”, ka deklaruar Schulz.

Ai ka vlerësuar rezultatet pozitive të arritura deri tani nga qeveria shqiptare, duke e inkurajuar atë që të vazhdojë më tej.

“Ne ndajmë me njëri-tjetrin të njëjtat vlera dhe së bashku jemi më të fortë. PE mbështet të gjithë ata që ndjekin rrugën e dmokracisë dhe së drejtës e që e shohin pajtimin si çelësin e sigurisë së Ballkanit perëndimor”, ka vijuar Schulz.

Duke e vënë theksin pikërisht tek stabiliteti i rajonit, presidenti i PE ka vlerësuar maksimalisht përpjekjet e vendit tonë për ripajtim me fqinjët.

“Vizita e kryeministrit Rama në Beograd dhe e kryeministrit Vuçiç në Tiranë janë tregues i ripajtimit. Marrëveshja e transportit Shqipëri-Serbi ishte shumë pozitive. Shpresoj që të ketë të tjera”, ka thënë ai.

Duke bërë edhe një retrospektivë të shkurtër të ecurisë së kontinentit të vjetër që nga Lufta e Dytë Botërore, Schulz nuk ka ngurruar të vlerësojë “humanizmin e treguar nga shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë”.

“I shpreh mirënjohjen dhe respektin më të thellë popullit shqiptar për këtë”, ka thënë ai.

Leave a Reply

%d bloggers like this: