Home / Opinion / Të fala verore nga Tetova

Të fala verore nga Tetova

Nga Ndue Dedaj

Nuk është vetëm deti i lakmuar gjatë verës, po dhe mali. Si dy duar që ngjatjetojnë njëra-tjetrën dhe për sa i përket turizmit, që jo më kot emërtohet në bregdetar dhe malor. Por nuk qenka pa pengime udha për të shijuar bjeshkët tona “përtej”. Për të shkuar pa doganë kudo në trojet arbnore, ku dheu, guri e lumi flasin shqip. Toka shqiptare ende kërkon “biletë” brenda vetes. Makina jonë duhej të paguante një siguracion prej dyzet eurosh, vetëm për të kaluar tri orë në Tetovë, apo një drekë turistike në pyjet mahnitëse të Mavrovës, mes një flladi krahëlehtë që të bën dhe ty me krahë. I bie që jo vetëm çdo qytetar i thjeshtë e turist, po dhe çdo pedagog që shkon nga Prishtina e Tirana për të dhënë mësim në Tetovë duhet të paguajë këtë tarifë njëherë në 15 ditë, nëse nuk ka një siguracion vjetor për jashtë. Nuk e di nëse do të paguante kaq euro në doganën tonë makina e Kryeministrit maqedonas për të vizituar fshatrat minoritarë të zonës së Prespës? E kuptojmë trendin e kohës në menaxhimin e rrugëve, por jo deri aty sa autostrada “Nënë Tereza” nga Tetova në Gostivar, vetëm 25 kilometra, të paguhet dy herë gjatë të njëjtit udhëtim!?

Tetovën e shumëndërruar për ta parë nga afër, një qytet karakteristik i rrafshët në prehër të maleve, me fshatrat panoramikë si një “dorë prush” nëpër shpate, e gjetëm në një nga ditët e lumtura të vetat, pasi kremtohej Fitër Bajrami, për çka lokalet ishin të gjitha të kyçura. Ishin mbyllur dhe dyert e Universitetit, ku shpresonim të gjenim dikë nga të njohurit tanë sa për të pirë një kafe e për të shkëmbyer libra. I bashkohesh urimit të festës së këtyre njerëzve, por nuk e kupton se si në raste kremtimesh të tilla të shenjta, të çdo besimi qofshin, të “kyçet” gjithçka, ku udhëtari, turisti të mos ketë ku të blejë një shishe uji? Ishte hapur vetëm një bar i vogël i një qytetari serb, por që nuk arritëm të blinim gjë, pasi ai jepte e merrte me monedhën e vendit, dinarin maqedonas, ndaj u larguam vetëm me një “kalofsh mirë” që nuk donte përkthim. (Kështu pati ndodhur para pak vitesh në disa zona dhe me Krishtlindjet, ku s’kishte një dyqan hapur të kremten e tyre, por që ka filluar të ndryshojë.)

Përkundrazi, mesditën e së premtes, masivi turistik i Mavrovës ishte me njerëz e makina që ndaleshin pranë resorteve turistike, çka do të thotë se turizmi e bën punën e vet pa u bllokuar asnjë çast. Fundja, turistët që kanë ardhur nga vende të tjera të Europës nuk ka pse të mos shërbehen me përkushtim dhe si prurës të një kulture që deri dje nuk e kishim fort publike e të zhvilluar, asaj të turizmit. Kanë meritë njerëzit që e kanë ruajtur këtë park natyror pa iu pre një dru, me një rrugë malore të bërë prej vitesh, por të mirëmbajtur. Ashtu siç është në pjesën e Kosovës, mjaft i kërkuar, parku i Sharrit (Prevalla e Brezovica) në lartësitë ekologjike të Prizrenit. Natyra në këto anë, si dhe në Grykën e Rugovës, shfaqet me të gjitha ngjyrat dhe simfoninë e blertësisë së përjetshme. Turizmi malor është si një “kala” që gjithnjë e më shumë po merret nga turistët, që në këto rajone e ka krijuar një standard. Kemi udhëtuar mbi 500 km nga Tirana për të shijuar një ditë rreth e përqark Sharrit, këtij gjiganti mahnitës, në njërën anë të të cilit rri Prizreni e në tjetrën Tetova. Disa thonë se mali i Sharrit shtrihet në 76 km, të tjerë në 100 km dhe se duhen njëzet e katër orë në këmbë për ta prerë përmes. Por nuk jemi në orën e gjeografisë, që ta përshkruajmë me imtësi “Olimpin” përrallor që kundrohet nga Fusha e Kosovës në Fushë të Pollogut dhe zgjatet deri te mali vëlla i Korabit. Një visar turistik i pashoq, që shqiptarët këndej Morinit po e prekin gjithnjë e më shumë si një zbulim. Kjo dhe është e bukura e turizmit, kosovarët e tetovarët synojnë Durrësin, Shëngjinin e Sarandën, kurse prej viseve detare jo pak grupe ngjisin këto male në verë. Edhe ne, një grup shokësh, kështu bëmë fundjavën e kaluar, shtegtuam mes pishave dhe aheve sa për një të fala nga lartësitë verore të Tetovës dykrenore dhe një reportazh… të munguar për “Shqip”.

Maqedonia ka arritur një marrëveshje politike për zgjedhje në vjeshtë, por ne jemi thjesht vizitorë pa ndonjë lidhje me zhvillimet politike të fqinjit lindor, veçse kritikë për politikën e ndjekur ndaj shqiptarëve, sjellja e së cilës shpesh ka qenë represive, si pak muaj më parë në Kumanovë. E jo vetëm kjo, po dhe lënia pas dorë e qyteteve shqiptare, si Dibra e Madhe, ku pamja është ende ajo “jugosllave” e viteve ’70, thuajse pa asnjë investim të ri. Sytë na zunë vetëm një pedonale në ndërtim, shumë pak për një qytet që e hijeshon shtatorja e Skënderbeut në qendër. Pa i hyrë anës tjetër, që iu takon vetë banorëve dhe Komunës ta mbajnë të pastër qytetin e tyre dhe jo me hedhurina andej-këndej dhe barin të tharë nga mungesa e ujitjes, ani se me një liqen në anë dhe lumin e kthjelltë të Radikës, bashkudhëtar me ty nga kreshtat e epërme drejt Drinit të Zi, një lumë që nuk ka nevojë të ta tregojë askush, pasi të ngjan aq i njohur, si një lumë që ka hyrë në folklorin epik të lirisë dhe në politikën ndërshtetërore shqiptare-maqedonase.

Ishte hera e parë që venim në qytetin historik të dibranëve në zë, duke dashur që dhe sot ta meritonte emrin e vjetër “Dibra e Madhe”, me një të shkuar plot lavdi kombëtare. Por nuk ka një projekt zhvillimi për këtë rajon shqiptar nën Maqedoni. I vetmi lajm është se nga Peshkopia, Maqellara, Bulqiza dhe Burreli njerëzit përdorin këtë “shteg” drejt Gjermanisë. Dhe politika e Tiranës hesht, nuk ka fjalë për këtë. Bën sikur nuk ndodh asgjë atje në “periferi”, ku është nisur e s’dihet se kur mbërrin Rruga e Arbërit. Po sikur të kishte shkuar para tre apo pesë vitesh ajo rrugë? Po sikur Bulqiza të kishte një minierë kromi me të gjitha kushtet? Po sikur mollët e Peshkopisë të bënin prapë kokrra për tregun e gjerë? Po sikur të ishte bërë më pak politikë “tallava” në Tiranë dhe në zona të ishte bërë më shumë politikë investimesh? Atëherë ndoshta dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk do të na shihte nga kryeqyteti ynë si një vend azilkërkues?

Atëherë mbase shumë gjëra do të ishin ndryshe dhe në rajonet ndërkufitare, fjala vjen në Dibrën e Madhe, do ta kishim një librari me libra shqip. Sa shumë fjalë për integrimin europian të shqiptarëve, maqedonasve e të tjerë, dhe sa pak (ndër)veprim konkret. Kufijtë kulturorë, edhe pse jo me piramida e klon, janë ende të pakapërcyeshëm, prej “graniti” politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.