Home / Bota / Amerika / Kanye West shpall kandidaturën për president të SHBA

Kanye West shpall kandidaturën për president të SHBA

“Pra, siç mund ta merrni me mend që tani e në vazhdim e vërteta është se unë do të kandidoj për president në vitin 2020”. Me siguri që nëse Kanye West do të shpallte ambicien e tij për president të Shteteve të Bashkuara që në vitin 2016, Donald Trump, Jeb Bush, Hillary Clinton apo të tjerë kandidatë, do t’u duhej ta rishikonin edhe njëherë pozitën e tyre.

Kjo për faktin se artisti vit pas viti e ka pasuruar karrierën e tij me çmime të shumta që flasin për një figurë shumë të dashur për publikun, e kryesisht për të rinjtë. Pikërisht ky përbën edhe target-grupin më të luhatur të votuesve në Amerikë. Po ashtu, revista të ndryshme si “GQ” apo “Time” e kanë cilësuar Kanye West si një person me shumë influencë.

Nata e MTV Video Music Awards shërbeu si momenti i duhur që kantautori të bënte me dije jo vetëm fansat e tij për këtë lajm, madje nuk munguan as premtimet e para.

“Unë nuk dua që fëmijët tanë të kenë vetëvlerësim të ulët dhe as të ushqejnë urrejtje për njëri-tjetrin. Ne do t’i mësojmë fëmijët tanë që të bëhen dikush, që t’i dalin vetes për zot, ne do t’i mësojmë fëmijët tanë që të besojnë tek vetja e tyre”, tha West.

Përpos bujës që ka bërë ky lajm në media ndërkombëtare dhe nëpër rrjete sociale, është komentuar gjerësisht edhe fakti se ndoshta një ditë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë si zonjë të parë pikërisht emrin aq shumë të përfolur, Kim Kardashian, 33-vjeçaren që tashmë po pret fëmijën e dytë të Kanye West.

Leave a Reply

%d bloggers like this: