Politika

PPE, Basha: Shtimi i azilkërkuesve shqiptarë, nga keqqeverisja

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në Asamblenë politike të Partive Popullore Europiane (PPE), e pret nga punimet e kësaj të fundit të votojnë kërkesën e PD-së për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e PPE-së.

Basha është takuar me presidentin e PPE-së, Joseph Daul; kreun e komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së, Elmar Brok; eurodeputetët Kukan, Fleckenstein, Rubig, por edhe zyrtarë të tjerë.

Në qendër të vëmendjes gjatë ditës së parë të punimeve të kësaj asambleje ka qenë pikërisht emigracioni, temë për të cilën – siç shprehet nga selia blu, – përfaqësues gjermanë të Asamblesë kanë vënë në pah pasojat e humbjes së perspektivës së qytetarëve shqiptarë, për shkak të zhbërjes së standardeve demokratike në Shqipëri. Diçka të tillë, kryetari i opozitës Lulzim Basha e ka denoncuar prej muajsh në PPE.

Sipas Bashës, shkaqet kryesore të rritjes galopante të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani janë keqqeverisja, kriza ekonomike, korrupsioni, promovimi i personave me rekorde kriminale në poste të larta, përfshi edhe Parlamentin, qeverisja vendore, administrata e policia. Për këtë arsye, eurodeputetët – thekson PD-ja, – e kanë konsideruar tejet shqetësues numrin kaq të lartë të azilkërkuesve nga një vend që ka statusin e kandidatit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, siç është Shqipëria.

Në fund, Basha u ka garantuar eurodeputetëve se PD-ja do të ketë së shpejti gati programin e saj qeverisës, që do t’i japë zgjidhje situatës së rëndë ekonomike në vend, zhbërjes së standardeve demokratike dhe do t’u kthejë shpresën qytetarëve për ta parë të ardhmen në vendin e tyre dhe jo në emigrim. Gjë, për të cilën Basha ka marrë edhe mbështetjen e presidentit Daul për të ofruar ndihmën e PPE-së në programin qeverisës së demokratëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button