Politika

Gjermania shton dhe Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta të origjinës

Tashmë është zyrtare: lista e të ashtuquajturve “vende të sigurta të origjinës” do të zgjerohet edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Azilkërkuesit nga këto vende parimisht do të pranohen në qendrat e pranimit fillestar në Gjermani, ku me mbështetjen e federatës do të krijohen edhe 150.000 streha të sigurta për dimrin.

Por koha e qendrimit të refugjatëve në këto qendra do të zgjatet nga tre në gjashtë muaj, e po për aq kohë do të vlejë edhe detyrimi për largimin nga Gjermania. Vendimi është pjesë e planit për përballimin e fluksit të refugjatëve, me të cilin ra dakort në Berlin koalicioni qeveritar. Nisma që e sheh ekzekutivin gjerman të luhatet mes besimit dhe realizimit, parashikon më shumë para, më shumë personel, por edhe më shumë kufizime. Këtë e pohuan në një konferencë të përbashkët për shtyp vetë kancelarja Angela Merkel dhe zëvendësi i saj, Sigmar Gabriel.

“Kemi lënë pas një fundjavë të ngarkuar, intensive”, formuloi në mënyrë të përmbledhur Merkel të gjithë gjendjen e krijuar duke pasur parasysh për këtë pohim jo vetëm mbërritjen e rreth 20.000 refugjatëve të shtunën dhe të dielën në Gjermani, por edhe faktin, se vala e atyre që kërkojnë mbrojtje dhe ndihmë nuk do të pakësohet së shpejti. Pas konsultimeve mes partive të koalicionit, u ra dakort për një sërë masash, me të cilat duhet të ndryshohet politika e azilit dhe e refugjatëve.

Përpos 3 miliardë eurove shtesë për përkujdesjen dhe strehimin në buxhetin e 2016-tës dhe tre miliardë të tjerave që do tu vihen në dispozicion landeve dhe komunave, është vendosur të ndryshojë edhe ndihma për azilkërkuesit. Atyre nuk do tu jepen më para në dorë e për këtë këmbënguli kryesisht CSU-ja bavareze.

“Garantimi i ndihmave financiare me para në dorë ka efektin joshës për të ardhur në Gjermani, sepse shumë vende të tjera, madje edhe në Europë, nuk e kanë këtë formë të ndihmës”, argumentuan drejtues të saj, duke insituar se të tilla tërheqje të rreme siç i quajti ajo, nuk duhet të vazhdojnë të ekzistojnë më për një kohë të gjatë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button