Politika

Eurodeputetët: Situata në Shqipëri duket si në filmat kauboj

ccEurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein kanë artikuluar dje disa mesazhe të forta në adresë të politikës së Tiranës. Eduard Kukan ka pohuar se Parlamenti Shqiptar i kujton historitë me kauboj nga Perëndimi i Egër.

Duke iu referuar akteve kriminale dhe elementëve të inkriminuar në Parlament, eurodeputetët thonë se janë të alarmuar dhe shokuar.

“Po, por e dini çfarë, këto nuk janë hapa sistematike. Këto janë akte kriminale nga disa prej deputetëve. I fundit, z. Prenga po qëllonte me armë. Ndonjëherë më duket se dëgjojmë histori me kauboj nga Perëndimi i Egër kur flasim për Shqipërinë. Të më ndjeni, më vjen keq, por kjo është vërtet e tmerrshme. Reforma e drejtësisë është njësoj e rëndësishme, mendoj. Sa më shpejtë të zbatohet, aq më shpejt do ecte Shqipëria përpara”, ka pohuar Kukan.

Në këtë kuadër, eurodeputetët kanë kërkuar miratimin me urgjencë të ligjit për dekriminalizimin. “Unë mund të them se fakti që janë arrestuar tre parlamentarë, reflekton nevojën për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë sistematike. Pajtohem me faktin se këto hapa janë në drejtimin e duhur, por siç e tha dhe kolegu im, neve na nevojitet legjislacioni, i cili duhet të miratohet nga të gjitha partitë politike. Siç e dini, raportet e progresit, zakonisht, shkruhen që në gusht. Sigurisht, qeveria bën disa gjëra dhe ato merren parasysh, por është mjaft vonë me të vërtetë dhe është e nevojshme që në 4 javët e mbetura, ata të përdorin këtë kohë në mënyrë efektive. Sërish them se është në interesin e Shqipërisë. Oh, Zot! Sa herë do duhet ta përsërisim që ju jeni vend kandidat dhe tani hapi i radhës është data për nisjen e negociatave”, ka pohuar Kukan.

Eduard Kukan, eurodeputet: Ne kemi dëgjuar për akte kriminale nga deputetë shqiptarë. I fundit ishte zoti Prenga, që qëlloi mbi qytetarët. Kjo është e tmerrshme. Ka herë që në Shqipëri, situata duket si në filma me kauboj. Do më falni, më falni vërtet, por kështu duket.

Ju jeni dy eurodeputetët që keni ndërmjetësuar proçesin e dekriminalizimit me palën shqiptare. Ju cituat rastin Prenga, si rastin më të  freskët të deputetëve shqiptarë më të dhëna kriminale. A mendoni se ligji për dekriminalizimin është kthyer në një urgjencë nisur nga rastet e evidentuara në Kuvendin shqiptar dhe jo vetëm?

Eduard Kukan, eurodeputet: Është vërtet e rëndë të qëllosh mbi qytetarët dhe kjo e bën më urgjente zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe spastrimin e klasës politike, që të mos lejohen persona që kanë të shkuar kriminale që të marrin pjesë në jetën politike. Sa më shpejt që ky ligj të aprovohet, aq më mirë është për të gjithë.

Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë: I bashkangjitem asaj që u tha. Desha të shtoja që gjithë sistemi i drejtësisë duhet të reformohet dhe të  depolitizohet. Depolitizimi i institucioneve është pika më rëndësishme për mua, sepse nëse qytetarët kan besim te gjyqësori dhe nëse ata janë të vetëdijshëm që prokurorët dhe gjyqëtarët nuk janë të lidhur me politikën e kësaj apo asaj partie, ata do të guxojnë të denoncojnë raste në polici apo në prokurori.

Zoti Kukan ju thatë, që nuk mund ti cilësoni zgjedhjet vendore si të lira dhe të ndershme dhe dukej se zoti Fleckenstein nuk ndan të njëjtin mendim me ju. Përse?

Eduard Kukan, eurodeputet: Unë përmenda që raporti i OSBE/ODIHR është kritik. Unë thashë që kishte disa vlerësime pozitive dhe unë i përmenda ato, por kishte tepër shembuj parregullsish etj etj. Isha i gëzuar kur zonja Glover, shpjegoi se ata nuk e kanë përdorur  këtë terminologji, sepse në fakt, në asnjë faqe të raportit nuk gjendet shprehja : Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme » Prandaj, unë e vura në pah. Por ajo shpjegoi, se OSBE/ODIHR ka disa rregulla dhe kritere që përdor në këtë rast dhe ndoshta për këtë arsye, kjo frazë nuk gjendej në raport. Unë desha të tregoj që është e rëndësishme të jemi objektivë. Kur ka gjëra pozitive t’i themi dhe po ashtu të flasim edhe kur ka gjëra negative. Mua më duket se ka tepër gjëra negative në raportin e OSBE/ODIHR.

Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë: Ne në fakt jemi tërësisht dakort, vetëm që Kukan thotë gota është gjysëm plot, unë them që është gjysëm bosh. Pra, ne jemi dakort mbi gjysmën dhe që mbetet shumë punë për të bërë.

Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein kanë theksuar në komisionin e punëve të jashtme, se ata presin jo vetëm aprovimin e ligjit për dekriminalizimin, por edhe zbatimin rigoroz të tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button