Bota

A po e humb presidenti Obama Gjermaninë

merkel_obama_AFP-320x240Analiza

Pas dëbimit të përfaqësuesit të CIA-s nga Gjermania, duket se Uashingtoni nuk kërkon shkallëzim të mëtejshëm të përplasjes me Berlinin. Por pas kuintave, irritimi i amerikanëve është shumë i madh. “Është një sinjal alarmi për qeverinë amerikane për t’i bërë asaj të qartë se sa serioze janë gjërat në Gjermani. Ky qëndrim po zë vend me ngadalë në Uashington.” Kështu shprehet Michael Werz, nga Qendra Amerikane për Progresin (Center for American Progress) për “Deutsche Welle”-n. Vëzhguesit flasin prapa kamerave për një “valë shokuese”, që ka shkaktuar dëbimi i përfaqësuesit të CIA-s në Gjermani. Amerikanët me sa duket po ndihen të trajtuar si një “shtet armik”, dhe e justifikojnë këtë reagim të fortë të gjermanëve me presionin politik të brendshëm, nën të cilin ndodhet Kancelarja gjermane, Angela Merkel, që nga zbulimet e Edward Snowden-it. Uashingtoni zyrtar nuk ka bërë ndonjë prononcim zyrtar dhe thekson në formulime të përgjithshme se sa e rëndësishme është lidhja e partneritetit me Gjermaninë. Edhe kërkesës së Deutsche Welle-s, Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë të presidentit Barak Obama, Caitlin Haydn, i bëri të ditur “Deutsche Welle-s”, se bashkëpunimi i shërbimeve sekrete me Gjermaninë është i rëndësishëm dhe në interes të të dyja vendeve.

Dallgët e larta nuk preferohen

Nuk pritet që amerikanët të reagojnë në mënyrë dramatike. Me sa duket ata duan ta qetësojnë situatën, të fitojnë kohë, nëse do të ketë një shkallëzim të mundshëm me partnerin më të afërt në Europë, me qëllim që të përcaktojnë pozicionin e tyre. Siç dëgjohet nga qarqe të Uashingtonit brenda qeverisë së Obamës konkurrojnë pozicione të ndryshme. Në Departamentin e Shtetit ekziston frika për dëme të konsiderueshme, prandaj kërkohet më shumë vetëpërmbajtje. Por fraksioni i shërbimeve sekrete është kundër. Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara janë të “forta si mungesa e mirëkuptimit ashtu edhe tronditja për veprimet e Berlinit”, thotë eksperti Michael Werz me kontakte të shkëlqyera me Shtëpinë e Bardhë. Dëbimin e agjentëve ata e presin nga shtete me të cilat amerikanët nuk kanë marrëdhënie të mira.

Marrëdhënia më e rënduar se në kohën e luftës së Irakut

“Pala gjermane ka çuar në shkallëzimin e situatës, kjo madje ishte e qëllimshme, por ne e dimë se nuk duhet shkuar më larg se kaq!” – paralajmëron eksperti. Marrëdhënia bilaterale është madje më e tensionuar se në kohën e luftës së Irakut. “Asokohe mund të thuhej, ja ata janë Bushi, Cheney apo Rumsfeld – ata janë amerikanët e këqij.” Por sot zhgënjimi ndaj Obamës është shumë i madh. Edhe nga Kongresi Amerikan vijnë zëra kritikë. “Ne duhet të sigurojmë se Presidenti dhe qeveria e kupton sesa larg kanë shkuar punët”, tha deputeti demokrat, Tim Ryan për “Deutsche Welle”-n pas bërjes publike të rastit të dytë të spiunazhit. Edhe deputeti republikan, Charlie Dent, shprehet i shqetësuar për aktivitetet amerikane të spiunazhit në Gjermani. “Shqetësim se resurset e pakta dhe të kufizuara të shërbimeve sekrete çohen dëm, në një kohë që në botë ka vërtet kërcënime serioze.” Edhe në mediat amerikane janë reflektuar zhvillimet e fundit mes dy vendeve, megjithëse me një intensitet më të vogël se në Gjermani. Televizioni CNN raporton në lajmet kryesore për këtë skandal, ndërsa “Uashington Post” dhe “New York Times” hapin faqet e tyre online me informacione nga Gjermania.

Spiunazh – me gjithë bashkëpunimin

“Afera e NSA-së dhe aktivitetet e spiunazhit konsiderohen në Shtetet e Bashkuara si dy gjëra të ndryshme”, thotë eksperti Michael Werz. Përgjimi i celularit të Kancelares Merkel ka qenë një “budallallëk” i pafalshëm, siç sinjalizoi edhe Hillary Clinton para disa ditësh në Berlin. “Por fakti që shërbimet sekrete kryejnë spiunazh në Gjermani, me qëllim për të sqaruar, megjithëse brenda një marrëdhënieje të ngushtë, se informatat nga Gjermania u përgjigjen edhe fakteve të caktuara, shihet këtu si një gjë normale edhe mes miqve.” Ndërkohë “New York Times” arrin në përfundimin se marrëdhëniet gjermano-amerikane me dëbimin e përfaqësuesit të CIA-s nga Berlini kanë arritur pikën më kritike. Ata që e njohin Gjermaninë, thonë: Presidenti Obama gati po e humb Gjermaninë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button