Home / Arte / Libri / Jeta tjetër e Margaret Hasluck

Jeta tjetër e Margaret Hasluck

Etnologjia

Historia e studiueses angleze, Margaret Hasluck / Jeta në Elbasan përkrah Lef Nosit dhe kontributi në etnografinë e kulturën shqiptare …

Në vitin 2002, dy mbesat e studiueses udhëtuan nga Uellsi për në Elbasan, në kërkim të kujtimeve të mbetura aty të tezes së tyre.

Studiuesja angleze, Margaret Hasluck, kaloi shumë vite të jetës së saj në Elbasan. Në një miqësi të ngushtë me Lef Nosin, Hasluck studioi folklorin dhe traditat shqiptare. Elbasani do të përbënte një pjesë të rëndësishme të studimeve që janë botuar në librin e saj “Ligjet e pashkruara të shqiptarëve”. Në Elbasan, të gjithë e njohin si angleska, gruan që e deshi aq shumë këtë qytet, por edhe shqiptarët. Hasluck jetoi gjatë në Shqipëri duke u vendosur për më shumë se 15 vjet në Elbasan. Madhështia e Margaret Hasluck u errësua me dashje nga sistemi totalitar pas kërkesës publike që i bëri në pranverën e vitit 1946 diktatorit Enver Hoxha, për anulimin e dënimit me vdekje të Lef Nosit, patriot dhe atdhetar i flaktë. Ishte e njohur si etnografe, sociologe dhe hulumtuese.

Shqiptarët dhe bota homerike e Margaret

Margaret Hasluck (Mardie) lindi më 1885-n në Moraishirë të Anglisë. Ajo vinte nga familja fermere e bujkut skocez John Mardie. Shkollën e mesme e kreu në kolegjin Elgin Akademi. Studioi në Universitetin e Aberdinit. Duke qenë se ishte një studente e shkëlqyer dha provimet e Tripos në Universitetin e Kembrixhit. Që kur ishte studente, kishte kuriozitet për botën homerike, për të cilën kishte dëgjuar dhe mësuar në shkollë. Ndaj, më 1910-n nis punën si mësuese në British School në Athinë. Në moshën 27-vjeçare martohet më F. E. Hasluck, nëndrejtor i kësaj shkolle. Në vitin 1916, shpërngulet në Zvicër pas problemeve shëndetësore të të shoqit. Mbetet e ve në moshën 35 vjeçe, por vazhdon veprën e bashkëshortit, i cili ishte i shquar si etnolog. Kthehet në Angli dhe boton veprën “Manastiret e Malit Athos” në emër të burrit të saj. Vepra e F. E. Hasluck ia shtoi më tepër kuriozitetin për kulturën ballkanike. Suksesi i botimit të librit të të shoqit bën që të fitojë një bursë për të nisur hulumtimet nëpër Ballkan. Duke kaluar nëpër vijën e vjetër Egnatia, qëndron në Elbasan. Margaret kishte dëgjuar dhe lexuar për këtë qytet, i cili mbahej si vatër e dijes dhe e kulturës. Asaj i bën përshtypje mikpritja e banorëve dhe për këtë arsye vendos të ndërtojë rezidencën e saj në periferi, larg qendrës së Elbasanit. Ishte e dashur dhe e komunikueshme me njerëzit. Sipas më të vjetërve, “angleska e rremës” (kështu thirrej, për shkak se e kishte shtëpinë pranë një rreme uji) hynte e dilte lirisht në të gjitha shtëpitë e qytetit.

Zona e Shpatit

Zona e Shpatit për kulturën dhe trashëgiminë e pasur gjithashtu ka marrë një pjesë të rëndësishme të hulumtimit të studiueses angleze. Gjatë gjithë kohës, ajo shoqërohej nga Lef Nosi, duke u ndalur në një familje mjaft të njohur në Valësh, siç do të ishte familja e Konstandin (Sulë) Panxhit. Një mik i Lef Nosit, Sula nuk do të ishte rastësisht ndalesa e dy hulumtuesve. Ai ishte njohur me abetaren e Kristoforidhit, kishte vazhduar një shkollë profesionale dhe kushërinjtë e tij ishin bërë mësues të zonës së Shpatit, pasi kanë kaluar nga Normalja e Elbasanit. Familja Panxhi ishte e vetmja që kishte një shtëpi karakteristike në Valësh, shtëpi e cila priti Lef Nosin dhe Margaret Hasluck. Nipi i Sulës, Irakli Panxhi, sjell kujtimet e familjes për këtë ngjarje që ka mbetur në kujtesë dhe madje është përforcuar pas vizitave të mbesave të Margaret Hasluck pak vite më parë në Valësh dhe në të gjithë zonën e Shpatit, ku u ndal dikur zonja angleze që e deshi shumë Shqipërinë. “Kjo banesë këtu është shtëpi e vjetër e familjes Panxhi, e Kolës dhe Lef Panxhit, të bijtë e Konstandinit ose Sulë Panxhit i njohur si mik dhe vëlla gjaku i Lef Nosit. Shtëpia jonë është ndërtuar në vitin 1927 me tavan dërrase dhe dritare xhami, e vetmja me tavan druri në zonë duke ndjekur modelin e Elbasanit në atë kohë. Për hir të miqësisë me Lef Nosin, kjo familje priti në vitin 1938 Margaret Hasluck, për të studiuar kulturën e Shpatit. Kanë qëndruar për gjashtë javë në zonën e Shpatit. Margaret kishte një kalë, të cilin e ushqente me tagji dhe kallam sheqeri. Këtë na e ka treguar gjyshi, pasi mamaja ime ka qenë dy-tre vjeçe. Gjatë drekës, ata qëndronin në një çadër, ku shkruanin e shikonin harta, studionin kulturën dhe zakonet e zonës së Shpatit.

Vizita e mbesave të Hasluck

Në vitin 2012, nga Uellsi kanë udhëtuar për në Elbasan dy mbesat e Margarat Hasluck. Ato kishin informacion të plotë për të gjitha hulumtimet që Hasluck kishte kaluar në këtë pjesë të jetës së saj. Mbesat e saj përshkuan një pjesë të rrugës dhe familjeve ku kishte qëndruar. Në dorëshkrimet e saja, kishte shkruar edhe për familjen Panxhi. Ishin të bijat e motrës së Margaret dhe njëra mbante emrin e saj. “Panë banesën, madje i thanë mamasë që ne dimë më tepër nga ty për historinë e kësaj familjeje, sepse Margaret Hasluck i ka shkruar. Unë insistova që nëse keni mundësi të na jepni diçka, sepse doja të mësoja. Ajo shumë shpejt tha se do të botojmë të gjitha dorëshkrimet që ka lënë Margaret për zonën e Shpatit”, tregon Panxhi.

Kush ishte Konstandin (Sulë) Panxhi?

Konstandin Sulë Panxhi ishte i biri i Ymer Panxhit. Ymeri ka qenë ndër fisnikët e zonës së Shpatit. Kishte miq disa familje në Elbasan. Qysh në moshë të vogël, Ymeri e merrte Sulën me vete. Miqtë i kishte në Kala dhe qëndronte shpesh atje. Sula studionte abetaren e Konstandin Kristoforidhit dhe më pas filloi t’u mësojë moshatarëve të tij shkrim e këndim. Disa të rinj të zonës së Shpatit dhanë provim në shkollën Normale, si Kodhel Dedja dhe u bënë mësues të shqipes. Sula nuk dha provim për mësues, por për gjeometër, ndërkohë kushërinjtë e tij vazhduan mësues. Sulë Panxhi ishte afër Lef Nosit. Sula ka studiuar dy vjet në Rumani për biznes. Siç e dimë nga gjyshi, Margaret Hasluck qëndroi bashkë me Nosin nga viti 1922 deri në ’39-n dhe Lefi mësoi shumë, sidomos gjuhë të huaja. Konstandin (Sulë) Panxhi më pas krijoi biznesin e shfrytëzimit të lëndës drusore duke blerë 220 ha pyll në malin e Zeleshnjes dhe filloi biznesin e drurit e dërrasës. Vendosi pesë sharra dhe punësoi nipërit e vet që u mbeti mbiemri më pas Sharra. Lëndën drusore e tregtonte në disa qytete dhe transportin e bënte me kafshë. Kishte 40 mushka. Kishte sekretar Cane Sharrën, i cili i mbante çantën dhe bënte ekonominë e Sulë Panxhit. Në këtë biznes, mesa dimë, kishte pjesë edhe Nosi. Më vonë, pasi e shfrytëzoi pyllin, në livadhin e mbetur, banorët e fshatit Valësh shkonin dhe kullosnin te livadhet e tij. Sula kujdesej për fshatin, pasi ishte kryeplak pas vdekjes së të atit. Më vonë fshatarët i bënë një kërkesë që t’i bënte pjesë te livadhi. Ai regjistroi 30 familje autoktone të asaj kohe që u bënë bashkëpronarë në pjesën e malit të Valëshit, që figuron edhe sot në hipotekë në një sipërfaqe prej 220 ha. Por Sula përdori edhe njohuritë e tij, duke investuar për ujin ose rremën nga Labinoti që kalonte në Ullishtën e Elbasanit deri në Bradashesh. Ai e projektoi dhe e realizoi vetë. Banorëve që përdornin ujin u merrte një farë takse. Kjo rremë u bë shkak për zili në zonë nga një banor i Labinotit, që siç duket i mashtroi fshatarët dhe kërkoi eliminimin e Sulës. Sula vritet në rrugën për në Shijon, ku kishte shkuar për të blerë mushka, duke pasur një fund tragjik.

Nga Bardha Ndregjoni

Historiani 

Studimet e Hasluck me vlera për zonën

irakli panxhi_1Filip Bërdufi, mësues, historian dhe i pasionuar pas zonës së Shpatit, shprehet se kanë qenë vlerat e zonës së Shpatit që e kanë sjellë Margaret Hasluck dhe Lef Nosin që të studiojnë me imtësi kulturën dhe traditën e kësaj zone.

  1. Bërdufi, çfarë vlerash mbart zona e Shpatit që ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e studiuesve? 

Valëshi është një ndër fshatrat më të rëndësishëm të krahinës së Shpatit që shpalos vlera historike, kulturore dhe natyrore. Në veri të fshatit, mbi shkëmbin gëlqeror, gjenden rrënojat e kalasë ilire dhe pranë saj rrënojat e shumta të njohura si Qyteza. Në shekullin XVI, Valëshi ishte kryeqendra e krahinës. Me vlera të veçanta është kisha e Shën Premtes e zbukuruar me afreske nga piktori i madh shpatarak Onufri në vitin 1554. E tillë ka qenë dhe kisha e Shën Nikollit e ndërtuar në vitin 1604 dhe shpallur monument kulture, por çuditërisht e prishur nga fundi i viteve ’80 nga drejtuesit e kooperativës bujqësore të asaj kohe. E njëjta gjë po ndodh edhe sot me kishën e Shën Premtes, afresket e së cilës u shkatërruan barbarisht nga njerëz “të panjohur”, që shteti ynë nuk është në gjendje t’i gjejë. Valëshi është vendlindja e Papa Totasit, që na ka lënë dy alfabete origjinale të gjuhës shqipe të shekullit XVII dhe e piktorit të shquar Kostandin Shpataraku, shekulli XVIII. Një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë valshakët në luftën për liri dhe pavarësi kundër pushtuesve osmanë, nga çetat luftarake të drejtuara nga Ymer Dervishi. Patriotët valshakë arritën që të çelnin një shkollë greqisht në vitin 1898, ku mësohej edhe gjuha shqipe klandestine. Kur u dha leja për çeljen zyrtare të shkollave shqipe, valshakët dërguan në klubin “Bashkimi” në Elbasan, djem që kishin mësuar shqipen në mënyrë klandestine në Valësh, dy nga të cilët u emëruan mësues për shkollat e Shpatit në tetor 1908.

Çfarë ka lënë si studime Hasluck për zonën e Shpatit?

Etnografia dhe sociologia angleze, Margaret Hasluck, në studimet e saj mbi ligjin e pashkruar shqiptar ka lënë një material me vlera për krahinën e Shpatit mbi organizimin politiko-shoqëror të fshatrave të krahinës së Shpatit, organizimin administrativ dhe ushtarak, banesën dhe organizimin patriarkal për familjen, vëllazërinë, fisin, kufijtë e fisit, fshatit, kullotat, livadhet, pyjet etj.

Ju keni mundur të takoni mbesat e Hasluck. Çfarë kujtimesh keni ruajtur?

Kishin ardhur për t’u njohur me vendet ku kishte kaluar dhe qëndruar Margaret. Kur erdhën në gjimnazin “Kostandin Shpataraku”, mbasi biseduam për qëllimin e ardhjes dhe ndihmën që kërkonin nga shkolla jonë, ato u përballën me një surprizë të këndshme, kur iu prezantua një nga nxënëset e gjimnazit, Ana Oga, si një nga trashëgimtaret e familjes ku ka qëndruar Margaret Hasluck dhe komunikuan në gjuhën angleze. Pas dy viteve, ato erdhën sërish dhe vizituan shtëpinë ku kishte bujtur Margaret e shoqëruar nga Lef Nosi.

Megjithëse Shpati ka pasur rëndësi studimi, sërish vepra të botuara ka pak. Pse ka ndodhur kjo?

Shpati ruan asete të rëndësishme historike, arsimore, kulturore, tradicionale, natyrore, si dhe një folklor të pasur. Politikat shtetërore si para viteve ’90 dhe pas ka qenë një politikë diskriminuese për zonën e Shpatit. Faktet janë të shumta, por nuk është rasti që të analizojmë këto qëndrime politike nga ana e shtetit.

Rezidenca e Hasluck, tani shtëpi për fëmijët jetimët

Sipas më të vjetërve të lagjes përreth, shtëpia e Margaret u ndërtua nën kujdesin e Vait Sinanit, funksionar lokal për urbanistikën në atë kohë. Pamja e jashtme dhe konfigurimi i brendshëm është një model tipik i ndërtimeve angleze të asaj periudhe. Vetë Hasluck dha idenë e projektit të ndërtesës. Margaret kërkoi që rezidenca të ndërtohej në periferi të qytetit, në një vend të qetë pranë një rreme uji. Banorët tregojnë se ajo kujdesej në mënyrë të veçantë për banesën e saj. Në oborr ndërtoi një mozaik, i cili ka mbetur origjinal deri në ditët e sotme. Ndërsa kopshtin përreth e mbolli me lule dhe pemë. Sipas të dhënave, shtëpia u sekuestrua nga shteti menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë kohës së diktaturës, rezidenca e studiueses së famshme shërbeu si jetimore dhe si laborator zoologjik. Në vitin 1993, çifti anglez Michael e Judi Smith, çelën jetimoren që e pagëzuan me emrin “Shtëpia e Shpresës”. Ajo ishte jetimorja e parë e çelur nga të huajt pas ndryshimeve demokratike. Çifti Michael e Judi Smith drejtuan jetimoren deri në vitin 2002. Pas largimit të tyre, shtëpia u mor nën kujdestarinë e Kristinë Debenham. Zj. Debenham u largua para ca kohësh dhe tani “Shtëpia e Shpresës” i mbetet institucionit vendor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.