Maqedonia

Gaz lotsjellës ndaj nxënësve shqiptarë në Shkup

Dhjetra nxënës shqiptarë dhe disa profesorë të Shkollës së Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Toksikologjisë mbrëmjen e së mërkurës për shkak të problemeve me frymëmarrjen dhe djegieve të syve dhe fytit.

Disa nga nxënësit thonë se janë helmuar nga një person i cili ka hedhur gaz lotsjellës brenda objektit të shkollës.

Policia e ka konfirmuar këtë rast. Sipas informacioneve të para, gazin e kanë hedhur dy persona, të cilët më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Nga analizat e bëra, mjekët thanë se nuk kanë arritur të identifikojnë llojin e gazit. Ata informojnë se gjendja e nxënësve është e qëndrueshme dhe shumica prej tyre kanë dalë nga spitali.

Mjeku Nestor Popovski u shpreh: “Askush nuk është sjellë në gjendje të rëndë, të gjitha rastet kanë qenë të lehta. Dua të them se nuk janë të gjithë nxënësit vetëm të një nacionaliteti, ka nxënës maqedonas, shqiptarë dhe boshnjakë. Unë mendoj se helmimi nuk ka prapavijë politike. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë ne nuk e dimë, por sipas meje mendoj se bëhet fjalë për lojra fëmijësh”.

Menjëherë pas këtij rasti, nxënësit dhe profesorët janë vizituar nga ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi, kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski dhe drejtoresha e shkollës, Jovanka Asprovksa, të cilët janë interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore. Megjithatë, ata pas vizitës nuk kanë pranuar të flasin për incidentin e rëndë.

Ndërkohë, një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme ka thënë se ekipet e policisë po punojnë për zbardhjen e rastit, por nuk kanë folur për shkaqet e incidentit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button