Politika

Punësimi në Gjermani, Rama-Hoffman: Ndiqni rrugën ligjore

“Nëse dikush dëshiron të punojë në Gjermani, mos kërkoni azil politik se kjo është rruga më e keqe e mundshme, por drejtohuni të tjerë projekteve të organizuara ligjore”. Kështu ka deklaruar ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman në çeljen e programit të trajnimit të infermierëve që dëshirojnë të punësohen në Gjermani.

“Ne mendojmë që kjo do të jetë një mënyrë e mirë për të ndihmuar dhe për të zgjidhur problemet e këtyre azilkërkuesve të pashpresë. Kështu që mbetet detyrë e secilit prej jush të përpiqet në mënyrë profesionale dhe ligjore dhe të mos u drejtoheni ambasadës gjermane për azil politik, por për punësim të organizuar ligjor”, tha Hoffman.

Në të njëjtat linja, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, “Ëndrra për të punuar dhe jetuar në Gjermani mund të bëhet përmes rrugës së ligjshme”.

Problemi i azilkërkuesve është shumë kompleks, ka vlerësuar Rama, “por ka një dallim thelbësor mes nesh dhe personave nga vendet në konflikt që kërkojnë azil”, ka vijuar ai.

Shefi i qeverisë është shprehur se arsimi profesional është rruga e duhur për t’u punësuar në vendin lider të Evropës, “por ndër vite ai u katandis si mos më keq”.

“Arsimi profesional u katandis shumë keq për 20 vjet. Por arsimi profesional është porta që çelet për të qenë pjesë e programeve në Gjermani”, ka thënë Rama.

“Shanset për të marrë azil në Gjermani janë zero, ndërsa shanset për punësim janë të pafundme”, ka shtuar kryeministri.

Mbi 200 infermierë do të marrin pjesë në një kurs trajnimi për të pasur një mundësi punësimi të paktën 2-vjeçar në Gjermani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button