Politika

Kryeministri Rama pret studentët serbë, “I keqardhur për incidentin me autobusin e Kombëtares serbe”

aaKryeministri Edi Rama ka pritur sot 60 studentët ekselentë serbë, të cilët do të ndjekin ndeshjen Shqipëri-Serbi, që luhet këtë mbrëmje në “Elbasan Arena”.
Në fjalën e tij kryeministri Rama e vuri theksin tek rëndësia e mesazhit që duhet të përcjellë kjo ndeshje e që sipas tij duhet të jetë “Ballkani i transformuar”.

“Shqipëria dhe Serbia mund të bëjnë për Ballkanin atë që Franca dhe Gjermania bënë për Evropën. Ballkanin e duam evropian dhe rrënjësisht të transformuar”, ka thënë Rama.
Duke mos e fshehur që është një ndeshje me emocione shumë të forta Rama nënvizoi nevojën e fqinjësisë me përfitime të mëdha reciproke për njëri tjetrin.
Gjithashtu u shpreh i keqardhur për incidentin duke deklaruar se ishte një fëmijë 14- 15 vjeçar i cili qëlloi me gur autobusin
“Ky takimi i parë në histori mes njerëzve të zakonshëm të dy vendeve tona.  S’jemi më armiq, përkundrazi. Në fushën e futbollit jemi kundërshtarë në fushën e gjërë të jetës sonë të përbashkët duam të jemi miq. Më vjen shumë keq që dje një djalë 14- 15 vjeçar hodhi një gurë drejt autobusit të skuadrës kombëtare të Serbisë, dhe kjo tregon sesa shumë ka ende për të bërë dhe se pavarësisht se gjenerata tjetër, e juaja,  mbart me vete etjen e madhe për ndryshim dhe sjell me vete ëndrrat e një bote të re, rreziku i nacionalizmit, i  frymës së urrejtjes e përjashtimit është i pranishëm gjithmonë edhe brenda çdo gjenerete tjetër.”- tha Rama.
Rama u shpreh i sigurtë për vazhdimin e projektit me studentët duke i uruar t’ia kalojnë mirë në Tiranë dhe kur të kthehen në Serbi të flasin mirë për Shqipërinë.
“Shqipëria është një vend ku është vështirë të vish për herë të parë, por kush vjen do gjithmonë të rikthehet. Jam i sigurt që ju do mendoni të riktheheni”- theksoi kreu i ekzekutivit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button