Home / Arte / Hamleti “transgender” dhe dublikimi i vuajtjes shekspiriane

Hamleti “transgender” dhe dublikimi i vuajtjes shekspiriane

Nëse sytë e ushtarëve Shekspiri i çon drejt spektrit të një fantazme ominioze të armatosur, regjisori Enke Fezollari e çon vështrimin e tyre drejt ndriçimit të një prej llambave skenike, ndërsa princi Hamlet qëndron i kthyer më shpinë në të majtë të tyre. Ky realizim është menduar për fillimin e “Hamletit” të Uilliam Shekspirit në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Mungesa e elementeve skenike, që lënë aromën e vdekjes apo që ilustrojnë misterin e saj, ndihet dukshëm dhe pritet të zëvendësohet nga ndriçimi konstant i një llambe… Qysh në fillim publiku e ka të vështirë atë çka nget sytë, apo sytë e mendjes së personazheve.

Nëpërmjet Luizës, përmendet gjithë tragjedia e shpirtit

Dhimbja e një nëne dhe ajo e një biri dublikojnë përvuajtjen shekspiriane në monologët e princit Hamlet. Heshtje e thellë në sallë. “Oh, trupi tepër, tepër i shëndoshë. Si vesë të më shkrinte, të më terej! Oh sikur Zoti të mos kishe venë ndalim për vetëvrasjen! Zot, o zot! Sa i mërzitur, sa bajat, pa shije. Më duket çdo zakon i kësaj bote!”. Dhe ja një princ bir, jeta e të cilit errësohet nga tradhtia e nënës mbretëreshë dhe ungjit vëllavrasës, shpërthen në këtë monolog. Nëpërmjet ritakimit të një aktori të vetëm me vetveten, një dyzim i Luizës mes dy botëve, të gjallës dhe të vdekurës. “O qiell! O dhe! E ç’të shtoj tjetër vallë? O ferr! Oh, trup! Qëndro, qëndro moj zemër dhe ju, o muskula, mos m’u zbërtheni, por mbamëni në këmbë”.

Pas ndërgjegjes, tanimë ka të drejtë dhe detyrë të çlirojë vendin (Danimarkën) e tij nga një tiranë gjakatar. Dhe nëpërmjet Luizës në këto vargje përmendet gjithë tragjedia e shpirtit. “Kjo botë, u shthur; o përparësi, o dreq! Që unë pakam lindur të të ndreq”. Në aktin e dytë, ndryshe nga sa pritej, dramaticiteti rritet në mënyrë të zbehtë. Nëse pritej të shfaqej një Hamlet i transformuar me pamje të mëshirët, e të lajmëronte tmerrin që po afron, te Hamleti i këtij regjisori, vihet re vetëm “rrobëzbërthimi” dhe një pëshpëritje e lehtë e flokëve. Në aktin e tretë kemi një nga shpërthimet shekspiriane, të shkrirë në një nga monologët e Hamletit.

Ndërsa në monologët shekspiriane të interpretuara nga Luiza, mbizotëronte heshtja e publikut, e thellë kjo heshtje, sikur ata të konfirmonin se kjo dhimbje bëhej edhe e tyre. Mungesa e armëve që princi Halmet vret Polonin (të atin e Ofelisë), vajzës së cilës i kishte shprehur ndjenjat e tij, dhe mbretin ndihet. Nga regjisori është përzgjedhur një grusht zhavorr. Por pikërisht një të tillë ai e hedh sipër kokës në një nga shpërthimet e tij, çka e bën këtë gjetje të dobët… Një përvuajtje Hamletiane, që pa e pasur në dorë mund të na përzgjedhë të bëhemi pjesë e një fati të keq, pa pasur asnjë faj. “Të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja; Më lart është vallë të durosh. Hobe, shigjeta fati të tërbuar. A të përballësh një det të turbull helmesh. Me arm’ e fund t’u japsh. Të vdeç, të flesh”.

Mbreti nuk arrin dot mishërimin e intrigave, mbretëresha e kishte vrarë “vrasësen”

Mbreti i Danimarkës (Klaudi, Xhino Musollari) vjen me një sjellje të ngurtë, që nuk arrin t’i jap dinamizëm ligësisë së vëllavrasësit, që po përgatiste edhe vrasjen e nipit. Tonaliteti i ultë të jepte përshtypjen sikur rrëfente. Shprehitë e tij duhet të ishin më të gjalla, që të arrihej mishërimi i intrigave të tij.

Mbretëresha burrëvrasëse e luajtur nga Ina Gjoni, me zërin e saj të dobët dhe lëvizjet e mefshta e kishte vrarë “vrasësen”. Loja e saj ngjasonte me një sjellje anemike, që nuk mund t’ia vishje as me zor mbretëreshës Gerturdë.

Ofelia, e lumtur apo e trishtë?!

Ofelia (Ermira Hysaj), zëri i së cilës nuk përshtatej me atë të një vajze në lule të rinisë. Hera-herës dhe fjalët e ëmbla, të ngjasonin me britma të sajat, kur ajo bërtiste nuk arrije ta dalloje qartë, gjithë kohës ishte e njëjta. Të njëjtën sjellje e kishte ndaj të vëllait, Laertit (Kristian Koroveshi) dhe princit Hamlet. Lëvizjet e saj, mimika nuk ishin ato të një vajze të re të dashuruar. Gjuha e trupit nuk fliste për çmendinën e saj.

Vëmendja e publikut te Poloni, Rozenkraci dhe Gildensterni

Ndryshe ishte interpretimi i aktorit Andi Begolli (Poloni), i cili me paraqitjen e tij skenike dhe gjestualitetet që bënte, i jepte ritëm shfaqjes, duke e mbajtur vëmendjen e publikut të fokusuar në lojën e tij aktoriale. Me plastikën dhe sidomos shikimin e tij, ai arrinte të ndërvepronte në sallë, duke krijuar ndjesi pozitive.

Gjetje me vend ishte dhe përzgjedhja e dy oborrtarëve, Rozenkracit dhe Gildensternit (Anderson Gurra dhe Endri Çela), një interpretim i shkëlqyer i këtyre dy aktorëve dytësorë, saqë publiku i ndjente, sikur të kishin arritur të ringjallnin personazhet e Shekspirit. Të qeshurat apo pasthirrmat e tyre e treguan këtë më së miri.

Edhe tek oficerët shekspirianë, të cilëve regjisori u kishte dhënë për të interpretuar role të shumëfishtë dytësorë, mbizotëronte veshja lëkurë në të zezë. Por eksperimentimi në këtë “teatër eksperimental” nuk mbaronte këtu, muzika “Love chord” nga Paco Angel, “Sweet and tears”, Asaf Avidan and The Mojos apo “Samson e Dalila” nga Maria Callas. Një stonim tjetër vjen dhe nga ndërfutja një polifonie labe, që nuk arriti të gjente vend në lojën e personazheve.

Elementet e antikitetit, për të cilat edhe Noli është kujdesur në përkthimet e tij, vijnë të zbehura dhe të gërshetuara keqaz. Në mbyllje, gjatë aktit të helmimit të princ Hamletit dhe mbretëreshës, vihet re mungesa e gotave, një detaj për të cilin mund të ishte gjetur një zgjidhje e thjeshtë. E së fundmi, si në të gjitha shfaqjet nuk mungoi as fenomeni i interferencave të shkaktuara nga zilja e celularit, që bezdis qoftë aktorët ashtu dhe publikun. Ndoshta edhe për këtë duhet bërë më shumë për ndërgjegjësimin e tyre, një thirrje para shfaqjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.