Home / Presidenciale / Nishani reagon ndaj Ramës: Do mbetesh i palumtur në ambicien për pushtet të pakufizuar

Nishani reagon ndaj Ramës: Do mbetesh i palumtur në ambicien për pushtet të pakufizuar

Nishani1-320x185Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka replikuar me kryeministrin Rama, dy ditë pas raportimit 300 ditor të qeverisë, ku ky i fundit deklaroi se nuk është i lumtur me Presidentin Nishani, me Prokurorinë dhe me KLD-në.

Përmes një deklarate për shtyp, Nishani ka reaguar thënë se Rama do të mbetet i palumtur në ambicien e tij për pushtet të pakufizuar.

Një qëndrim “dhëmbë për dhëmbë”, që dëshmon edhe një herë se “beteja” për KLD-në do të vazhdojë.

Teksti i plotë i deklaratës së Presidentit Nishani

Nisur nga një adresim i pa vend dhe i pa argumentuar i Kryeministrit të vendit ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës, në datën 14 korrik 2014, dëshiroj të përcjell tek qytetarët shqiptarë, mospajtimin tim me këtë standard të kulturës politike dhe komunikimit ndërinstitucional.

Aspirata për lumturi është një e drejtë legjitime e çdo qytetari të Republikës tonë e po kaq është e tillë edhe për Kryeministrin e vendit dhe anëtarët e qeverisë së tij.

Por në qoftë se këtë dëshirë të hershme e universale të humanizmit Kryeministri e sheh të projektuar në horizont duke cenuar Kushtetutën e vendit, institucionet e pavarura si dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Presidentit të Republikës, atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste.

Shqipëria është ndarë njëherë e përgjithmonë nga mendësi të tilla.

Sistemi politik i themeluar mbi demokracinë dhe shtetin ligjor me Kushtetutën si garant e udhë rrëfyes, shoqëria shqiptare e cila tashmë ka kaluar sprova të mëdha në kërkim të lirisë dhe konsolidimit të saj, procesi integrues dhe vetëdija evropiane e popullit tonë nuk e lejojnë një gjë të tillë.

Unë e kam pranuar dhe e ushtroj detyrën e Presidentit të Republikës si përgjegjësi sublime ndaj vendit dhe popullit tim duke pasur referencë të patjetërsueshme ligjet e këtij vendi dhe qëllim progresin e gjithanshëm të tij dhe sigurisht jo trishtimin, melankolinë apo lumturinë e politikanëve të veçantë.

Punoj çdo ditë me këtë bindje, indiferent ndaj presioneve, por i keq ardhur për burimin e tyre.

Siç jeni të informuar nga mediet çdo ditë Kryeministri dhe qeveria e kryesuar prej tij përgatisin projekt ligje dhe votojnë ligje që cenojnë kompetencat e Presidentit të Republikës në kërkim të një pushteti të pakufizuar.

Institucionet dhe marrëdhënia e detyrueshme ndërmjet tyre në një sistem demokratik funksionojnë në bazë të ligjit dhe Kushtetutës e jo të etikës dhe emocioneve personale.

Natyrisht edukata dhe komunikimi qytetar janë të vetëkuptueshme.

Kur Kushtetuta dhe Ligji preken në shërbim të pushtetit në raport me shtetin atëherë nuk ka vend për t’u mburrur në emër të kortezisë që tingëllon hipokrizi.

Presidenti i Republikës nuk kërkon dhe as pranon fasadën e etikës, por kërkon dhe nxit etikën e ligjit dhe respektin institucional.

Këtë qëndrim nuk e mban për egon e tij personale, por për liritë dhe të drejtat e njeriut , standartet demokratike që rrezikohen kur tendenca për të goditur institucionet e pavarura po shquhet gjithnjë e më shumë.

Shqiptaret kanë nevojë për të vërtetën dhe jo iluzionin e saj që është manipulimi.

Qeveria mesa duket dëshiron një President, një prokuror, një sistem drejtësie dhe KLD jo të reformuar, por të komanduar nga Kryeministri.

Ëndërr e keqe kjo! Vizion i frikshëm.

A jemi të gatshëm si shoqëri që ta bëjmë të lumtur Kryeministrin duke i dhënë pushtet të pakufizuar!?

Unë mendoj se jo, ndonëse njerëzisht i uroj çdo të mirë dhe lumturi të plotë.

E siguroj atë dhe këdo tjetër se do të vazhdojë të mbetet i palumtur në ambicien politike për të grumbulluar rreth vetes pushtet të pakufizuar në kurriz të demokracisë shqiptare.

Do të mbetem në çdo moment të punës time besnik i Kushtetutës dhe interesave të bashkatdhetarëve të mi e nëse ky qëndrim i imi bën të palumtur ndokënd që dokumentin themelor të shtetit e sheh si pengesë për të pasur pushtet absolutist, atëherë jam i lumtur, sepse i kam shërbyer mirë vendit tim.

Leave a Reply

%d bloggers like this: