Opinion

Megjithatë në Ballkan nuk do të ketë konflikt

Mediat në rajon e interpretojnë deklaratën e Merkelit kështu: “Sikur Gjermania të mbyllë kufijtë, në Ballkan do të ketë luftë”. Por ky mesazh nuk u drejtohet ballkanasve, por opinionit gjerman, mendon Dragoslav Dedovic.

Çfarë tha saktësisht Angela Merkel? “Nuk dua që atje (në Ballkan) të bëhen përsëri të domosdoshme konfrontimet ushtarake.” Kancelarja gjermane shtoi: “Nuk po bëj parashikim negativ, por gjërat ndodhin më shpejt nga ç’e mendon njeriu, një zënkë kthehet shpejt në akt dhune dhe një akt dhune kthehet shpejt në diçka, që askush nuk e dëshiron.”

Por prisni, para se të filloni të blini konserva, miell dhe vaj, për… mos e dhëntë Zoti. Të mendojmë fillimisht se ku e ka thënë këtë kancelarja gjermane. Në takimin e organizuar nga partia e saj. Pra, mesazhi nuk i është drejtuar njerëzve në Ballkan, por opinionit gjerman, në radhë të parë bazës së partisë së kristiandemokratëve. Shumica e bazës është e zemëruar me “mamanë”, siç e quajnë prej kohësh me dashuri kancelaren.

E përse është zemëruar shtresa konservatore? Sepse Angela Merkel jashtë rregullave lejoi refugjatët sirianë të kalojnë kufirin austriako-gjerman, duke refuzuar ngritjen e gardhit me gjemba si kryeministri hungarez Viktor Urban.

Çfarë ka nënvlerësuar kancelarja?

Unioni Kristiandemokrat gjerman (CDU) është parti e rendit dhe ligjit, skeptike ndaj migracionit dhe që në ideologjinë e partisë ka edhe fjalinë, të cilën e ka shprehur dikur pikërisht Merkel:Multikulturalizmi ka dështuar. Dhe tani pikërisht kjo kancelare mendon që është e pamundur të pengohen me gardhe njerëz, që kanë vendosur të ikin nga e keqja dhe të vendosen aty ku ka liri. Ajo përsërit mantrën e saj: Do t’ia dalim mbanë. Madje edhe kur është e qartë, se deri në fund të vitit në Gjermani do të vijnë një milion refugjatë. Angela Merkel ka nënvlerësuar disa gjëra:

Dragoslav Dedovic
Dragoslav Dedovic

Në radhë të parë, optimizmi i saj e ka irrituar partnerin e saj edhe më konservator në koalicion qeveritar, Horst Seehofer, i cili udhëheq versionin bavarez të kristiandemokratëve, Unionin Kristian-Social (CSU). Ai kërkon mbylljen e kufijve, zona tranziti prej nga njerëzit, që nuk kanë dokumente dhe që vijnë nga “vendet e sigurta”, të kthehen menjëherë në shtëpi. Duket se gjithnjë e më shumë gjermanë mendojnë si Seeohofer. Në skajin e djathtë të spektrit politik populistët si partia Alternativa për Gjermaninë fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje. Dhe njëra nga parimet e konservatorëve bavarezë është që më djathtas se partia e Seehoferit nuk duhet të ketë vend për asnjë opsion tjetër. Prandaj përgjigja e Seehoferit ndaj humanizmit universal të partneres së tij në koalicion do të ishte ndezja e dritës së djathtë të makinës dhe një grindje plot vrer në koalicion.

Së dyti kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE e kanë lënë kryesisht në baltë, duke mos dashur të marrin përsipër një pjesë të barrës, disa e akuzojnë madje për “imperializëm moral”, sepse është bërë “nëna e refugjatëve”.

Së treti thëniet e saj, se nuk ekziston një limit për mbrojtjen e të përndjekurve politikë dhe të rrezikuarve nga lufta të garantuar me kushtetutë, është e saktë, por mund të jetë për të fatale. Sepse në Gjermani dhe në Evropë atë e akuzojnë se me këtë në mënyrë direkte thërret sirianët nga kampet e refugjatëve në Turqi, Liban dhe Jordani, që të vijnë në Gjermani.

Refleks mbrojtës

Se sa e vetmuar është Angela Merkel në rrethin e saj konservator mund të shihet edhe nga fakti se ish ministri grek i Financave Janis Varoufakis, po ai që para pak kohe e shihte Merkelin si personifikim të së keqes kapitaliste, u shpreh tani se është krenar për Angela Merkelin për shkak të qendrimit të saj në krizën e refugjatëve. Kur kancelaren kristiandemokrate e lavdëron një i majtë i betuar, ndërsa pasuesit e saj konservatorë ankohen gjithnjë e më hapur, atëherë pozita e saj nuk është e favorshme.

Prandaj paralajmërimi për konflikte të mundshme në Ballkan vjen nga refleksi mbrojtës i Angela Merkelit. Ajo në fakt i thotë bazës së saj: Nëse nuk pranojmë refugjatët, do të ketë luftë. Kjo është një përpjekje për një shantazh moral, që krijohet kur gruaja më e fortë në botë, ndodhet në zgrip.

Jo sërish luftë në Ballkan?

Merkel sërish e ka nënvlerësuar efektin e fjalëve të saj jashtë Gjermanisë, kësaj radhe në Ballkan. Sepse kur një person kaq i pushtetshëm paralajmëron se lufta është në domenin e së mundurës, atëherë qytetarët në shtetet e Ballkanit, në të cilat luftërat e viteve nëntëdhjetë në planin mental nuk janë përfunduar ende, ndoshta e besojnë. Jo se do t’u turren dyqaneve, të boshatisin raftet e të mbushin bodrumet, por krahas halleve të përditshme njerëzve mund t’u hyjë frika, se mos na gjejë përsëri ndonjë katastrofë?

Jo. Sikur Gjermania të mbyllë kufijtë, atëherë sipas sistemit të dominove, që bien, do t’i mbyllin të gjithë – nga Austria, te Kroacia, Serbia dhe Maqedonia. E as anëtarët e paktit të Atlantikut të Veriut, Greqia dhe Turqia nuk do të marrin kopaçet kundër njeri-tjetrit.

Lufta në ish-Jugosllavi jeton ende si traumë. Por nuk ka një logjistikë ideologjike, ekonomike dhe ushtarake, prandaj është e pamundur të ripërtërihet. Kjo është vetëm “mamaja” e frikësuar, që atëherë frikëson edhe fëmijët e saj. Por fëmijët e varfër të fqinjit, kanë menduar se iu drejtohet atyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button