Home / Opinion / Edhe Presidenti zgjidhet nga Parlamenti, jo më anëtarët e KLD-së!

Edhe Presidenti zgjidhet nga Parlamenti, jo më anëtarët e KLD-së!

Reforma e nisur në sistemin malinj të drejtësisë terminale shqiptare ka hyrë në hullitë e diskursit kushtetues, duke prekur dhe duke hedhur dyshime të frikshme në parimet universale të demokracisë.

Parimisht dhe personalisht, jam kundër përdorimit të panevojshëm të ilaçeve në raste të mirëfillta klinike, por kur kemi të bëjmë me sëmundje të rënda dhe degraduese, nuk hyjnë më në punë “hajmalitë” demokratike, por pilulat e hidhura.

Rasti simptomatik i KLD-së e kërkon një ndërhyrje radikale iminente.

Nuk jam i sigurt, nëse preket apo jo pavarësia e këtij institucioni, që gjithsesi nuk besoj se është i pavarur, dhe këtu thënë troç, kemi të bëjmë me dopjogjashtat e politikave djallëzore të Berishës ndër vite, i cili ka punuar sistematikisht për këtë ditë dhe për ta shpavarësuar këtë institucion drejt instrumentalizimit të tij prej pushtetit të ish-kryeministrit mëkatar.

Anëtarët e KLD-së, ata që zgjidhen nga Parlamenti, janë aty ose nuk janë, në varësi të vullnetit të shprehur politik të këtij institucioni, rrjedhojë e sovranitetit të deleguar nga votuesit shqiptarë, përmes proceseve të certifikuara demokratike.

E nëse për një ose një mijë e një arsye të momentit politik, arrihet në një konsideratë për ndërhyrje, qoftë ajo edhe politike, por edhe si nevojë jetike, kjo është më se demokratike nga ligjvënësit, përmes parimit të shumicës së thjeshtë në rastin më të pakët.

Kur Parlamenti shqiptar ka zgjedhur Presidentin aktual, në një proces të debatueshëm përmes një shumice të thjeshtë 70+1, përse qenka herezi të zgjidhen, shkarkohen e rizgjidhen nga po nga i njëjti Parlament, disa anëtarë të rinj të KLD-së, që kanë kryetar për ironi të ironisë, po këtë President të zgjedhur, jo nga populli hëpërhë, por nga mazhoranca e thjeshtë parlamentare?!

Sa për argumentin që një reformë e tillë është antieuropiane dhe i duhet drejtuar BE-së, është sa infantile aq edhe kundërproduktive.

Nëse mendohet seriozisht në qarqe të caktuara politike në vend se kjo lloj drejtësie që ekziston sot në Shqipëri është brenda parametrave klasike dhe tipik europian, që do të ishte funksionale në ndonjë shtet të BE-së ose edhe aspirant, kjo është për t’u keqardhur.

E nëse për më tepër, u drejtohesh pikërisht atyre që bërtasin dhe indinjohen më shumë sesa vetë shqiptarët, se duhet ndërhyrë sa më shpejt për të shëruar sistemin e korruptuar të drejtësisë, si parakusht integrues, kjo veçse të ul pikët në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, për shkak të inkredibilitetit politik që demonstron.

Tekembramja, çdo qeveri dhe shumicë qeverisëse dhe parlamentare, kontratën e ka me elektoratin përpara të cilit në një sistem demokratik sado i paarrirë qoftë, i nënshtrohet llogaridhënies politike në çdo katër vjet. Nëse elektorati nuk e miraton, nuk e voton, e nëse e mbështet, i jep votën dhe e rikonfirmon.

Kjo është një kosto që do ta marrë Rama dhe mazhoranca e tij nëse vepron ose nuk vepron tani, për korrektimin e besueshmërisë dhe efikasitetin e drejtësisë, përfshi edhe rastin fatkeq dhe hipotetik të kontrollit të saj prej pushtetit të tij.

Dhe ky është një rast që po merret me konsideratë politike nga qeveria e ditës, aq më tepër kur kjo nevojë për reformë në drejtësi është ulëritëse dhe imperative, sa ç’është insulina për diabetikun.

Në fund të ditës, shqiptarët votuan për një shumicë të tillë parlamentare për të bërë reforma, pikërisht edhe për shkak të problematikës në drejtësinë e korruptuar shqiptare gjatë mandateve të fundit, duke i dhënë shuplakën këtij sistemi të mbështetur dhe duke deformuar politikisht nga qeveritë e Berishës, që prodhon rëndom drejtësi alla duty-free, e që ndër vite ka prodhuar jo vetëm të korruptuar dhe të larë në dukat, por edhe mbrojtës të kupolës politiko-oligarkike shqiptare.

ARBEN MANAJ

Leave a Reply

Your email address will not be published.