Home / Bota / Amerika / Viktima amerikane e sulmeve në Paris

Viktima amerikane e sulmeve në Paris

Një studente amerikane e vrarë gjatë sulmeve terroriste të Parisit u kujtua prej familjes, miqve dhe trupës akademike në Universitetin e Kalifornisë në Long Beach (California State University Long Beach). Qindra njerëz mbushën një sallë për të përkujtuar dhe bërë homazhe për 23-vjeçaren Nohemi Gonzalez.

“Ajo ishte një fishekzjarr i vërtetë, një shkëndijë e jashtëzakonshme, një dizenjatore shumë e mirë. Ishte një femër e mrekullueshme. Do kishte ndezur botën”, tha shoqja e saj e klasës Deborah Green.

Një prej profesorëve të saj, David Teubner, e mban mend si një person që punonte shumë dhe që kujdesej edhe për studentët e tjerë.

“Energjike, e ngrohtë, e mrekullueshme, dhe pak e çmendur. Kishte shumë humor”, thotë zoti Teubner.

Nohemi ishte në vitin e fundit të studimeve për dizenjatore në California State University Long Beach. E regjistruar në Kolegjin “Strate” të Dizenjos, ajo po ndiqte një semestër jashtë vendit në Francë.

“Më dërgoi javës që kaloi një email ku tregonte se sa shumë po e shijonte atje dhe se sa shumë po mësonte”, thotë zoti Teubner.

Shokët e klasës e përshkruajnë si një person që punonte shumë dhe që ishte gjithnjë e gatshme të ndihmonte studentët e tjerë. Ata më të afërtit e thërrisnin Mimi. Njerku i saj, Jose Hernandez, foli në emër të familjes, e cila është ende në gjendje shoku. Ai tha se me të ëmën, Beatriz, ishin shoqe të ngushta.

“Mimi është këtu mes nesh. Është në zemrën e Beatrizës sot, nesër dhe përgjithmonë”, tha ai.

Duke mbajtur lotët, Tim Mraz, i dashuri i Nohemit, tha se “ajo do ta kishte dashur dhe do ta kishte urryer njëkohësisht këtë gjë, pasi nuk ishte nga ato që i pëlqente vëmendja e madhe”.

Pas ceremonisë, gjatë vigjiljes në dritën e qirinjve shumë prej miqve dhe shokëve të saj ngushëlluan njëri-tjetrin duke kujtuar një vajzë me personalitet dominues dhe një zemër të madhe.

Të paktën 129 persona humbën jetën në sulmet e Parisit, ndërsa 350 të tjerë u plagosën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.