Home / Kronika / Sociale / Elbasan, romët i rikthehen arsimit

Elbasan, romët i rikthehen arsimit

Lamtumirë jetë endacakësh. Romët i kthehen arsimit. 57 fëmijë romë në Elbasan u pajisën me abetaren e gjuhës mëmë të përgatitur nga një profesor francez.  Si gjithë fëmijët kudo mbi rruzull, kjo abetare do tu mësojë atyre shkrim e këndim dhe do ti çlirojë nga njëherë e mirë nga etiketimi “analfabetë”.

Shkolla 9-vjeçare “Hamit Mullisi” në Elbasan përjetoi të enjten momente të veçanta gazimi. Dhjetëra fëmijë romë të shoqëruar nga prindërit e tyre kishin ardhur për të nisur “vitin e ri” shkollor.  Ata u pajisën me libra dhe bazë materiale falë kontributit të një shoqate. Por më herët bashkia Elbasan, drejtoria arsimore e qarkut dhe vetë komuniteti rom kishin bërë përpjekje të përbashkëta për përfshirjen e fëmijëve të këtij komuniteti në një program të posaçëm arsimimi i mbështetur nga Ministria e Arsimit.

Në aktivitetin e zhvilluar në këtë shkollë kryetari i bashkisë Qazim Sejdini u shpreh se “romët e Elbasanit kanë qenë dhe janë në vëmendjen e bashkisë dhe se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë projektet për këtë komunitet”.

Kryetari i komunitetit rom Enver Mustafai u shpreh se  “arsimimi i romëve  i largon ata nga veset e këqija dhe se arsimimi i shërben shumë këtij komuniteti për të dalë nga errësira e analfabetizmit e për të qenë të barabartë me anëtarët e tjerë të shoqërisë”.

Fëmijët romë janë shprehur mjaft të gëzuar dhe thanë se u pëlqen të mësojnë  pasi, kur të rriten, kanë dëshirë të bëhen futbollistë, gazetarë, policë, prokurorë dhe mësues.

Drejtoresha e arsimit Jonida Cungu pohoi se “integrimi i fëmijëve romë është në vëmendje të Ministrisë së Arsimit. Për këtë qëllim projekte të tilla do të mbështeten fuqimisht nga kjo drejtori edhe në shkolla të tjera të qytetit”.

Mësuesi i fëmijëve romë studenti Raxhi Rakipi (mban këtë emër pasi gjyshja e tij kishte fiksim Raxh Kapurin) është vetëofruar për t’iu mësuar fëmijëve gjuhën rome. Sipas tij  “abetarja është përgatitur nga një profesor francez sipas standardeve të kësaj gjuhe në mbarë botën”.

Në Elbasan ekziston një komunitet i përbërë nga rreth 5000 romë. Ndër ta romët e lagjes “Rrapishtë” që është edhe lagja më e varfër e qytetit, përbëjnë shumicën e këtij komuniteti. Bashkia Elbasan ka kohë që financon qendrën rome dhe është angazhuar ti ndihmojë me investime në infrastrukturë, strehim, me shkolla, qendra shëndetësore dhe pastrim të mjedisit ku jetojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.