Home / Opinion / Një emër për luftën

Një emër për luftën

Nga Ilir Yzeiri

Cilido që do të mundohej të gjente një emër për luftën politike që zhvillohet në Shqipëri, do ta kishte të pamundur ta klasifikonte atë në taksonominë e luftërave politike që zhvillohen në suazën e demokracisë, brenda rregullave të njohura të lojës që ne kemi filluar t’i njohim këtu e njëzetë e gjashtë vjet më parë, të cilat jo vetëm nuk i përfillim, por, në shumë raste, i shohim si një mbështjellje të rëndë për trupin kafshëror të politikës që shtillet në këtë vend.

Pas rënies së perdes së hekurt, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, pas rënies së Murit të Berlinit, bota është përfshirë në konflikte edhe më të thella e në ndonjë rast edhe më të përgjakshme. Në SHBA, por edhe në Francë, po të mbajmë në vështrim zhvillimet e fundit elektorale atje, ngjan se është forcuar radikalizmi i djathtë dhe konservator. Forcat politike debatojnë atje për fatin e vendit të tyre duke e lidhur këtë fat me zhvillimet që vijnë nga jashtë realitetit të tyre dhe me rritjen e terrorizmit sidomos.

Konflikti i përgjakshëm në Siri e në Lindjen e Mesme përgjithësisht, ka nxjerrë në reliev problemet e injoruara prej kohësh në atë rajon dhe që përziejnë në një të vetme diktaturat, autoritarizmin dhe fanatizmin fetar. Ndërsa konflikti ruso-turk duket se ka nxjerrë edhe njëherë në reliev armiqësitë dhe plagët e pambyllura të shekullit XIX, të asaj periudhe që ndarjen e botës e realizoi përmes triumfit të nacionalizmave të pakontrolluar.

Të gjitha këto interpretime dhe kjo paraqitje mund të mos jenë të plota, sepse ato edhe nuk mbajnë në vështrim sidomos lëvizjet pacifiste që shfaqen sidomos në protesta të dhunshme ndaj kapitalizmit global e atij financiar sa herë që ka tubime të liderëve më të fuqishëm të globit. Edhe në Paris para disa kohësh, fill pas masakrës së 13 nëntorit, Franca me rastin e organizimit aty të takimit për klimën me protestat e antiglobalistëve dhe pacifistëve.

Vendi i humbur i Atdheut

Në gjithë këtë panoramë, cilido që do të mundohej ta përfshinte vendin tonë në ndonjë nga këto zhvillime, do ta kishte të pamundur, sepse lufta politike që zhvillohet këtu është jashtë çdo konteksti global dhe ka ngjyra tipike shqiptare. Nëse në Francë po rritet pesha e Frontit Nacional askush nuk ka parë që kjo forcë politike të manifestojë me dhunë ndaj qeverisë. Kryeministri francez përkundrazi deklaroi se ardhja në pushtet e FN-së mund ta zhysë Francën në luftë civile.

Kjo ishte deklarata më e ashpër e bërë, por menjëherë pas kësaj ajo u bë objekt i humorit nga artistët e komikët e Francës, megjithëse ana dramatike e problemit mbeti. Shqipëria është sot ndoshta i vetmi vend në Europë që luftën politike e zhvillon me mjetet e vërteta të luftës partizane dhe guerilase. Në këtë pikë, ne ngjajmë me Turqinë dhe vendet e tjera të Orientit të cilat nuk aplikojnë demokracinë parlamentare, por autoritarizmin e imponuar me mjete demokratike dhe të ruajtur me dhunën e ligjit.

Në Turqi, përplasjet politike brenda të cilave inkuadrohet edhe problemi kurd janë bërë tashmë vendi i dhunës shtetërore dhe atentatet janë pjesë e lojës. Në Shqipëri, sidomos opozita po shfaqet gjithnjë e më shumë si një forcë që e ka ndaluar kohën dhe që e projekton zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë si përmbysje me anë të luftës.

Ligjërimi politik i kësaj force nuk prek asnjë nga problemet reale që ka shoqëria shqiptare. Ai është një ligjërim që ndërtohet vetëm me një mesazh. Ashtu siç ndodh në revolucionet e armatosura, opozita e sotme, përmes ligjërimit të saj, deklaron se shqiptarët do të jetojnë më mirë, do të shpëtojnë nëse ajo vjen në pushtet.

Dhe për të ardhur në pushtet, sipas opozitës, populli nuk duhet të gjykojë programin e kësaj force politike, por duhet të gjykojë patosin dhe armatimin me metafora të luftës. Shqiptarët nuk thirren që të arsyetojnë e të reflektojnë, por atyre u bëhet thirrje që të mbathin opingat, të rrëmbejnë dyfekun me gjalmë dhe të vërviten mbi qeverinë që sipas opozitës identifikohet mbi bunkerin te Ministria e Brendshme.

Imitimi i fjalorit të luftës partizane përmes sloganeve “Ngrihuni dhe bjeruni”, “ky është fillimi”, “t’i shporrim”, “kriminelë”, “vrasës e hajdutë” e ngrin kohën dhe i jep asaj një përmasë surreale. E projekton Shqipërinë si një vend të pushtuar që nuk ka liri dhe të drejta, sepse ato i ka shkelur pushtuesi, e bën Shqipërinë një vend që është në shtetrrethim, në të cilin pas orës 16 ndalohet qarkullimi, u krijon imazhin qytetarëve se në rrugë patrullojnë ushtarë me çizme të rënda, se në male janë bijtë që luftojnë për liri dhe atyre u duhet dërguar pak kulaç e ndonjë fanellë leshi.

Projektimi i Shqipërisë në këtë formë e bën groteske luftën politike në Shqipëri dhe hedhja mbi bunker që të kujton hedhjen e Vojo Kushit mbi tankun armik e bën edhe më qesharake luftën e opozitës, megjithëse për t’u bërë qesharake, opozita ka të drejtë sepse edhe Kryeministri ynë edhe qeveria e tij po tregohen gjithnjë e më shumë dhe nga dita në ditë, si një çetë karnavalesh, të cilët siç edhe po rezulton tash në fund, nuk paskan pasur qëllim tjetër, por veç të lyejnë e të ndërrojnë plaçkat e godinave të qeverisë që i projektoi italiani dhe të nxjerrin karrocën e Plakut të Vitit të Ri para derës së Kryeministrisë.

Semiotika e bunkerit

Në Tiranë janë dy instalacione me bunker, i pari është ideuar veç të tjerash edhe nga Lubonja dhe gjendet në krah të Parlamentit së bashku me një copëz nga Muri i Berlinit. Ai vend aty, në hyrje të Bllokut është konceptuar si një muze modest për të rikujtuar diktaturën përmes një prej simboleve më të njohura të saj që është bunkeri, i cili simbolizon mbylljen, izolimin dhe armiqësinë deri në vdekje me armiqtë e jashtëm.

Sipas semiotikës urbane shënjueshmëria realizohet nga përmbajtja dhe marrëdhënia ose kuptimi dhe referenca. Nëse një nga këto devijohet atëherë edhe shënjueshmëri ndryshon. Instalacioni në hyrje të Bllokut nuk ka devijuar asnjë nga ato elemente, ndaj edhe protestuesit nuk iu turrën atij.

Edi Rama dhe historianët e oborrit që mban përreth, ata që përgjëroheshin dikur për vlerat e arkitekturës së ndërtimeve fashiste, vendosën të bëjnë një ndërhyrje në ansamblin e ministrive dhe pa përfillur semiotikën urbane dhe shënjueshmërinë që bart ajo, instaluan një bunker si portë për të hyrë në ferrin komunist. Kjo ishte ideja e Ramës dhe e zbatuar me servilizëm të pështirë nga historianët e oborrit.

Mirëpo, ata harruan se bunkeri, i zhvendosur nga konteksti i tij, merr një shënjueshmëri tjetër. I vendosur në mes të ansamblit të ministrive si portë, ai nuk është më një vendstrehim, por bëhet një shenjë që shënjon jo izolimin, luftën, sepse i mungon transheja, vendi i ushtarit.

I transformuar ai të sjell në mend kuptimin e dytë, pra të kujton komunizmin shqiptar dhe aty ku është vendosur nuk shërben si shënjues për tunelin e Ministrisë së Brendshme, i cili për të qenë misterioz duhet të kishte gjithashtu një portë misterioze, jo një bunker.

Përzierja e këtyre rrafsheve të kuptimit nxirrte në pah injorancën e atyre që e kishin projektuar dhe të shkatërronte nervat kur e shihje sepse ishte pa asnjë funksion. Ai bunker ishte një ndërhyrje brutale në ansamblin e ministrive, pra në shënjueshmërinë arkitekturore të asaj zone dhe i humbiste kuptimin misterit të tuneleve, sepse i vinte një portë që nuk përputhej me atë që ajo shënjon.

Bunkeri të kujtonte paaftësinë dhe një piktor të patalentuar, një pushtetar ekstravagant që e drejton vendin me instalacione gjysmake idesh e veprimesh. Histeria e opozitës për të shkatërruar këtë instalacion mediokër nuk të jep shpresë se ajo mund të ndryshojë qeverisjen e një vendi që drejtohet nga një kryeministër që ka hapur më shumë ekspozita tani sesa kur ishte piktor.

Leave a Reply

%d bloggers like this: