Home / Bota / Amerika / ISIS, Obama: Organizatë e ligë dhe helmuese, por s’mund të na shkatërrojë

ISIS, Obama: Organizatë e ligë dhe helmuese, por s’mund të na shkatërrojë

Barack Obama iu rikthye edhe një herë çështjes më të nxehtë të momentit, ISISI-it, këtë herë për të përcjellë bindjen se ata që po i kundërvihen grupit të dhunshëm xhihadist, do të triumfojnë dhe se përpjekjet për frenimin e ekstremistëve do të shënojnë “përparim të dukshëm” përpara se ai të largohet nga detyra.

“Zëri i Amerikës” citon shefin e Shtëpisë së Bardhë ta etiketojë ISIS-in si “organizatë të ligë e helmuese”. Megjithatë, për Obamën, dëmi më i madh që militantët mund t’u bëjnë Shteteve të Bashkuar është t’i shtyjnë njerëzit të ndërrojnë mënyrën e jetesës apo sistemin e tyre të vlerave.

“ISIS-i nuk është një organizatë që mund të shkatërrojë Shtetet e Bashkuara. Nuk është një fuqi e madhe industriale që mund të paraqesë rrezik institucional apo në mënyrë sistematike. Por, ata mund të na lëndojnë, mund të lëndojnë njerëzit tanë dhe familjet tona. Prandaj, e kuptoj pse njerëzit janë të shqetësuar”, u shpreh Obama.

Më shumë se një vit më parë, Presidenti autorizoi fillimin e një fushate të sulmeve ajrore të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër militantëve në Siri dhe Irak. Që atëherë, avionët e koalicionit kanë kryer mbi 9 mijë sulme dhe Obama tha se Shteti Islamik ka humbur 40 për qind të territorit që kontrollonte.

Por, militantët ende kontrollojnë zona të gjera, përfshirë qytete të mëdha në Siri dhe Irak, duke nxitur kritika ndaj përgjigjes amerikane dhe thirrje drejtuar Presidentit Obama që të dërgojë trupat tokësore amerikane në terren.

Ai i tha gjatë intervistës në “NPR” se ka “kritika të ligjshme për mënyrën si e ka trajtuar fushatën administrata e tij, kritika që mbështeten në komunikimin jo të duhur për atë që është bërë”. Por, ai tha se javët e fundit, kritikët, posaçërisht kandidatët republikan që synojnë postin e tij dhe kërkojnë më shumë sulme ajrore, janë pyetur se çfarë do të bënin ndryshe, por nuk kanë pasur përgjigje.

“Pra, kë do ta bombardoni? Ku do të bombardoni? Kur flisni për diçka si ‘bombardim të stilit qilim’, çfarë keni parasysh me të?”, ishin pyetjet e Obamës.

Ai nënvizoi nevojën për të ndihmuar forcat vendëse që të rimarrin territoret me ndihmën amerikane, në mënyrë që strukturat e qëndrueshme qeverisëse të kontrollojnë rajonin .Kjo merr me shumë kohë sesa dërgimi i marinsave.

“Ajo që do t’i thosha pasuesit tim është se nuk është me rëndësi vetëm të godasësh, por është me rëndësi qëllimi dhe është me rëndësi që në këtë post të jesh i sigurt që të gjykosh më së miri në bazë të informatave, të dhënave të zbulimit, informatave që vijnë nga komandantët dhe njerëzit tuaj në terren dhe jo të ndikoheni nga politika”, vijoi Obama.

Lidhur me atë se kush do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2017, Obama tha se është i bindur që njëri nga kandidatët e Partisë së tij Demokratike do të fitojë zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ai tha se demokratët kanë mundësi të mira të rimarrin kontrollin në Senat ku aktualisht shumicën e mbajnë republikanët.

I pyetur për një vit të mbushur me ndryshime sociale që përfshinë legalizimin e martesës së homoseksualëve, protestat masive kundër brutalitetit të policisë dhe debatin mbi refugjatët sirianë, Obama tha se SHBA-të po ndryshojnë në shumë mënyra pozitive. Ai përmendi bisedat me të bijat adoleshente dhe miqtë e tyre, duke thënë se ata janë një brez “më tolerant, më mikpritës ndaj njerëzve që janë të ndryshëm prej tyre”.

Por, ai pranoi gjithashtu se ndryshimet demografike dhe streset ekonomike nga kriza financiare, globalizimi dhe përparimet teknologjike janë duke e bërë të vështirë për njerëzit, në veçanti për burrat “me jaka blu”, që të përparojnë në ekonominë e re në mënyrën se si e bënin dikur. Kjo tha ai, krijon hapësirë të zemërimit, frustrimit dhe frikës.

“Një pjesë është e arsyeshme, por e keqpërdorur. Unë mendoj se dikush si zoti Trump është duke përfituar nga kjo. Kjo është ajo që ai është duke e shfrytëzuar gjatë fushatës së tij”, tha Presidenti amerikan.

Obama foli edhe për marrëveshjen për ndryshimet klimatike që u arrit më herët gjatë këtij muaji nga 190 vende për t’u përpjekur që të pengohet rritja e temperaturave globale.

Ai tha se kjo nuk e zgjidh problemin, por e vë botën në binarët e duhur për t’u përballur me këtë problem. Pjesë e përpjekjeve është plani i Obamas për të frenuar emetimin e karbonit nga termocentralet dhe për të rritur sasinë e energjisë nga burime të ripërtërishme.

Leave a Reply

%d bloggers like this: