Home / Kosova / Kosova dhe Serbia me qëndrime kontradiktore për temat e janarit

Kosova dhe Serbia me qëndrime kontradiktore për temat e janarit

Deklarata kontradiktore janë dhënë nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë lidhur me temat që mund të ngrihen për diskutim në nivelin teknik dhe të kryeministrave, në janar të vitit të ardhshëm.

Siç shkruan sot Koha Ditore, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se temat kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve në fushën e lëvizjes së lirë, diplomave dhe kadastrës.

Në kuadër të lëvizjes së lirë, sipas asaj që ka thënë Tahiri, do të jepet zgjidhje përfundimtare për heqjen e tabelave prova dhe tabelave ilegale, për të cilat Kosova ka paralajmëruar masa të ndalimit, që nga fundi i tetorit.

“Por me kërkesën e BE-së kemi pranuar të shtyhen këto masa deri në janar, për t’i lënë mundësinë që me angazhimet e BE-së të zgjidhet ky problem. Po ashtu do të bëhen përpjekje për zbatimin e marrëveshjes së kadastrave dhe diplomave. Në takimin e kryeministrave pritet të bëhen vlerësime për gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve, të diskutohen temat e reja për t’u hapur, si transporti hekurudhor dhe ajror”, ka thënë Tahiri.

Por tema tjera ka përmendur drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Pas marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, sipas Gjuriqit, në tavolinën e negocimit duhet të vijnë për t’u sqaruar disa pyetje të tjera, si statusi dhe pronësia e Kishës Ortodokse Serbe, prona publike dhe private serbe, të pagjeturit, njohja e diplomave universitare dhe çështje të tjera.

Ai ka akuzuar Prishtinën zyrtare se po refuzon të negociojë për çështje të rëndësishme për serbët e Kosovës dhe Serbinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.