Home / Rajoni / Maqedonia / Nuland viziton qendrën për pritjen e refugjatëve në Gjevgjeli

Nuland viziton qendrën për pritjen e refugjatëve në Gjevgjeli

Ndihmëssekretarja amerikane e Departamentit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland vizitoi qendrën për pritje të refugjatëve në Gjevgjeli dhe një pikë kufitare në kufirin jugor të Maqedonisë për t’u informuar drejtpërdrejt me sfidat me të cilat ballafaqohen autoritetet maqedonase dhe kushtet në të cilat jetojnë refugjatët.

Gjatë vizitës Nuland shoqërohej nga drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike të Maqedonisë, Gorançe Savovski.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, është diskutuar për situatën aktuale të krizës së refugjatëve, zgjidhjet e ardhshme për t’iu shmangur situatës së tensionuar përgjatë kufijve të rrugës ballkanike, regjistrimin e refugjatëve si dhe mënyrat e mundshme për thellimin e bashkëpunimit mbi trajtimin e fluksit të refugjatëve mes vendeve të prekura nga kriza e refugjatëve.

“Në takim u deklarua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndesin përpjekjet për zgjidhjen e krizës së refugjatëve dhe se do të vazhdojnë të inkurajojë zgjidhje të koordinuara dhe të plota të fokusuara në respektimin e të drejtave të njeriut si dhe për të promovuar politikat e duhura dhe humane të migracionit”, theksohet në njoftimin e ministrisë së sipërcituar.

Delegacioni i udhëhequr nga ndihmëssekretarja Nuland pritet që të vizitojë edhe qendrën për pritje të refugjatëve në Idomeni, ku gati 15 mijë refugjatë janë të bllokuar që nga dita e hënë, për arsye të mbylljes së “rrugës ballkanike” për refugjatët ilegalë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: