Opinion

Përse e akuzoj Rilindjen

Nga Zamira  Çavo

Kur Edi Rama artikuloi për herë të parë fjalën Rilindje unë isha ndër mbështetësit e parë që i dha jehonë kësaj lëvizjeje. Dhe isha e bindur që Rilindja ishte filozofia që i duhej vendit. Pas tetë vitesh qeverisjeje “allaberishiste”, vendi ishte në grahmat e fundit dhe filozofia e rilindjes ishte një shpresë që do të nxiste një besim mbarëpopullor drejt ndryshimit të madh. Dhe zgjedhjet e 2013-s e dëshmuan këtë. Sot, kur ka filluar countdown-i për mandatin qeverisës, them se kam të drejtën e bërjes së akuzës që vjen nga një lloj zhgënjimi i paparashikuar.

Unë e akuzoj Rilindjen sepse:

– Dhe pse mori votat e shumicës së popullsisë, dhe të mos harrojmë se shqiptarët janë popull i varfër, sërish po qeveris me filozofi djathtiste radikale. Nuk dua të replikoj me z. Rama mbi “të varfrit”, por ama jam e bindur se filozofia qeverisëse e rilindjes nuk ka bërë asgjë për të varfrit. Berisha u mbështet në politika populiste që synonin “rritjen e pagave”, “rritjen e pensioneve, “hapjen e universiteteve” pa kriter, legalizimeve sipas qejfit dhe të tjera politika që në dukje ishin mjaft tërheqëse e që fatkeqësisht sot shiten si politika në ndihmë të të varfërve. Por duke e bërë gati inekzistent shtetin, këto lloj politikash jo vetëm nuk sollën zvogëlim të varfërisë, por sollën “rrumpallizmin” qeverisës që e çoi vendin buzë greminës. Rilindja e filloi nga shteti. Bërja e shtetit është filozofia kryesore e qeverisjes. Dhe nuk ka asgjë për t’u kritikuar e as për t’u akuzuar Rilindja në këtë pikë. Është tërësisht në të drejtën dhe detyrën e saj të bëjë shtetin e të rrisë taksat dhe detyrimet e tjera. Por harta e varfërisë mbeti aty ku ishte, në mos po është zgjeruar. Sepse të bësh shtet e ta bësh këtë në kurriz të asaj shumice që të dhanë votat pikërisht për të shpëtuar nga varfëria, është jo humane. Ta bësh popullin të vuajë nuk është humane dhe sikur kjo të kushtëzojë bërjen e shtetit. Shteti nuk është i huaj për njerëzit. Ai është i tillë, sepse synon të rregullojë marrëdhëniet dhe mirëqenien e njerëzve. Nëse e shikojmë si qëllim në vetvete, do të thotë se kemi humbur sensin e demokracisë dhe i jemi kthyer diktaturës. Ndaj unë e akuzoj sot Rilindjen, sepse jo vetëm nuk ka bërë gjë për të zbutur varfërinë, por përkundrazi e ka shtuar barrën e rëndë të ekonomisë mbi supet e të varfërve. Sot dhe shtresëza e mesme (sepse në mendimin tim nuk ka shtresë, por shtresëz) është më afër të varfërve sesa të pasurve, për shkak të taksave të shumta, që është detyruar të mbajë mbi supe. Askush nuk mund të më akuzojë mua e të tjerë si mua, se “përdorim të varfrit” për të kritikuar qeverinë. Sigurisht që unë si e majtë që jam (dhe pse nuk jam anëtare e asnjë partie) kam gjithë të drejtën e perëndisë t’i kërkoj llogari Rilindjes për të varfrit, sepse erdhi në pushtet si parti e majtë. Rilindja nuk mund të më justifikohet me faktin që “edhe në kohën e Berishës të varfrit e pësonin”, sepse koha e Berishës është kohë e një partie të djathtë në pushtet, pavarësisht shtrembërimeve që thashë më sipër.

Unë e akuzoj Rilindjen sepse:

Po shkatërron Partinë Socialiste, e cila ka vlerat e veta historike dhe rolin e saj të veçantë në demokracinë shqiptare. Sot në PS ka “socialistë” dhe “rilindës”. Të ndarë në këto grupime, Rilindja nuk ka marrë parasysh as filozofinë e kësaj partie e as ka bërë të sajën sjelljen politike socialiste. Sot, Partia Socialiste rrezikon çarjen e dytë të madhe nga e cila do të humbasë patjetër edhe Rilindja. Kjo dëshmon për miopinë politike të Rilindjes ose në misionin e saj të dështuar për t’u ngritur mbi të majtën dhe të djathtën. Sot, socialistët e vërtetë nuk e ndiejnë aspak se janë parti në pushtet. Kjo është e dukshme që nga media e deri te bisedat e vogla në tryeza miqsh e shokësh. Unë e akuzoj Rilindjen për këtë frymë destruktive që solli në funksionimin e partisë. Dikush mund të thotë se ty nuk ka ç’të intereson PS-ja. Përgjigjja ime është e thjeshtë: “Më intereson demokracia, më intereson e majta, më intereson Shqipëria pa të varfër dhe jo Shqipëria e një grupimi të vogël ‘klientësh apo klanesh’ politike”.

Unë e akuzoj Rilindjen sepse:

Shqiptarët e panë si shpresën e fundit kthimin e Shqipërisë në rrugën e duhur. Rilindja me emrin dhe idealin e saj për një Shqipëri ndryshe ishte kaq tërheqëse dhe besuese te populli sa i dha vërtetë 1 milion mbështetës. Sot ka me mijëra njerëz që tentojnë të largohen nga sytë këmbët. Kërkojnë të largohen, sepse nuk kanë më besim se Shqipëria bëhet. Sepse askush nuk i beson as Bashës e as Metës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button