Home / Politika / Idrizi: I zhgënjyer nga vizita e Bushatit në Greqi

Idrizi: I zhgënjyer nga vizita e Bushatit në Greqi

Shpëtim Idrizi iu rikthye vërejtjeve për vizitën e Ditmir Bushatit në Athinë, vizitë që sipas tij, nuk përmbushi tri parime kyçe.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PDIU-së, kreu i kësaj partie tha se diplomacia publike, vendosja e axhendës dhe reciprociteti nuk u zbatuan nga diplomacia shqiptare.

“Fakti që ministri i Jashtëm përmendi çështjen çame si një çështje të drejtash të munguara dhe jo thjesht si çështje pronësore është një hap përpara, por zhgënjimi im vjen për moszbatimin e tri parimeve kyçe, diplomacisë publike, vendosjes së axhendës së përbashkët dhe reciprocitetit. Ministri i Jashtëm duhet ta kishte përmendur çështjen çame edhe në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun grek. Çështja çame duhet të përmendet vazhdimisht për të mos u trajtuar më si tabu në publik dhe thyerja e këtyre tabuve bëhet përmes asaj që unë e quaj diplomaci publike”, u shpreh Idrizi.

Kreu i PDIU-së tha se në këtë pikë Bushati nuk u tregua në lartësinë e duhur, aq më tepër që duhej ta bënte këtë në përputhje me rezolutën e Kuvendit, që e detyron ta trajtojë hapur këtë çështje.

Sa i takon reciproceitetit, Idrizi akuzoi qeverinë shqiptare se nuk ka një axhendë të veten në bisedimet me palën greke, por pranon axhendën e Athinës.

“Ministria e Jashtme edhe këtë herë, si çdoherë ndoqi axhendën greke, po e përbashkëta ku është?!”, tha Idrizi.

Sa i takon krizës siriane, PDIU mbështet qëndrimin e qeverisë në kuadër të një plani të përgjithshëm europian dhe kritikave për këtë qëndrim u kujtoi rastin e të zhvendosurve të luftës së Kosovës.

“Shqipëria priti qindra mijëra bashkëkombas nga Kosova dhe reagimi grek në atë kohë ishte mbyllja kufijve dhe deklaroi se nuk do të pranonte asnjë refugjat nga Kosova pa një zgjidhje të përbashkët nga BE-ja”, u shpreh ai.

Idrizi përmendi edhe ligjin e luftës, kufirin detar dhe sigurime shoqërore, për të cilat tha se do të kërkojë në interpelancë më shumë detaje nga qeveria shqiptare.

Pjesë e fjalimit të kreut të PDIU-së ishin edhe reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore.

“Dy partitë e mëdha po luajnë me reformën në drejtësi, ndërsa për reformën zgjedhore, po punojmë fort për heqjen e parimit stalinist që populli voton dhe dy partitë e mëdha numërojnë”, deklaroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.