Opinion

Pështirosje

Nga Bedri Islami

Nuk e di se si mund ta kisha quajtur një njeri të tillë: Ai, shumëdimensional në maskarallëkun e tij dhe krejtësisht i papërfytyrueshëm për të qenë njeri. Është një specie që tashmë është bërë më shumë se i pranishëm në jetën e përditshme, dhe, për më keq, ndjehet firoma e tij, edhe nëse je tepër larg. I paparashikueshëm deri në absurd, i dhunshëm deri në brutalitet, kapës i shtetit deri në rrëmbim, mizor deri ku nuk mund të përceptohet, e përsëri ai mbetet njeriu i dorës së fortë, mes një çorbe që quhet opozitë, dhe nga e cila, vjen edhe një pjesë e mjerimit të tejzgjatur.

Nuk e kam besuar kurrë, as në ditët me të rënda të mosbesimit, se do të kishte një njeri të tillë, i cili, përkohësisht u vesh me aureolën e liderit, pastaj, për një çast, me idenë e prijësit, por që në fakt do të ishte fatkeqësia më e mjerueshme e një kombi.

Të gjitha mund të jenë në lojën e pështirë të politikës, por mjerisht ajo që nuk mund të merrej me mend se mund të ndodhte, aq më tepër nga një njeri, i cili mburret me kodin e nderit e të familjes, është ndotja e familjes, e jetës së tjetrit, zhgarravitja e karakterit njerëzor pas një emri, një vendi, një përkohësie, duke bjerrur dinjitetin. Si është e mundur që ky bishërim i llahtarshëm është ende pjesë e politikës, e politikëbërjes për më tepër, është i pranishëm ku nuk duhet të jetë, copëz që nuk kapërdihet, si është mjerimi që solli pas vetes, rutinë e takimeve me diplomatë të huaj, të cilët duken sikur falen tek ai, edhe kur quhen Arvizu, edhe kur njihen si Lu; njerëz që ndërkohë familjen e dinjitetin e tyre vetjak duhet ta kenë të shenjtë, e përsëri, i marrin dorën, tokin duart e mendimet me një njeri i cili kodin e nderit e të familjes së tjetrit, qoftë edhe paksa kundërshtar politik, e bën tokasi, e llumos, sikur të ishte fjala për të shkelur një kokërr misri? Edhe këtu, “mos e shkel, he të shitoftë Zana”.

Në dy ditët e fundit njerëzit edhe një herë janë ndeshur me dy ngjarje, të cilat duken sikur nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, por kanë të njëjtin burim, të njëjtën fatkeqësi sjellin dhe përmblidhen në mendësinë e njeriut-bishë, si një gjë krejt e zakonshme e normale. Medet, perversiteti u bë normalitet përmes këtij njeriu.

Çfarë ishin dy “rastësitë” e fundit? Në një intervistë televizive, Berisha, shefi de fakto i shqupasve të mobilizuar ushtarakisht për të ruajtur “nderin” e babës, jo në një çast shpërthimi, por krejt në normalitetin e tij, theksoi se një njeri, të cilin e quan hasëm, pasi kishte masakruar gruan e tij, e kishte përdhunuar 24 orë rrjesht. Nga ana tjetër, një grua deputete shqupase, pa as më të voglin shqetësim se për çfarë është fjala, na tregon për “misterin” e stadiumit të ri kombëtar dhe, kulla e lartë që po ngrihet pas saj, (nuk e di pse!), i kujtoka diçka tjetër, që ka të  bëjë me vetitë mashkullore dhe këtë e lidh me shefin e sotëm të qeverisë.

Nuk habitem me të parin, por u mësova të mos çuditem edhe zonjat-burra, ndërsa vetë çudia duhet të jetë e tyre. Jam i bindur se, ose e kanë detyruar të dalë e të flasë ato që tha, ose ia kanë shkruar e ende nuk e di se çfarë ka lexuar. Para vullnetit të tij të mbrapshtë edhe gratë parlamentare bëjnë nganjëherë ndonjë vërejtje të përvuajtur, ndonjëherë murmurisin, por të pakta janë ato që kundërshtojnë, edhe kur është fjala për absurdite të tilla, të cilat janë aq larg figurës së një deputeteje. Më erdhi keq për të, u ndjeva ligsht.

Por, le të themi se ishte dëshira e mendja e saj.

Në fakt kjo është filozofia e njeriut-bishë, i cili gërmon deri në strofkullën e jetës së tjetrit dhe, kur nuk gjen gjë, atëherë ngrit mendjen e tij, i thërret asaj se si do të kishte vepruar vetë ai në një rast të tillë dhe bëhet gjithçka e vetëdijshme në një tru të çakërdisur. I fryrë nga madhështia, por edhe i trembur nga e ardhmja, ai kujton se është çështje nderi të ruante për vete tonin e tiranisë së mendimit dhe të shpifjes së paskrupullt, duke kërkuar kështu ndihmën e lirisë së të shprehurit.

Nuk është hera e parë që politika e sotme bie në këtë fund të mjerueshëm. Nga ajo sallë parlamentare e në intervista televizive kemi dëgjuar gazepet më të mëdha, të cilat përdoren vetëm nga të dehurit rrugaçë. Kemi dëgjuar t’i thuhet një deputeti se ‘ku është nëna dhe motra yte, nëpër motele janë’, dhe asush nuk është skuqur nga ata që i rrinë pranë; kemi dëgjuar të gërmohet nëpër breznitë e njerëzve përballë, duke shpifur papërballueshëm dhe zonjat e një krahu janë zgërdhirë, e tani marrin edhe pjesën e tyre në këtë lojë të pistë, që nuk ka as politikë e as dinjitet njerëzor.

Ky njeri, i cili mburret me kodin e familjes dhe kodin e nderit, ndoshta dikur ka pasur fillesa të tyre, sepse është rritur në një trevë ku kjo ka qenë e shënuar, por, sa më poshtë ka zbritur dinjiteti i tij, aq më poshtë ka rënë edhe kodi i tij i nderit, deri sa është zhdukur. E keqja nuk është vetëm tek ai, por edhe tek të tjerët që i rrinë karshi, që e duartrokasin kur merr nëpër këmbë dinjitetin dhe nderin e grave dhe të vajzave.

Nuk është rastësi që transmetohet edhe tek familja e tij. I biri, si një shpend grabitqar, në fakt është më shumë se sa shpend, iu vërsul një aktoreje të njohur me atë që ka mësuar në familjen e tij, sepse nuk thonë kot se, “çfarë ka shtëpia, t’i nxjerr fëmija”, vetëm se ajo tha një mendim për njeriun – bishë, njërin nga ato mendimet e zakonshme, të cilat duken si gurgullimë kur dëgjon bubullimat dhe gjëmimet huligane të njeriut – bishë. U është krijuar mundësia të çirren sepse, ndërsa ne të gjithë, reagojmë furishëm ndaj krakavitjeve huligane të një farë Zeni, heshtim kur nëpërkëmben vajzat, gratë, nënat e motrat e të tjerëve, pasi ata janë të paemër, heshtim kur detyrojnë gratë deputete të dalin e të flasin për kulla të gjata si për një gjë mashkullore, revoltohemi për një deputete shqiptare të përgjuar, por heshtim për ato dhjetra gra e vajza që punuan si skllave në Gërdec dhe në fund, si mos më keq, i poshtëruan duke u dhënë lëmoshë.

Politika e sjellë në dekadat e fundit është shumë më e pështirë se ajo që kishim në monizëm. E pështirë në pështirosjen e saj dhe këtë e bëri një njeri, i cili, nuk e ka për asgjë të të ndjekë deri në dhomën e gjumit, të të përgojojë sipas “informatave” që i jep qytetari digjital, të të futet nëpërmjet këmbëve për të parë se çfarë ke aty dhe pastaj, të të bëjë gjëmën.

Mund të kesh politikë konflikti mes dy grupimeve politike, kjo është e natyrshme, por është e pashoqe të kesh një politikë të tillë, ndjellakeqe deri në thelbin e shoqërisë, deri në jetën e familjes, deri në bukën që ke ngrënë dhe ujët që ke pirë. Ky njeri, i cili e di se çfarë ndodh në qoshket e jetës së tjetrit, do të bënte mirë të mbyllte gojën, sepse prishi dynjanë, e në mos mund ta mbyllë, le ta fillojë nga vetja. Ta fillojë krejt thjesht: T’i thojë të birit të vejë një herë tek fëmijët e larguar, të kthehet pak çaste nga plazhet e Malibusë tek fëmijët e tij, e jo për tjetër, të paktën të mos harrohet.

Në fakt, njeriun – bishë nuk e bren ndërgjegja dhe as nuk është i shqetësuar ndërsa ngre këto fatalitete absurde të jetës së tjetrit, duke dashur të jetë pjesë e dhomës së gjumit të tyre. E keqja e madhe është se vetë politika po kalon nëpër dhomat e gjumit.

Njeriu – bishë e solli këtë. Dhe emri i tij nuk është i panjohur për askënd. Mjerisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button