Politika

Arta Dade pret delegacion nga Bullgaria: Shqipëria faktor stabiliteti në rajon

Një delegacion i Komisionit për Politikën e Jashtme i Parlamentit të Bullgarisë, kryesuar nga znj. Dzhema Grozdanova, Kryetare e këtij Komisioni, po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të Kryetares së Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade.

Gjatë takimit me anëtarët e dy Komisioneve homologe, Arta Dade falenderoi Bullgarinë për gjithë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO dhe në proceset integruese drejt Bashkimin Evropian.

Duke diskutuar mbi situatën në rajon, Dade u shpreh se Shqipëria vazhdon të mbetet një faktor stabiliteti, teksa nënvizoi se po ndiqen me shqetësim zhvillimet në Maqedoni dhe se inkurajon palët të bashkëpunojnë për zhvillimin e zgjedhjeve konform parametrave ndërkombëtarë, për t’i dhënë fund krizës. “Duhet të vazhdojnë përpjekjet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, pasi kjo do të ndikonte në konsolidimin e institucioneve demokratike”, – u shpreh Dade.

Krahas kësaj, Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Shqipërisë, falenderoi mbështetjen që Bullgaria dha duke votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe theksoi se pala shqiptare mbështet integrimin e plotë të Kosovës në proceset Euro-Atlantike.

Dade theksoi ndër të tjera se Shqipëria është pjesë e Politikës së Përbashkët dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian si vend kandidat, si dhe është radhitur në krah të koalicionit të gjerë euroatlantik në luftën kundër terrorit. Lidhur me krizën e refugjatëve, Dade u shpreh se autoritetet shqiptare janë të përgatitura për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e kësaj krize.

Në këtë takim, një fokus të veçantë iu dha edhe marrëdhënieve ekonomike-tregtare Shqipëri- Bullgari ku Dade u shpreh se ka ende hapësira të pashfrytëzuara dhe se të dyja shtetet duhet t’i japë një impuls të ri ndërtimit të Korridorit të 8-të, duke e cilësuar një nga projektet më të rëndësishme për të dyja shtetet dhe rajonin.

Duke diskutuar për marrëdhëniet politike, Dade theksoi se ato janë të shkëlqyera dhe se në këtë drejtim, duhen shtuar edhe më shumë shkëmbimet në nivel parlamentar edhe përmes Komisioneve homologe.

Nga ana saj, Kryetarja e Komisionit për politikën e Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë, znj. Dzhema Grozdanova vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe theksoi se inkurajon palën shqiptare në miratimin e reformës në drejtësi, gjë e cila do ta ndihmonte shtetin shqiptar në proceset integruese.

Grozdanova theksoi se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi për Bullgarinë dhe se Bullgaria mund të luajë një rol të rëndësishëm për integrimin e këtij rajoni. Ajo tha se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë sidomos në rajonin tonë janë me rëndësi të madhe.

Ndër të tjera, Grozdanova theksoi se Bullgaria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button