Home / Kosova / Vazhdon “ngërçi” tregtar i barnave Kosovë-Shqipëri

Vazhdon “ngërçi” tregtar i barnave Kosovë-Shqipëri

vazhdon-ldquo-ng-euml-r-ccedil-i-rdquo-tregtar-i-barnave-kosov-euml-shqip-euml-ri_hdMinistria e Shëndetësisë së Shqipërisë po negocion me palën kosovare për t’i dhënë një zgjidhje problemit të bllokimit të 30 barnave të kompanisë ‘Tre Farm’ për në tregun shqiptar.

Burime zyrtare pranë Zyrës së Shtypit në Ministrinë e Shëndetësisë në Shqipëri thanë se ministri Ilir Beqaj së bashku me disa ekspertë të tjerë të ministrisë, janë takuar me përfaqësues të palës kosovare dhe të institucioneve të shëndetësisë së Kosovës për të diskutuar dhe shqyrtuar më në detaje këtë çështje.

Pas këtij takimi, Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë i ka nisur një kërkesë zyrtare Ministrisë së Kosovës ku i kërkon një raport vlerësimi të detajuar të situatës së krijuar me bllokimin e barnave.

Sipas të njëjtave burime, ky raport është kërkuar pasi nevojitet një njohje dhe shqyrtim sa më i detajuar i situatës në fjalë për tu njohur me problemin e lindur dhe për ti dhënë një zgjidhje sa më pozitive brenda kornizës ligjore.

Problemi u bë publik pak ditë më parë në Kosovë, ku përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës publikuan problemin e lindur me palën shqiptare dhe kërkuan shpjegime nga institucionet përgjegjëse.

“Kosova duhet t’i përgjigjet me reciprocitet Shqipërisë, e cila po bllokon depërtimin e produkteve medicinale ‘Made in Kosova’ në tregun shqiptar’, tha gjatë konferencës për shtyp, Safet Gërxhaliu, në të cilën pohoi se mbeten shqetësuese raportet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Janë 30 produkte të kompanisë “Tre Farm”, nga Kosova që duan të jenë në tregun e Shqipërisë, por të cilat një gjë të tillë e kanë të pamundur, pa shpjegime konkrete.

Ndërkohë në Kosovë janë 65 produkte të Shqipërisë të cilat janë të akredituara dhe licencuara në tregun e Kosovës, ndërsa depërtimi i produkteve kosovare, po bëhet i pamundur në tregun shqiptar.

Nga ana tjetër Oda Ekonomike e Kosovë bën të ditur se në tregun Shqipërisë janë të licencuara dhe kanë të drejtën e pasimit të produkteve të tyre tri kompani nga Serbia, dy kompani nga Maqedonia dhe dy kompani nga Bosna dhe Hercegovina, ndaj dhe nuk ka arsye pse të mos lejohen produktet “Made in Kosova”, në këtë rast medicinale.

Edhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se qeveritë e të dyja vendeve, do të ishte mirë që të mos bëjnë shfaqje teatrale, por të punojnë, për eliminimin e këtyre barrierave, të cilat mbeten të pakuptimta.

Ndërsa thotë se një refuzim i tillë për produktet kosovare nga Shqipëria, do të çojë në paragjykime që mund të lidhen me kriminalitetin, duke nënkuptuar futjen në treg të barnave me rrugë ilegale.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i kompanisë farmaceutike “Tre Farm”, Mërgim Prishtina tha se si nga qeveria e mëparshme e Shqipërisë dhe ajo e tanishmja, produkteve të tyre po u pamundësohet hyrja në tregun shqiptar. Ai kërkon zgjidhje urgjente nga shteti shqiptar, për produktet farmaceutike nga Kosova.

Leave a Reply

%d bloggers like this: