Opinion

Epoka e re e monopolit

Nga Joseph STIGLITZ

Për dyqind vjet, ka pasur dy përqasje të gjera për të kuptuar se çfarë e përcakton shpërndarjen e të ardhurave – dhe se si funksionon ekonomia. Është e rëndësishme të kuptohen të dyja shkollat e mendimit, për shkak se rritja e pabarazisë po na detyron ne të dalim nga njëra dhe të hyjmë te tjetra.

Për dyqind vjet ka pasur dy shkolla mendimi mbi atë se çfarë e përcakton shpërndarjen e të ardhurave – dhe se si funksionon ekonomia. Njëra, e dalë nga Adam Smith dhe ekonomistët liberalë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, përqendrohet në tregjet konkurruese. Tjetra, me dijeninë se si marka e liberalizmit të Smith solli përqendrim të shpejtë të pasurisë dhe të ardhurave, e merr si pikë nisjeje tendencën e pandalshme të tregjeve drejt monopolit. Është e rëndësishme që të kuptohen të dyja, për shkak se mënyra se si ne i shohim politikat e qeverisë dhe pabarazitë aktuale është formëzuar nga ajo se cila prej shkollave të mendimit ne besojmë se ofron përshkrimin më të mirë të realitetit.

Për liberalët e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe ndihmësit e tyre të mëvonshëm, për shkak se tregjet janë konkurruese, fitimet individuale lidhen me kontributin e tyre shoqëror – me “produktin e tyre margjinal” në gjuhën e ekonomistëve. Kapitalistët shpërblehen për shkak se kursejnë në vend që të konsumojnë, për shkak të abstinencës së tyre, sipas fjalës së Nassay Senior, një nga paraardhësit e mi në Profesoratin e Drumond për Ekonominë Politike në Oksford. Dallimet në të ardhura lidhen pas kësaj me pronësinë e “aseteve” – kapitalin njerëzor dhe financiar. Studiuesit e pabarazisë u përqendruan në këtë mënyrë në determinantët e shpërndarjes së aseteve, përfshirë edhe mënyrën se si ato kalohen nga një gjeneratë në tjetrën.

Shkolla e dytë e mendimit merr për pikënisje “pushtetin” përfshirë aftësinë për të ushtruar kontroll monopolistik ose, në tregjet e punës, aftësinë për të vendosur autoritet mbi punëtorët. Studiuesit e kësaj fushe janë përqendruar në pyetjen se çfarë sjell ngritjen në pushtet, si ruhet dhe fuqizohet pushteti dhe cilat janë çështjet e tjera që mund të pengojnë tregjet që të jenë konkurruese. Puna e shfrytëzimit që krijohet nga asimetritë e informacionit është një shembull i rëndësishëm.

Në Perëndim në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, shkolla liberale e mendimit ka dominuar. Megjithatë, ndërsa pabarazia është zgjeruar dhe shqetësimet për të është rritur, shkolla e konkurrueshmërisë, e cila i shikon fitimet individuale në termat e produktit margjinal, është bërë gjithnjë e më i paaftë për të shpjeguar se si funksionon ekonomia. Pra, sot, shkolla e dytë e mendimit është në ngritje.

Në fund të fundit, bonuset e stërmëdha të paguara ndaj drejtorëve të bankave ndërkohë që ata i drejtojnë kompanitë e tyre drejt rrënimit dhe ekonominë drejt kolapsit vështirë se mund të shpjegohen me besimin se pagesat për idividët janë pasojë e kontributit të tyre social. Natyrisht, historikisht, shtypja e grupeve të mëdha – skllevërve, grave dhe minoriteteve të llojeve të ndryshme – janë shembuj të qartë ku pabarazia është pasojë e marrëdhënies me pushtetin dhe jo produkt i të ardhurave margjinale.

Në ekonominë e sotme, në shumë sektorë – telekomi, televizioni kabllor, markat dixhitale nga media sociale te kërkimi në internet sigurimet shëndetësore, farmaceutika, agro-biznesi dhe shumë të tjera – nuk mund të shpjegohen me syzet e konkurrencës. Në këto sektorë, ajo konkurrencë që ekziston është oligopolistike, nuk është konkurrencë “e pastër” sipas asaj që shpjegohet në librat e shkollës. Shumë pak sektorë mund të përkufizohen si sektorë ku sjellja e një aktori individual nuk ka pasoja në çmim, pra që përbëhet nga kompani kaq të vogla dhe të shumta sa ato nuk mund të ndikojnë në çmimin e tregut. Bujqësia është shembulli më i pastër, por ndërhyrjet e qeverive në këtë sektor janë masive dhe çmimet nuk përcaktohen para së gjithash nga forcat e tregut.

Këshilli i Këshilltarëve të Ekonomisë të Presidentit të SHBA-ve Barack Obama, udhëhequr nga Jason Furman, është përpjekur të vlerësojë përmasat e rritjes së përqëndrimit  në treg dhe disa pasoja të këtij përqendrimi. Në shumicën e industrive, sipas këshillit, mtreguesit standard tregojnë se ka rritje të lartë dhe në disa raste, dramatike, në përqendrimin e tregjeve. Të dhjetë bankat më të mëdha, për shembull, kanë parë rritje të pjesës së tregut të depozitave të kontrolluara prej tyre nga 20 në 50 për qind vetëm përgjatë 30 viteve të fundit, nga 1980 deri më 2010.

Disa nga rritjet në fuqinë e tregut janë pasojë e ndryshimeve në teknologji dhe në strukturën ekonomike: mendoni për shembull për ekonomitë në rrjet dhe rritjen e sektorit të shërbimeve të ofruar në mënyrë vendore. Kjo është pjesërisht për shkak se kompanitë – Microsoft dhe kompanitë e ilaçeve janë shembuj të mirë – kanë mësuar më mirë se si të ngrejnë dhe ruajnë barriera hyrëse në treg, shpesh të ndihmuara nga forca politike konservatore të cilat justifikojnë zbatimin e paktë të ligjeve anti-trust dhe dështimit për të kufizuar fuqinë e tregut me parimin se tregjet në mënyrë “natyrore” janë konkurruese. Dhe një pjesë e kësaj reflekton abuzimin e zhveshur nga përdorimi i fuqisë tregtare si levë për ndikimin e proceseve politike: bankat e mëdha, për shembull, lobuan te Kongresi i SHBA-ve për të amenduar apo rrëzuar ligje që mbanin të ndarë bankingun tregtar nga fusha të tjera të financës.

Pasojat janë të dukshme te të dhënat, ku pabarazia është duke u rritur në çdo nivel, jo vetëm mes individëve, por edhe mes kompanive. Raporti i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë vërejti se në “percentilen e nëntëdhjetë firmat shohin norma kthimi mbi investimin kapital pesë herë më të larta se sa mediana. Ky raport qe vetëm dy herë rreth njëzet e pesë vjet më parë.”

Joseph Schumpeter, një nga ekonomistët e mëdhenj të shekullit të njëzet, argumentoi se askush nuk duhet të shqetësohet nga fuqia monopolistike: monopolet mund të jenë vetëm të përkoshme. Do të ketë konkurrencë të ashpër për treg dhe kjo do ta sjellë konkurrencën në treg dhe do të sigurojë që çmimet të mbeten konkurruese.

Puna ime teorike shumë kohë më parë tregoi defekte në analizën e Schumpeter ndërsa rezultatet empirike aktuale ofrojnë konfirmim të fortë. Tregjet e sotme karakterizohen nga persistenca e fitimeve të larta monopolistike.Pasojat për këtë janë të thella. Shumë nga supozimet mbi ekonomitë e tregut janë të bazuara në pranimin e modelit konkurrues, me norma kthimi margjinale në përputhje me kontributin shoqëror. Ky këndvështrim ka sjellë ngurrim ndaj idesë së ndërhyrjes zyrtare: nëse tregjet janë në themel eficiente dhe të drejta, ka shumë pak gjëra që mund të bëhen edhe nga qeverisjet më të mira për të përmirësuar situatën. Por nëse tregjet bazohen te shfrytëzimi, racionaliteti i laissez-faire zhduket. Në të vërtetë, në këtë rast, beteja kundër pushtetit që ka zënë rrënjë nuk është vetëm një betejë për demokraci; është gjithashtu betejë për eficencë dhe mirëqenie të përbashkët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button