Kosova

“Lista Serbe” nuk heqë dorë nga kushtet

quot-lista-serbe-quot-nuk-heq-euml-dor-euml-nga-kushtet_hdLista Serbe, e cila ka fituar përqindjen më të madhe të votave në krahasim me subjektet tjera serbe në Kosovë, ka ripërsëritur se nuk do të heqë dorë nga kushtet se saj për t’iu bashkuar qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Anulimi dhe ndalimi i privatizimit të ndërmarrjeve publike në komunat serbe, krijimi i kushteve për kthim të qëndrueshëm të serbëve, kthimi i pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe formimi i asociacionit të komunave serbe, janë katër kushtet kryesore të Listës Serbe.

Kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë ka deklaruar se për këtë listë është e rëndësishme që mbijetesa e serbëve të ketë bazë të qëndrueshme.

Ai vlerëson se pa anulimin e privatizimit dhe disa koncesioneve të rëndësishme për komunitetet, nuk është e mundur që të ketë të ardhme në Kosovë.

“Për ne mënyra e privatizimit deri tash është krejtësisht e papranueshme . Kjo është privatizimi nga parimi i shitjeve të aseteve lirë, ku kompania nuk ka ruajtur formën origjinale të biznesit”, thotë Jabllanoviq.

Për komunitetin serb, sipas Jabllanoviqit, janë shumë të rëndësishme firma siç janë “Inex”, kompleksi turistik Brezovica, kompania “Ivo Lola Ribar” në Shtërpcë, kompania “Ratar” në Graçanicë, kompleksi metalurgjik “Trepça” në veri, si dhe subjektet tjera ekonomike që gjenden në veri të Mitrovicës.

“A do të pranojë kryeministri dhe shumica e deputetëve këto kushte, nuk varet nga ne, por ne pa këto kushte nuk do ta mbështesim kryeministrin dhe qeverinë e ardhshme”, deklaron Jablanoviq.

Analistë të çështjeve politike, ndërkaq vlerësojnë se secili subjekt që përfshihet në qeverisje ka një platformë dhe kushtet e veta, gjë e cila konsiderohet normale, por, siç thonë ata, Lista Serbe nuk mund të ketë kushte speciale, përveç atyre ligjore e kushtetuese që i ka secili etnitet brenda një qeverie.

Analisti politik Halil Matoshi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kushtin e Listës Serbe për anulimin dhe ndërprerjen e privatizimit të ndërmarrjeve në komunat me shumicë serbe e quan kusht special dhe të pamundur të realizohet.

“Kushti për ndalimin e privatizimit në komunat serbe është kusht special për arsye se nuk mund të ketë selektime që diku të vazhdohet privatizimi e diku jo. E ky kusht e tejkalon edhe kushtin e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ që fillimisht ata ishin për ndërprerje të privatizimit”.

“Sa i përket kushtit për krijimin e asociacionit të komunave serbe kjo është paraparë edhe me marrëveshjen e Brukselit, edhe parashihet edhe më pakon e Ahtisarit, përkatësisht në Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të thuhet se është ndonjë kusht special”, shton Matoshi.

Për Rangjel Nojkiq, njohës i situatës politike në Kosovë, kushti i Listës Serbe për privatizimin në zonat e banuara me serbë, mund të ketë telashe për zbatim, pasi që, siç thekson ai, Lista Serbe u formua me Partinë e Pavarur Liberale (SLS), parti kjo e cila deri tani ka qenë pjesë e ekzekutivit të shtetit.

“Të gjitha këto çështje janë të vendosur tashmë në rendin e ditës, si kusht për pjesëmarrjen e tyre dhe unë mendoj se janë të papranueshme për Prishtinën për arsyen e thjeshtë se SLS në dy mandatet e fundit ka qene në pozitën udhëheqëse, sidomos në mandatin e dytë, ku qeveria është e varur nga mbështetja e SLS-së. SLS absolutisht është e njohur për çdo gjë që ka ndodhur në të kaluarën dhe në një mënyrë ose tjetër ka pranuar – e gjithë kjo tregon qartë se ata praktikisht të gjitha proceset i kanë legalizuar. Nëse Lista Serbe mbetet prapa kësaj, ajo do të duhet të heqë dorë nga Sllobodan Petroviq, i cili ishte nënkryetar i Qeverisë, e cila ishte në ekipin negociator të Prishtinës dhe ka qenë pjesë e marrjes së këtyre vendimeve të rëndësishme”, thotë Nojkiq.

Sidoqoftë, kryetari i Listës Serbe, Aleksandër Jabllanoviq tregon se bisedime konkrete për koalicion të mundshëm për formimin e qeverisë nuk ka pasur, dhe se është në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne kemi pasur thirrje nga te dyja anët, të jem i sinqertë, por jo bisedime zyrtare mbi këtë temë. Duam të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pas të cilit ne do të shkojmë me negociatat për qeverinë e ardhshme. Për Listën Serbe është e rëndësishme çfarë lloji të politikës do të këtë qeveria e ardhshme, e jo sa vende të ministrave apo zyrtarëve do të marrë”, thotë Jabllanoviq.

Ndryshe, përveç Listës Serbe, dhe partitë tjera janë në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Më 21 gusht, është caktuar një dëgjim publik në të cilën do të shqyrtohet kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Sido që të jetë, subjektet parlamentare të cilat përfaqësojnë bashkësitë pakicë në Kuvendin e Kosovës, përfaqësimin në ekzekutivin e vendit e kanë të garantuar, varësisht nga numri i resorëve që mund ta ketë qeveria e re.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button