Kosova

Kadri Veseli: Bullgaria është një shtet mik i Republikës së Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli bëri një vizitë zyrtare treditore në Bullgari në fund të javës së kaluar. Ditën e premte ai u prit nga Presidenti Rosen Plevneliev, i cili deklaroi se Bullgaria do të vazhdojë të punojnë për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe do ta mbështesë Kosovën në rrugën ndaj qëndrueshmërisë dhe prosperitetit.

Lidhur me takimin me kreun e shtetit bullgar, para Radio Bullgarisë Kryekuvendari Veseli theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes dy shteteve: “Bullgaria është një shtet mik i Republikës së Kosovës. Bullgaria ka kontribuar shumë në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës. Bullgaria është e mirëpritur, veçanërisht pjesa e bizneseve bullgare – duhet të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Në të njëjtën kohë ne t’i intensifikojmë marrëdhëniet tona politike, diplomatike, shkencore.”

Thellimi i bashkëpunimit ndërparlamentar ishte tema e takimit me Kryetaren e Parlamentit Bullgar. Z. Kadri Veseli dhe znj. Cecka Caçeva i vlerësuan marrëdhëniet mes të dy parlamenteve si shumë të mira, jo vetëm në nivelin e grupit të përbashkët të miqësisë që tanimë po funksionon, por edhe në nivelin e komisioneve parlamentare, të cilat këmbejnë përvojat legjislative përkatëse.

Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe Udhëheqësja e Degës së Ballkanistikës doc. dr. Rusana Bejleri

Brenda ditës së parë z. Veseli vizitoi edhe Degën e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes. Para studentëve, të cilët i bëjnë hapat e parë në studimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, ai rikujtoi se në fillim të shekullit të XX-të Sofja ishte një qendër shumë e rëndësishme kulturore dhe politike e Rilindjes kombëtare shqiptare.

Ditën e shtunë Kryetar Veseli mori pjesë në punimet e asamblesë parlamentare në kuadrin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Kryesia bullgare e këtij forumi përfundoi me një sesion me temë “20 Vjet SEECP: Regjioni – realitetet e reja dhe shkëmbimi i perspektivave”. Për pjesëmarrje në Sofje mbërritën parlamentaristë nga 12 vende të regjionit. Në deklaratën e tyre përfundimtare ata bënë thirrje për bashkimin e përpjekjeve për komunikim më aktiv për realizimin e reformave të cilat të garantojnë qëndrueshmërinë, demokracinë, sundimin e ligjit, prosperitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Parlamentaristët e SEECP drejtuan apel institucioneve evropiane që të punojnë bashkërisht për përballimin e presionit të migracionit në Evropë përmes përforcimit të dialogut dhe bashkëpunimit regjional. “Republika e Kosovës është anëtari më i ri i organizatës që mbledh kuvendet e shteteve të SEECP dhe do të kontribuojë në realizimin e objektivave në njërën anë, ndërsa në anën tjetër do kontribuojë për stabilitet, paqe, dialog dhe bashkëpunimit me interesa reciproke”, theksoi kryetari i Kuvendit Kadri Veseli gjatë forumit në Sofje.

Снимка

Vizita e Kryeparlamentarit Veseli përfundoi ditën e diel në Bansko. Vitet e fundit ky qytet i vogël malor u shndërrua në qendër të skijimit ku mbahen bile kupat botërore të skive apline. Shënojmë rritje të numrit të turistëve nga Kosova, vuri në dukje Kryetari i Banskos z. Georgi Ikonomov, i cili ia dorëzoi Kryekuvendarit Veseli shenjen e nderit të qytetit. “Si qytetar nderi i qytetit tuaj, do të jem zë i këtij shembulli të mirë bashkëpunimi dhe do të vazhdoj të promovoj bashkëpunimin ndërmjet shteteve dhe qyteteve tona. Sikur Bansko në Bullgari, ne kemi vende me potencial të madh turistik, si Brezovica, Prevalla, Brodi, Shala e Bajgorës etj. Është koha të bashkëpunojmë më shumë me njëri-tjetrin, të këmbejmë vlerat tona me njëri-tjetrin, të rrisim cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, duke zënë vendin tonë në Evropën e bashkuar”, theksoi z. Veseli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button