Home / Arte / Libri / Besa Myftiu,15 librat që nuk duhen humbur

Besa Myftiu,15 librat që nuk duhen humbur

Besa_Myftiu-212x320Librat që kanë lënë gjurmë te Besa Myftiu dhe që do t’i rrëmbente nga biblioteka e madhe e botës, për t’i veçuar si librat e saj të dashur. Nga “Novelat” e ndjeshme të Stefan Cvajg, ku një grua mund t’i hedhë paratë në kumar për dashurinë, te Dostojevski, Gogoli apo Shekspiri… Si poete ajo nuk mund të mos veçonte Eseninin, Pushkinin dhe Uollt Uitmanin…

Nga Alda Bardhyli

“Gjithë natën mendova për ty, pa të njohur akoma. Unë vetë kisha vetëm një duzinë librash të lirë, të lidhur me karton të dobët, të cilët i doja më shumë se çdo gjë tjetër dhe i lexoja vazhdimisht. Dhe tani po më mundonte pyetja se si duhej të ishte vallë ai njeri, të cilit i përkisnin dhe që i kishte lexuar të gjithë këta libra të mrekullueshëm, që dinte gjithë këto gjuhë dhe që ishte aq i pasur e njëkohësisht aq i ditur. Ndjeva njëfarë admirimi mbinjerëzor, që m’u shtua edhe më tepër nga ata libra të panumërt. Përpiqesha të parafytyroja: të kujtoja një burrë të shkuar nga mosha, me syze e me një mjekër të gjatë e të thinjur, të ngjashëm me profesorin tonë të gjeografisë, vetëm se më shumë bujar, më të pashëm e më të butë. Nuk e di pse qysh atëherë qesh e sigurt se ti duhej të ishe i pashëm, megjithëse të parafytyroja plak… Pa kuptuar, unë ndjeva atë që ndiente çdo njeri te ti: që ti bëjë një jetë të dyfishtë, një jetë me një faqe të çelët, të kthyer ndaj botës, dhe me një tjetër krejt të errët, të cilën e dije vetëm ti, dhe këtë dyzim të thellë këtë të fshehtë të qenies sate, unë trembëdhjetëvjeçarja, krejt e magjepsur, e ndjeva që në vështrimin e parë…” Këto pasazhe janë shkëputur nga novela “Letra e një të panjohure” e Stefan Cvajg, përkthyer në shqip nga Vedat Kokona. Një nga shkrimtarët më të mirë të viteve ‘20-‘30 Stefan Cvajg vijon të jetë edhe sot një ndër më të lexuarit. Letra e ndjerë e së panjohurës, që besonte deri në fund te dashuria gati-gati e pashpjegueshme me zotërinë e librave, është ndoshta një nga më të bukurat e Cvajg, po aq sa dhe “24 orë nga jeta e një gruaje”. Gratë e Cvajgut i dorëzohen dashurisë dhe u dalin përpara sfidave për të pasur pranë njeriun e zemrës. Ashtu si gruaja që humbi gjithë paratë në kumar, vetëm nga vështrimi dhe mbrëmja që kaloi me një djalosh. Apo ëndërrimtarja te “Padurimi i zemrës”, që është një prej personazheve që solli në histori pritjen e bukur dhe moderne. I botuar më 1938-n, libri mbart teorinë psikoanalitike të ndjenjës së fajit, ku dashuria fajtore kurorëzohet me një vetëvrasje të dëshiruar e të kërkuar nga dy personazhet kryesore të librit (Një fund të tillë pati dhe Cvajg, bashkë me të dashurën Charlotte Altmann). Besa Myftiu e ka lexuar herët Cvajgun. Novelat e tij shpalosnin para vajzës që dëshironte të shkruante, një botë nga ku nuk donte të dilte. Ai kishte aftësinë të trondiste dhe njëkohësisht të nxiste drejt rrugëve që shkëlqejnë në jetë, dhe pse mund të duken të pamundura. Sot, kaq vite pas prekjes së parë nga letërsia e Cvajgut, tashmë si një shkrimtare e konsoliduar, Besa zgjedh pikërisht librin me Novela të tij, në morinë e librave që nuk duhen humbur pa lexuar në bibliotekën e madhe të botës. Për një vajzë të rritur mes librave është e vështirë të veçojë prej tyre disa që i ka dashur më shumë, pasi çdo libër ka lënë tek ajo një gjurmë apo e ka shpënë diku. “E kam shumë të vështirë të zgjedh midis librave të mi të dashur 15 libra që nuk duhen lënë pa lexuar. Megjithatë, po e bëj një përzgjedhje. Jam e sigurt se nesër do të kujtohem për romanë, novela e poezi apo përmbledhje me përralla (të Andersenit p.sh.) që nuk i kam përmendur”, thotë Myftiu, e bindur se nëse do t’i duhej të bënte një listë, ajo është tepër e gjatë. Nëse Cvajg nuk duhet humbur për ndjeshmërinë, Dostojevski është një shkrimtar që e ka shpjeguar aq mirë shpengimin e njeriut modern. Besa zgjedh librin e tij “Idioti” në listën e librave që nuk duhen humbur. Heroi dhe protagonisti i këtij romani, princi Mishkin, pasardhësi i një familjeje të vjetër fisnikësh, biond rreth të 20-ave, është një personazh që sfidon kohën me mesazhet që mbart. Ky është një libër jo vetëm për Rusinë, por për të gjitha vendet që kërkojnë të hedhin vështrimet tek e shkuara. Xhek London është një shkrimtar i dashur për lexuesit shqiptarë. Besa zgjedh “Martin Iden”, në bibliotekën e madhe të botës, për ta vendosur në listën e librave që nuk duhen humbur. Proza e tij mbetet një nga më të fuqishmet në antologjinë amerikane dhe jo vetëm. Ishte dhe mbetet shkrimtari anglosakson më i përkthyer në të gjithë botën, sidomos në Europë. London ishte një shkrimtar me ide socialiste, por shumë romantik, naiv, konfuz dhe kontradiktor. Megjithatë vepra e tij gjeti përhapje shumë shpejt në Bashkimin Sovjetik, në vendet e kampit socialist, si dhe në Shqipëri. E një grua që shkruan poezi nuk ka si të mos e ketë në çantën e saj, një autor si Uollt Uitman. “Fije bari” është libri me poezi që ajo zgjedh nga ky autor, për ta bashkangjitur te librat e tjerë që nuk duhen humbur. Shekspiri nuk ka si të mungojë në kolazhin e veprave që të mësojnë gjuhën e botës. “Mbreti Lir” është vepra që Myftiu veçon në morinë e tragjedive dhe komedive që ende shijohen prej tij. Historia e Mbretit Lir që vendos të ndajë mbretërinë ndërmjet tri bijave, vazhdon të ngjitet edhe sot në teatro në botë, për të treguar nihilizmin. E gjithë vepra përshkruhet nga pesimizmi dhe kjo është ajo që e bën atë si një nga veprat më të preferuara të shekullit XX. Tolstoi, si një nga shkrimtarët më të lexuar para viteve ’90, është në listën e librave të Besës, me veprën “Ringjallja”, për të vijuar më pas me “Ushtarin e mirë Shvejk” e Hashek, dhe lirikat ruse të Eseninit dhe Pushkinit. “Tregimet e Petërburgut”, e çon Besën sërish në letërsinë ruse për të marrë prej saj një vepër të Gogolit. Nën përkthimin e Mitrush Kutelit, këto tregime lexohen më ëndje ende sot. Gogoli e trajtoi artin e të shkruarit si një lojë, dhe e luajti me pasionin më të madh. Letërsia ruse duket se ka qenë një prehje e bukur për Myftiun, ndoshta dhe për faktin se ka qenë një nga letërsitë më të përkthyera në Shqipërinë komuniste. Stendal është një tjetër shkrimtar që ka ndikuar në rritjen e Besës si shkrimtare. “E kuqja dhe e zeza” është një libër, të cilin ajo e merr pa mëdyshje për ta vendosur bri librave të saj të dashur. Historia e të riut inteligjent e ambicioz, Zhylien Sorelit, që ka fatin të arsimohet dhe guximin e ambicien të dallohet në shoqërinë e lartë, është gjithmonë aktuale. Dy dashuritë e tij, zonja Dë Renal dhe Matildë dë la Mol, janë simbol i kundërshtive të egra që përplasen në shpirtin e Zhylienit. Në librat e dashura të një shkrimtareje femër, nuk ka si të mungojë Ema Bovari, një grua kaq joshëse e krijuar nga Floberi. Ema Bovari është një vajzë provinciale që lexon shumë libra romantikë dhe ka marrë një formim konservator në manastir. Për shkak të letërsisë romantike që lexonte, Ema bën zgjedhjet e gabuara në jetë, humbet lidhjet me realitetin dhe shndërrohet në një viktimë të pasioneve të saj, të cilat e orientojnë drejt aventurave të pafundta. Ema dëshiron ndryshimin në jetën e saj, por problemi qëndron me faktin se ajo është heroinë pasive: nuk vepron vetë për të dalë nga monotonia, por varet prej personazheve të tjerë. Në kohën që u shkrua romani, shoqëria franceze kalonte një krizë shoqërore, ekonomike, psikologjike, morale dhe filozofike. Romani ka si qëllim të demaskojë vlerat false të shoqërisë, moralin hipokrit të saj, kotësinë e letërsisë romantike dhe influencën negative të saj. Ajo është viktimë e realitetit francez që ishte duke u bërë provincial dhe karakterizohej nga amullia dhe shpërbërja. Nëse për Balzakun provinca ishte diçka që kundërshtonte Parisin, për Floberin gjithë realiteti francez po bëhej provincial. Romani fshikullon përmbysjen e principeve në Paris, ku shkelja e kurorës nuk përbënte skandal. “Evgjeni Grande” nga Balzak dhe “Kështu foli Zarathustra” nga Niçe, janë dy librat e fundit që Myftiu merr për t’u bashkangjitur librave që ajo s’mund t’i linte pa lexuar, e bindur se janë pafund titujt apo personazhet që do të donte t’i merrte në bibliotekën e madhe të botës. Besa Myftiu është autore e nëntë veprave në gjuhën frënge dhe e tri veprave në gjuhën shqipe si “Miq të humbur” (poezi), “Rrëfime nga vendet e harruara”, roman, “Drejt së pamundurës”, tregime.

Librat që do të zgjidhte Besa Myftiu

– Idioti, Dostojevski

– Martin Iden, Xhek London

– Fije bari, Uollt Uitman

– Mbreti Lir, Shekspir

– Ringjallja, Tolstoi

– Ushtari i mirë Shvejk, Hashek

– Lirika, Esenin

– Poezi, Pushkin

– Dhjetë novela, Çehov

– Tregimet e Petërburgut, Gogol

– E kuqja dhe e zeza, Stendal

– Madame Bovari, Flobert

– Novela, Cvajg

– Evgjeni Grande, Balzak

– Kështu foli Zarathustra, Niçe

Leave a Reply

%d bloggers like this: