Politika

Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR për 14 majin: Fushata me tone të moderuara

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR në raportin e ndërmjetëm për dy javët e para të fushatës së zgjedhjeve të 14 majit vuri në dukje se “fushata ka qenë relativisht modeste dhe me ton të moderuar deri më tani”.

Misioni vë në dukje në raport se fushata zgjedhore filloi zyrtarisht në datën 14 prill dhe përfundon një ditë përpara zgjedhjeve, mesnatën e ditës së premte, 12 maj dhe nuk lejohet të bëhet fushatë një ditë para ditës së zgjedhjeve ose në ditën e zgjedhjeve.

“Partitë politike të mëdha e kanë filluar zyrtarisht fushatën. Ato duken të jenë të orientuara më tepër ndaj profileve të kandidatëve sesa platformave specifike politike të tyre, ku zgjedhjet e këshillave kanë kaluar në plan të dytë krahasuar me zgjedhjen e kryetarëve të bashkisë. Ndërkohë që grupet kryesore të opozitës e nisën fushatën e tyre me takime publike, PS në pushtet ka deklaruar që ka synim të ketë një fushatë jo të bujshme”, theksohet në raport.

“Përgjithësisht, fushata është e dukshme, veçanërisht në Tiranë, ku MVZ-ve të ODIHR-it ka vërejtur një prani të konsiderueshme të materialeve të fushatës në terren, përgjithësisht deri më tani ekskluzivisht nga PS. Disa garues iu shprehën MVZ-së të ODIHR-it që kishin planifikuar ta bënin fushatën në medie sociale, me vizita derë më derë, takime të vogla me zgjedhës, dhe postera të vegjël”, vijon raporti.

“Fushata në objektet publike është e ndaluar. Vendimi Nr. 9 i KQZ, i vitit 2020 miratuar me qëllim që të kufizonte mundësinë e përdorimit të burimeve të administratës, ndalon aktivitetet politike nga nëpunësit gjatë orarit të punës. KQZ-ja është e autorizuar të shqyrtojë me kujdes të gjitha veprimtaritë e institucioneve publike për të identifikuar abuzimin e burimeve publike dhe të ndalojë veprimtaritë që nuk janë në përputhje me ligjin. Për të monitoruar përputhshmërinë, KQZ në janar 2023 ka caktuar 119
monitorues dhe ka krijuar një mekanizëm raportimi javor”, thuhet në raport.

“Duke filluar nga katër muaj përpara ditës së zgjedhjeve dhe deri në formimin e qeverisë së re, autoritetet nuk mund të propozojnë, të miratojnë, apo të nxjerrin vendime që parashikojnë rritje të përfitimeve financiare. Në lidhje me këtë, shumë bashkëbisedues të MVZ-në të ODIHR-it kanë ngritur shqetësime për vendimin e 31 marsit që parashikon një bonus prej 5,000 lekësh (përafërsisht 44 euro) për pensionistët, që do shpërndahet në prill, si dhe premtimet për rritjen e pagave të grupeve të ndryshëm të punonjësve në sektorin publik, të shprehura në disa raste gjatë prillit nga kryeministri. Meqënëse disa
palë të interesuara shprehën shqetësimin për mosreagimin zyrtar të KQZ-së, Komisioneri u shpreh publikisht se sipas interpretimit të tij, dispozita përkatëse në Kodin Zgjedhor ishte e zbatueshme vetëm për zgjedhjet parlamentare. Në 22 prill, në Kamzë (në qarkun e Tiranës), z. Rama deklaroi, ndërkohë që i referohej në mënyrë përçmuese kandidatit të Komisionit të Rithemelimit të PD, se mbështetja e qeverisë së ardhshme ndaj bashkive do kushtëzohej nga rezultati i zgjedhjeve”, vë në dukje raporti.

“Më 24 mars, kandidati i Komisionit të Rithemelimit i kërkoi Prokurorisë së Posaçme kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të fillojë hetimin penal ndaj Kryeministrit Rama dhe të tjerëve lidhur me shpërndarjen dhe përdorimin e aplikacionit “Aktivisti”, prezantuar në 2022 nga PS. Kërkesa e kandidatit sugjeron që aplikacioni përdoret brenda administratës publike të kontrolluar nga PS, për të kontrolluar veprimtarinë nëpër media sociale të punonjësve vartës në sektorin publik për të mbështetur aktivitetet e PS dhe zyrtarëve qeveritarë dhe liderëve të partisë në rrjetet sociale”, përfundon raporti pjesën e vëzhgimit sa i takon fushatës zgjedhore.

Raporti përmban po ashtu gjetje në lidhje me financimin e fushatës, mbulimin mediatik, ankimin administrativ e gjyqësor, dhe vëzhgimin e zgjedhjeve.

Lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve, në raport thuhet se “Kodi Zgjedhor parashikon vëzhgim jopartiak të brendshëm dhe ndërkombëtar të të gjitha fazave të procesit zgjedhor. Partitë dhe koalicionet parlamentare mund të emërojnë përfaqësues të përhershëm në KQZ, ndërsa subjektet e tjera zgjedhore kanë të drejtë të emërojnë përfaqësues vetëm për periudhën zgjedhore. Subjektet zgjedhore, pasi janë regjistruar, mund të caktojnë një vëzhgues në KZAZ-të dhe KQV-të përkatëse dhe në çdo tryezë numërimi të votave. Koalicionet mund të caktojnë deri në tre përfaqësues për komision ose tavolinë numërimi, pavarësisht nga numri i partive në koalicion. Afati i fundit i paraqitjes së ankesave për akreditim për vëzhguesit vendas jopartiakë është 15 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe 72 orë për vëzhguesit ndërkombëtarë. Që nga 22 prilli, KQZ ka regjistruar gjithsej
180 vëzhgues vendas nga 10 organizata të shoqërisë civile dhe 131 vëzhgues ndërkombëtarë”.

Në lidhje me financimin e fushatës raporti vëren: “Shpenzimet totale të fushatës për një parti nuk duhet të tejkalojnë 300 për qind, dhe ato të kandidatit të pavarur 50 për qind, të masës më të lartë të fondit publik të shpërndarë për një parti, bazuar në rezultatin
e zgjedhjeve të fundit vendore. Meqënëse këto fonde u përcaktuan më 22 prill, kufiri i shpenzimeve u bë i njohur për garuesit mbasi fushata kishte filluar.

Çdo garues duhet të regjistrojë çdo dhurim që merr, si dhe të dhëna identifikimi të dhuruesve, në një regjistër të veçantë të miratuar nga KQZ. Garuesve nuk u kërkohet të nxjerrin publikisht, përpara ditës së zgjedhjeve, burimin dhe vlerën e fondeve të mbledhura por duhet të dorëzojnë raporte financiare brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar. Kodi Zgjedhor paraqet një listë sanksionesh për shkeljet financiare gjatë fushatës. 120 monitoruesit e fushatës të caktuar nga KQZ, gjithashtu vërejnë
zbatimin e rregulloreve lidhur me financimin e fushatës”.

Misioni i vëzhguesve ndalet edhe tek regjistrimi i kandidatëve, ku vëren mes të tjerash se: “Gjithsej 40 parti dhe koalicione me 144 kandidatë për kryetar bashkie dhe rreth 23,700 kandidatë për këshillat bashkiakë, janë duke garuar për 61 pozicione për kryetar bashkie dhe 1,603 pozicione për anëtarë këshilli, duke përfshirë dy kandidatë të pavarur për kryetar bashkie dhe dhjetë për këshillat bashkiakë.

Vetëm 15 nga 144 kandidatët për kryetar bashkie janë femra. Dyzet kandidatë janë ende
nën shqyrtim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe vendimi përfundimtar mbi pranueshmërinë e tyre është pezull”.

Në lidhje me regjistrimin e zgjedhësve, misioni vëren se: “Listat përfundimtare të zgjedhësve përmbajnë gjithsej 3,650,550 zgjedhës”.

“Identifikimi i zgjedhësve në ditën e zgjedhjeve kryhet me pajisje elektronike të identifikimit offline që përmbajnë listat e zgjedhësve të të gjitha qendrave të votimit. Zgjedhësit duhet të kenë karta identiteti ose pasaporta biometrike për të verifikuar identitetin e tyre dhe gjurmët e gishtave të tyre skanohen në vend të një nënshkrimi për të konfirmuar se ata janë identifikuar. Një konfirmim me të dhëna personale
dhe një foto printohet dhe ruhet nga KQV-të për verifikimin paszgjedhor. Rekrutimi i operatorëve teknikë për identifikimin e votuesve po vijon dhe KQZ-ja ka informuar MVZ-në e ODIHR-it se numri i kufizuar i aplikimeve për këto pozicione në disa zona mund të ndikojë në përgatitjet e ditës së zgjedhjeve”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button