Opinion

Kush me pallë luan – nga palla vdes

Berat Buzhala
Berat Buzhala

I kuptoj, por nuk i mirëkuptoj, tendencat e burrave shqiptarë, gazetarëve dhe analistëve, që këto ditë janë vënë në mbrojtje të kolegut tonë, moderatorit Sokol Balla, i përfshirë këto ditë në një skandal fatkeq, në një video komprometuese. Por, as nuk po i kuptoj, e as nuk po i mirëkuptoj, ca gra që gjithashtu janë bërë pjesë e koalicionit pro Balla.

Kjo histori nuk është kaq e thjeshtë siç paraqitet. Pra, nuk ishte Sokoli një djalë i rëndomtë i kësaj shoqërie që mediet i kanë rënë në qafë, pse i paska rrjedhur një video në internet. Ndonjë torollak, madje, e krahason rastin Balla edhe me episodet që ndodhin brenda Big Brother.

Rasti Sokol Balla duhet të shikohet prej dy këndeve: E para, nëse videoja që po qarkullonte në internet përbënte lajm; dhe e dyta nëse Balla duhej të largohej nga vendi i punës.

Nëse një figurë publike, një gazetar, i njohur në dy shtete, Kosovë dhe Shqipëri dhe disa krahina të dy a tri shteteve tjera, tek shqiptarët në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, shihet duke kryer lojëra seksuale online – ne ende nuk e dimë me kënd – patjetër që përben lajm.

Gazetarët nuk janë qeveritarë, nuk janë persona që paguhen nga pushteti – së paku jo zyrtarisht – mirëpo ata janë persona publik, janë VIP’a, ose së paku kështu dëshirojnë të njihen, dhe për ketë arsye interesi për të ditur për ta është i jashtëzakonshëm.

Për ta raportohet kur fejohen, kur martohen, kur ndahen, kur vdesin. Raportohet sesi vishen, e sesi nuk vishen. Japin dhe marrin intervista. Me një fjalë, gazetarët, e sidomos profili i moderatorëve të emisioneve me renome, siç patjetër është Top Story i Ballës, në trojet tona janë aq të rëndësishëm sa nuk i dënon as policia në trafik. Ata konsiderohen të veshur me pushtet të plotë. Sepse ata flasin në telefon direkt me Kryeministrin, Ministrin, Presidentin etj.-etj.

Nëse qenka puna kështu, dhe është kështu, atëherë si nuk përbëka lajm kur të tillët, që ne jemi mësuar t’i shohim të veshur me kostumet me të shtrenjta, të ndara në tri pjesë, me kravata Hermes, me këpucë ku janë më të shtrenjtat, orë që kushtojnë së paku me 5 shifra, na shfaqen befasisht ashtu si i ka lindur e ëma. Por nja 40 vjet më të vjetër. Dhe në dorë nuk e ka më bibilushin, por një pallë të vërtetë, të cilën e tundë para dikujt që ne nuk e njohim.

Dhe siç do të thoshte Jezu Krishti “Kush me pallë luan, nga palla do të vdesë”. Sigurisht Jezusi nuk ka menduar për pallën si eufemizëm për atë çfarë pamë nga videoja e Sokolit, por ka menduar për pallën si eufemizëm për atë se me çfarë merremi ne. Saktësisht ketë edhe po e mendoj.

Ne që korrim privilegjet e të qenit të famshëm, patjetër që jemi të famshëm, edhe për keq. Me një fjalë pse bën të raportohet për ‘zogun e Tunës’ dhe jo për ‘këndesin e Ballës’.

Baton Haxhiu, Mustafa Nano dhe të tjerët, do të mund të thoshin, gjithmonë duke u nisur nga proverbat e Jezusit, se ai kishte thënë edhe ‘le ta hedhë gurin i pari mbi Maria Magdalenën ai që nuk ka mëkatuar’.

Ky më duket pak a shumë argumenti kryesor mbrojtës për Ballën, të cilit vetëm sa nuk po propozojnë t’i ngrihet një lapidar për së gjalli për heroizmin e treguar. Vetëm se Maria ishte penduar për mëkatin. Dhe ne ende nuk e dëgjuam Ballën të deklarohet. Dhe kjo është më e pakta që ai ia ka borxh publikut. Sepse qartazi, dhe për ketë ka një konsensus, femra në chat nuk ishte edhe bashkëshortja e gazetarit Balla. Prandaj, ai do të duhej të kishte reflektuar dhe drejtuar publikut me një kërkim falje.

Mirëpo si shoqëri e egër maskuliste, ne, prapë i jemi turrur asaj femrës në video, për të cilën nuk dimë gjë, ose unë nuk di gjë, se ajo qenka fajtore.

Kjo nuk është hera e parë. Femrat, në viset shqiptare tash e sa kohë, edhe kur vriten ose aksidentohen, në vetura të burrave të fuqishëm, zakonisht përfundojnë si mos më keq në kronika të lajmeve – si iniciale.

Ose hiqen shpejt e shpejt nga vetura, qoftë ajo edhe në disa copa. E rëndësishme është që të mos cenohet morali i burrave të fuqishëm shqiptarë.

A është kjo prapë porosia që po e marrim? A dëshirojmë të themi se ajo femra në chat është një kurvë e ndytë që dëshiron ta përlyejë të përndritshmin Balla?

Rreth kësaj pike unë nuk kam çfarë të komentoj më tepër, përveçse ta lus Haxhiun, Nanon dhe të tjerët që të më informojnë se kur e kanë ndërmend t’i bëjnë gjyqin asaj vajzës. Nëse vazhdojnë edhe me disa shkrime ndoshta do të më bindin që ta sjell benzinën nga Prishtina. I bindur jam që pushteti i Edi Ramës me kënaqësi do ta sjellë të lidhur në këmbë dhe në duar.

Ah po, se tash mu kujtua. Pse edhe më tutje përbëjnë lajm disa foto nudo të Kryeministrit Edi Rama, të kohës kur ai nuk ishte Kryeministër. Nëse nuk e kam gabim, në atë kohë Rama kishte qenë beqar dhe gjithashtu fotot ishin realizuar në një plazh të nudistëve. A realisht, në rastin Rama lajm do të ishte nëse ai do të futej i veshur në atë plazh.

Po kurthi që i ishte bërë Ylli Pangos? I ishte dërguar një gazetare e kamufluar, po në shtëpinë e tij? Dhe dhjetëra raste të tjera kur ne gazetarët ua punojmë të tjerëve. Kjo është palla që ne rrezikojmë të biem në të.

A duhet të pushohet nga puna moderatori Sokol Balla?

Top Channel padyshim që vazhdon të jetë lider dhe model për televizionet, jo vetëm shqiptare. Standardet që udhëheqësit e këtij mediumi i kanë vënë janë jashtëzakonisht të larta. Pothuajse të paarritshme. Mirëpo, Top Channel nuk është televizion publik, a shtetëror, siç është bie fjala BBC, e cila ditë më parë e përjashtoi nga puna të famshmin Jeremy Clarkson, për sjellje të pahijshme – një përplasje jashtë orarit të punës me një punëtor tjetër të këtij mediumi. Ishin zënë në darkë.

Pra, nuk është në fuqinë tonë që t’i kërkojmë një televizioni privat se kush mund të punojë e kush jo aty. Kjo është krejtësisht në diskrecionin e televizionit. Ata duhet të vendosin nëse duhet të vazhdojë ose jo Balla ta udhëheq një emision Top.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button