Opinion

Një “martir” që mban në arrest opozitën

Nga Ylli Pata

Pikturimi i mbramë i figurës së martirit nga mbështetësit mediatikë të Sali Berishës ka arsye pse nuk po ngjit. Sepse fabula e martirit, është në kundërshtim me atë të “mbinjeriut”, “Kronosit që ha të birin”, apo “Katallanin” që na e kanë treguar me vite, përmbledhur me refrenin viral: “Jam Sali Berisha unë o budallenj!”.

I gjithë ky stres që po kalon opinion public, vetëm si pasojë e një logjike pa logjikë që e mbushin njerëzit e tij mediatike 24 orë e ditë për ditë, nuk ka as sens e as masë.

Natyrisht që do të vijë më pas si një boomerang jo vetëm në fytyrën e ideatorit, por edhe atyre që ndodhin pranë tij, duke shpikur një axhendë të improvizuar prej 10 vjetësh, vetëm e vetëm që të shmangë “Ditën e Gjykimit”. Një dialektikë e rreptë ku nuk i shpëton askush, e kjo si në qitapet e librat e shenjta, ashtu edhe në idetë humaniste që sollën në botë laikët apo ateistët.

Dita e gjykimit ka ardhur, vjen e do të vijë për këdo që ka gjenë dikushi në këtë botë, e sidomos për ata që kanë udhëhequr. Në vitin 1992, kur Sali Berisha burgosi Ramiz Alinë dhe kolegët e tij të udhëheqjes komuniste, Partia Socialiste do të fitonte pikë kalimtare nëse do ta ngrinte çështjen e tyre në politike. Pasi do të mblidhte rreth vetes menjëherë nostalgjikët e veteranët, që ishin ende në një moshë aktive, e të aftë për të mbushur sheshet e natyrisht zhurmuar opinionin publik.

Por Ramiz Alia u fut në burg, më pas doli në arrest shtëpie, e më pas sërish në burg, prej kur doli i fundit kur u hapën burgjet në vitin 1997. Por askush nuk u kujdes për të, përveç njerëzve të afërt, familjarë e miq. Njësoj ndodhi me Nexhmie Hoxhën, e shumë të tjerë udhëheqës komunistë. Të gjithë e pritën gjykimin si ojesë e dialektikës; “Do të vinte një ditë kjo punë”, thonin.

Në fakt as nuk ka dyshim se do të vijë një ditë, por e rëndësishme është si përballesh me atë ditë, çfarë thua, e çfarë i ushqen ndjekësit e mbështetësit.

Sali Berisha, sado Fatos Lubonja dhe të tjerë duan të ngjizin tashmë mitin e martirit, nuk e ka pranuar vetë këtë status.

Pasi ai ka qenë ai “Ujku” që tregon dhëmbët dhe jo qëngji i mirë që pi dy nana. “Mjek shëro veten”! i thoshte Fatos Nano Sali Berishës nga burgu 313 në intervistën e tij të parë pas arrestimit, duke perifrazuar Jezu Krishtin. Por Sali Berisha i përgjigjej me forcë, vendosmëri e egërsi, duke krijuar kështu tipologji të ndryshëm lideri nga rivali i tij socialist.

Madje gjithë këto vite, akuza apo sharja më e madhe ndaj kundërshtarëve të tij ka qenë “ata janë frikacakë e unë trim. Jam Sali Berisha unë o budallenj”.

Shto këtu, edhe sjelljen e drejtësisë ndaj tij, ku e trajtojnë me kujdes, duke i dhënë që në fillim mundësinë që të mbrohet në liri. “Me detyrim paraqitje”. E martir me detyrim paraqitje as nuk ka as nuk pa pasur.

Ndërkaq, lëvizja e tij politike prej dy vjetësh për ta ruajtur për këtë ditë është martirizimi më i madh që Sali Berisha i ka bërë opozitës, hapësirës së saj, kohës, e natyrisht vibrimit normal që një shoqëri opozitare duhet të ketë në një vend.

“Opozita Jam unë”, thotë Sali Berisha, duke dhënë një model me pasqyrën përballë, ku Edi Rama thotë “Qeveria, mazhoranca, Partia Socialiste jam unë”.

Në rastin e një opozite, ngulfatja e kauzës duke i rënë kavallit me një vrimë, vetëm burgos atë madje jo në shtëpi, por në burg pa afat.

Kur Fatos Nano ishte në burg, në Partinë Socialiste lëviznin liderët e rinj për të marrë protagonizëm, duke mbetur ditë për ditë në media, konferenca brenda vendit dhe ndërkombëtare.

Kur ishte Fatos Nano në burg, opozita nuk ishte një zë, por ishte aq laroshe, sa kishte brenda saj nga më ekstremët e të majtës, e deri tek qendra e ndoshta edhe djathtas. Ishte Aleanca Demokratike, Partia Socialdemokrate, partitë e vogla, e mbi të gjitha një kor i rëndësishëm mediatik e intelektual që u vu në qendër të mendimit dhe idesë opozitare. Edi Rama ishte një nga këto zërat mediatikë që fuqinë e famën popullore e mori pikërisht me aksionin e tij mediatik kundër PD-së dhe mazhorancës së Sali Berishës.

Por natyrisht Rama nuk ishte i vetmi, pasi në “boulevard” kishte zëra pa fund gazetarësh, opinionistësh dhe intelektualësh që gëlonin ditë për ditë, ndërsa Fatos Nano ndodhej atje në qelitë e ftohta të burgut të Tiranës e më pas në atë të Bënçës në Tepelenë. i cili më shumë se për sulmin ndaj prokurorëve, interesohej si të gjente mundësi të komunikonte me mediat, të analizonte politikën, apo të shkundte Partinë e tij. E mbi të gjitha merrte e dërgonte letra pa fund në ekipin drejtues të PS-së, por edhe me fansat që i shtoheshin përditë.

E kështu u kthye në një martir politik, nga një i dënuar për afera korruptive. Fatos Nano nuk u mor asnjë ditë me prokurorin e tij, i cili si për ironi të fatit është as më pak e as më shumë por avokati kryesor i Sali Berishës sot. “Rastësi”? Edhe mundet, por zor se e bëson kush. Ajo opozitë drejtoi beteja në vite ndaj Sali Berishës, ku shpesh herë protagonist ishin më shumë PAD e Cekës apo PSD e Gjinushit sesa PS-ja e regjencës katër nënkryetarëshe. Kur Fatos Nano doli nga burgu, opozita e tij jo vetëm ishte bërë gati për pushtet, por ishte në krye të qeverisë me të ndjerin Bashkim Fino. Nano, thjeshtë udhëhoqi fitoren e madhe të vitit 1997, duke përdorur si devizë pajtimin e jo hakmarrjen. Dhe nëse PS humbi pikë vitet e para, pëpara se të zhytej thellë në sherrin e brendshëm e korrupsionin e madh, vetëm sepse nuk po ndëshkonte Sali Berishën.

Madje kryengritja e madhe, apo revolucioni i egër nisi pikërisht kur u arrestuan 6 zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike për trazirat e vitit 1997. Aty Sali Berisha derdhi gotën e vendi u fut në një qerthull dhune të ashpër. E për të mos u përballur me drejtësinë kur i hoqen imunitetin çfarë nuk bëri. Pakt me Pandeli Majkon e Ilir Metën, më pas pakt me Fatos Nanon për të zgjedhur Presidentin, më pas pakt me Ilir Metën për të shkarkuar Kryeprokurorin e Republikës, e u kthye kështu në grupin më të madh të interesit brenda PS-së. E kjo e risolli në pushtet, duke eleminuar e larguar derën e gjykatës. Por a do ta bënte atë përgjithmonë? Po të përballej atëherë, ndoshta sot do flisnim ndryshe…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button