Kosova

Opozita bojkoton Kryesinë e Kuvendit, seanca më 1 dhe 2 tetor pa raportimin e kryeministrit

Partitë opozitare kanë bojkotuar mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, pasi nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e sotme. Megjithatë, kryesia e përbërë nga partitë në pozitë dhe nënkryetarët e Kuvendit, ka caktuar dy seanca, njërën me 1 tetor dhe tjetrën me 2 tetor.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli tha pas mbledhjes së kryesisë se “Kuvendi është vendi ku duhet të jenë partitë opozitare dhe ku mund t’i thonë të gjitha në mënyrë që t’i dëgjojnë qytetarët argumentet e të zgjedhurve të tyre”.

“Kuvendi është vendi i 120 deputetëve që janë zgjedhur nga qytetarët dhe në çdo kohë, në çdo moment do të jenë të lirë të veprojnë brenda kornizave të rregullores së Kuvendit”, theksoi Veseli.

Rreth raportimit të kryeministrit Isa Mustafa për marrëveshjet në Bruksel, Veseli tha se raportimi i kryeministrit është lënë  për më vonë , pasi Mustafa dhe një pjesë e kabinetit qeveritar është në SHBA.

Në seancën e kaluar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bëri thirrje për organizimin e një tryeze për të gjithë liderët e partive politike për të biseduar rreth situatës aktuale politike, por gjatë kësaj kohe nuk është marrë asnjë iniciativë nga ai.

Veseli u shpreh se nuk i takon atij që të thërras një tryezë të tillë, por i ka bërë thirrje presidentes Jahjaga që ta bëjë një gjë të tillë.

Deklaratat e ish liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti se do të ketë tërmete politike në Kosovë, kreu i Kuvendit i ka cilësuar si gjuhë politike, e cila shfrytëzohet në rrethana politike.

Në seancën e 1 tetorit do të diskutohen pikat e rendit të ditës që kanë mbetur nga seanca e kaluar, kur ishte ndërprerë, ndërsa të premten më 2 tetor do të jetë seancë e re me pika të reja. Me kërkesë të shefes së grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila edhe kishte kërkuar interpelancë me ministrin e Bujqësisë Memli Krasniqi, është hequr nga rendi i ditës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button