Politika

Vatikani flet shqip, yjet e trojeve shqiptare këndojnë për Nënë Terezën

Yjet e skenës shqiptare janë bërë bashkë mbrëmjen e së shtunës në vigjilje të shenjtërimit të Nënë Terezës, në një koncert të organizuar në bazilikën e Shën Palit, në Romë.

Në fjalën e tij hyrëse, imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës, dha një historik për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.

Në Bazilikën e Shën Palit, që është njëra prej katër bazilikave më të mëdha papnore në Romë, në orën 19:30 nisi koncerti në nderim të figurës së ‘Nënë Terezës, ku performojnë yjet shqiptarë, që karrierën e tyre e zhvillojnë kryesisht në nivel ndërkombëtar. Mes tyre, sopranot e mirënjohura Inva Mula e Ermonela Jaho dhe këngëtarja Rita Ora.

Himni kushtuar Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, me vetë vargje të murgeshës së të varfërve gjatë një udhëtimi nga Irlanda në Kalkutë, kompozuar nga Genc Tukiçi, interpretohet nga diva, Inva Mula, së bashku me orkestrën dhe korin e Filarmonisë së Kosovës, drejtuar nga mjeshtri Bujar Llapaj.

Sopranoja Inva Mula interpreton po ashtu “Ave Maria” të Schubert , ndërsa “Thais Meditation” i Massenet erdhi nën tingujt e violinës së Shkëlzen Dolit.

“Valsi Hyjnor do të jetë një dhuratë për njerëzimin nga shpirti shqiptar, si dëshmi e dashurisë sonë të madhe ndaj njerëzimit, paqes, tolerancës, dashurisë dhe vetëm dashurisë” shkruante më parë Dijana Tosku, ideatorja e këtij himni, në rrjetin e saj social.

Në vijim të koncertit, “Panis Angelicus” interpretohet nga sopranoja Ermonela Jaho ndërsa “Fjalët e Qiririt”, të Limos Dizdarit, nga tenori Ramë Lahaj.

Të pranishëm në këtë koncert janë edhe Lorik Cana për të recituar vargje të Nënë Terezës, e po ashtu Majlinda Kelmendi, Gëzim Myshketa, Lum Veseli, Andi Bajgora.

Një ndër simbolet më të famshme të Krishlindjeve,“What Child is This”  interpretohet nga këngëtarja e famshme me origjinë nga Kosova, Rita Ora, nën orkestrimin e Shpëtim Saraçit.

Koncertin janë duke e ndjekur edhe personalitetet më të larta shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova.

Ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës është shënuar si eventi kryesor i Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan. Kështu, data 4 shtator do të shënohet në Kalendarin Apostol, pikërisht si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button