Kosova

A ka siguri të mjaftueshme në burgjet e Kosovës?

Rasti i fundit i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili vdiq në qendrën e paraburgimit të Prizrenit, para disa ditëve, ka ngritur dyshime rreth asaj nëse Dehari kishte kryer vetëvrasje, apo ishte vrarë.

Ciladoqoftë mënyra e vdekjes së tij, ajo që po shqetëson përfaqësues të disa partive politike, shoqërisë civile dhe qytetarëve është fakti nëse burgjet e Kosovës ofrojnë siguri të mjaftueshme për të paraburgosurit dhe të burgosurit.

E drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se masat e sigurisë nëpër burgje janë rritur, jo vetëm nga rasti i fundit por edhe për raste tjera.

Sipas tij, niveli i sigurisë nëpër Qendra Korrektuese është i mirë, por jo garantues i sigurisë absolute.

“Niveli i sigurisë është i mirë. Masat nuk janë shtuar vetëm për rastin e fundit të Astrit Deharit, por i kemi rritur edhe për punë tjera si është rasti i personave xhihadistë”, tha Zogaj.

Ai gjithashtu tha se është shumë vështirë të mbajnë nën kontroll të gjithë personat të cilët ndodhen nëpër këto qendra të paraburgimit dhe burgje.

“Armë të ftohta mund të zihen gjithkund në botë. Ne bëjmë përpjekje maksimale që ato t’ia heqim mirëpo këto ndodhin si në Dubravë, Lipjan, Smrekonicë etj. Të burgosurit punojnë nëpër punëtori brenda për brenda burgut dhe mund t’i marrin ato. Ato mund të depërtojnë deri në dhomat e burgut”, thotë Zogaj.

Ai po ashtu u shpreh se në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku vdiq Astrit Dehari, nuk ka pas mjete të forta.

“Me thënë të drejtën ne jemi më shumë të koncentruar në armë, drogë, telefona. E sa i përket armëve të ftohta natyrisht që gjatë bastisjeve i tërheqim mirëpo janë gjëra të vogla që mund t’i fshehin afër shtratit ose diku tjetër. Është problem shumë i madh”, konsideron ai.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj po ashtu konsideron se i vetmi burg i sigurt dhe që kontrabandën e ka Zero është Burgu i Sigurisë së Lartë.

“Krejt prokurorët e Evropës kanë qenë në vizitë tek ne dhe janë bind që në Burgun e Sigurisë së Lartë kontrabanda është zero. Gjithashtu edhe nga Brukseli kanë thënë se i vetmi burg në Evropë që ka kontrabandë zero është ky burg”.

Ndërsa, Burim Ramadani, nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, në një prononcim për Telegrafin vlerëson se një rast i vetëm nuk mund të pasqyrojë gjendjen e përgjithshme të sigurisë në burgjet e Kosovës.

Sipas tij, edhe rasti i fundit i kobshëm nuk pasqyron domosdoshmërisht gjendjen aktuale.

“Porse, mbeten shumë pyetje të hapura dhe të rëndësishme sa i përket gjendjes së sigurisë dhe menaxhimit të burgjeve. Gjatë viteve të tëra, të paraburgosurit apo edhe ata që vuajnë dënim gjyqësor, janë parë nëpër qytet apo madje edhe në pushime verore. Në tërësi këto janë tregues të fuqishëm për një menaxhim jo të mirë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ndërhyrjes politike apo të interesit në këtë Shërbim, sikurse edhe pasigurisë për personat brenda apo jashtë burgjeve”, ka thënë Ramadani për Telegrafin.

Ndërsa, nga Ministria e Drejtësisë bëjnë të ditur se gjendja aktuale e sigurisë nëpër burgje të Republikës së Kosovës është e qetë dhe stabile.

Orhan Lahu, drejtor i Komunikimit në Ministrinë e Drejtësisë, në një prononcim për Telegrafin tha se Republika e Kosovës i ka tri Qendra Korrektuese, burgun e Sigurisë së Lartë dhe gjashtë Qendra të Paraburgimit.

“Numri aktual i të burgosurve është rreth 1700. Veprat për të cilat janë të dënuar këta persona janë kryesisht: vjedhje, vjedhje e rëndë, vrasje, vrasje e rëndë, vrasje në tentativë etj”.

Në pyetjen e Telegrafit se si mbikëqyret ushqimi që e konsumojnë të burgosurit ai thotë: “Ushqimi mbikëqyret nga mjeku përgjegjës i institucionit, si dhe ruhet mostra e ushqimit nëpër epruveta për 72 orë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button