Kosova

Veliaj takon kryeministrin Mustafa, të thellojmë bashkëpunimin

Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Prishtinë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kreu një sërë takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit kosovar, në të cilat u shkëmbyen ide për mënyrat se si politikat qeveritare të jenë më produktive për qytetarët shqiptarë në të dy anët e kufirit.

Në ditën e dytë të vizitës, kryebashkiaku Veliaj u prit nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me të cilin bisedoi për progresin që po arrihet në të dyja shtetet, me theks të posaçëm për rezultatet në fusha konkrete që lidhen me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kryeministri Mustafa bëri një parashtrim të zhvillimeve në Kosovë, si dhe të prioriteteve të Qeverisë për zhvillimin ekonomik, mirëqenie sociale, përmirësim të infrastrukturës dhe të cilësisë të jetës së qytetarëve. Ndërsa, Veliaj falenderoi kryeministrin Mustafa për pritjen dhe e informoi atë për punën, projektet konkrete dhe rezultatet kryesore të punës që po realizohet nga Bashkia e Tiranës. Ai theksoi angazhimin e Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve me Kosovën.

Mandej, kryetari i Bashkisë së Tiranës pati një takim miqësor edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin e informoi në lidhje me nismën për konkretizimin e Unionit të Bashkive Shqiptare dhe takimin e parë të përbashkët që ky bashkim do zhvillojë në Tiranë në prag të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ata dhanë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp, ku theksuan nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve dhe nismave që sjellin mirëqenie për shqiptarët.

“Në datat 26-27 Nëntor, përpara Ditës së Pavarësisë, me 5 bashkitë shqiptare më të rëndësishme në rajon, do të përfshijmë edhe të gjithë anëtarët e këshillave bashkiakë, sepse besojmë që përtej kryetarëve, që kanë një mandat, forcat politike që ata përfaqësojnë do të jenë gjithmonë aty. Nëse e fillojmë këtë bashkëpunim konkret mes shqiptarëve në punë të qyteteve që kanë një impakt tek njerëzit, besoj që edhe forcat tona politike i përgjigjen kësaj sfide”, tha Veliaj. Ai gjithashtu vlerësoi optimizmin që ekziston në faktorin politik shqiptar në Kosovë, që arrin të ketë prioritet interesin më të mirë të shqiptarëve.

“Është në interesin e faktorit shqiptar që gjërat të ecin përpara, të mos ketë stanjacion, të kapim kohën e humbur. Ndonjëherë humbasim shumë kohë me debate që duhet t’i kishim zgjidhur shumë shpejt, por optimizmi që dëgjoj më inkurajon se këtu ka një ambicie për të shkuar përtej krizave të momentit dhe për të gjetur gjithmonë zgjidhje në interes të faktorit kombëtar”, theksoi Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur gjithashtu se në kuadër të nxitjes së forcimit të marrëdhënieve me dy vendeve tona do të zhvillohet në mes të tetorit edhe një maratonë, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova.

“Më vjen mirë që përtej çështjeve të politikës dhe të punës kemi gjetur gjuhën e përbashkët edhe për maratonën e Tiranës. Në datën 9 tetor do të kemi një maratonë të Tiranës, si një mënyrë për ta vendosur Tiranën në hartën e aktiviteteve sportive”, tha Veliaj. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, kryebashkiaku i Tiranës dhe homologu i tij, Shpend Ahmeti, përuruan qendrën e re të mjekësisë familjare në Prishtinë, si dhe kopshtin “Shkronjat”. Ai zhvilloi edhe një takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ndërsa sot u u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button