Politika

Majlinda Bregu i përgjigjet kritikëve: Basha “pronar” i PD sa të gjithë ne të tjerët

Deputjetja demokrate, ish-Ministre e Integrimit, Majlinda Bregu i është përgjigjur akuzave të ish-deputetit demokrat Jemin Gjana se po tentojnë t’i marrin drejtimin e PD-së Lulzim Bashës sëbashku me zërat e tjerë kritikë brenda kësaj partie. E ftuar në intervistën e lajmeve të orës 20:00 në Ora News, Bregu tha se Basha është bashkëpronar i PD me të gjithë deputetët dhe anëtarët e tjerë demokratë. Bregu insiston se PD duhet të shohë problemin edhe tek vetja për humbjen në Dibër, megjithë problematikat që kanë denoncuar kolegët e saj për proçesin. Siç thotë Bregu, “nuk mund të ndaj të njëjtin mendim me kolegë të cilët kanë përfituar nga situatat konfliktuale në PD. Psh Jemini ka qenë gjithmonë me kryetarët e partisë”.

Pjesë nga intervista

Gazetarja: Njiheni si një nga zërat kritik brenda partisë bashkë me deputetin Eduard Selami dhe Dibra e tregoi këtë më së miri, zëri i juaj ishte i fortë kur thatë: Ne humbëm, PD humbi  në Dibër pavarësisht kanabisit, drogës, krimit, që elementë të tjerë të partisë deklaruan publikisht.Zoti Jemi Gjana në një intervistë për një nga mediat shqiptare ka thënë se është në planet tuaja, në ambicien tuaj, ju dhe zoti Selami për të marrë partinë nga Lulzim Basha. I keni këto ambicie?

Bregu: Nuk besoj se zoti Gjana është aq i vogël sa të mos ketë mundësinë që të kuptojë dhe ta shohë situatën si është realisht. Për më tepër është një njeri i cili.., është një njeri partiak, e njeh partinë, e njeh dhe sesi funksionon. Mua nuk më shoqërojnë deklaratat e askujt, sigurisht as të kolegëve dhe as të atyre që mendojnë se po them një gjë që nuk qëndron. Vazhdoj ti qëndroj me bindje të plotë asaj që kam thënë dhe deri këtu nuk ka asnjë lajm të ri.Por unë nuk besoj se partitë politike dhe as PD janë të ozurpura. Lulzim Basha është kryetari i Partisë Demokratike, i pari mes të barabartëve. E thënë ndryshe në këtë merak që paska Jemini se mos po i marrim partinë. Aq sa është “pronar” Lulzim Basha në PD, nëse flitet për koncepte pronësie, megjithëse nuk më duket se është korrekte, po aq jemi të gjithë.Pra jemi të gjithë aksionerë, është pronë e përbashkët, nuk është pronë e askujt.Ndaj askush nuk i merr dikujt një gjë që është e tij sepse unë nuk shoh që PD është e Lulzim Bashës, them që PD është e demokratëve. Nuk besoj se ne nuk duhet të mos flasim duke menduar se po ndjehet keq apo nuk po i vjen mirë për momentin kryetarit të PD apo nuk i vjen mirë dikujt tjetër. Megjithatë nuk besoj se ka ndonjë vlerë ky debat. Unë vazhdoj të besoj se në bindjen time të plotë PD ka nevojë për të parë dhe nga vetja. Nuk u heq asnjë presje atyre deklaratave që janë bërë për zgjedhjet në Dibër nga kolegët e mi, për të gjithë problematikat që kishte Dibra. Por më vjen keq por unë nuk mund të ndaj të njëjtin mendim me kolegë të cilët kanë përfituar nga situatat konfliktuale në PD. Psh Jemini ka qenë gjithmonë me kryetarët e partisë, nuk ka asgjë të keqe as këtu që të jesh gjithmonë në krah të kryetarit dhe nëse e mbështet tani… Unë besoj që çdo kryetar partie, sikurse secili nga ne ka nevojë të mendojë qoftë edhe sikur të jetë një ide që të mos jetë ideja që i kalon në kokë gjithë ditën apo një mendim tjetër. A nuk bëjmë këtë të gjithë çdo ditë? A nuk ulesh për një kafe me miqtë për të diskutuar për një çështje të cilën e ke problem, e ke hall në familje? Me kë ndahet? A nuk ndahet me njerëzit e shtëpisë të parët, ndahet me njerëzit e tu.Nuk pres të jetë një situatë kaq e nderë sa kush flet të konsiderohet si armiku i klasës dikur. Nuk  e kam pasur kurrë këtë koncept, nuk arrij dot ta ndaj me askënd. Nëse dikush e sheh kështu është puna e tij por ky nuk është problemi im.

Zgjedhjet 2017, kostoja për kritikat

Gazetarja: A do shërbejnë zgjedhjet 2017 si një test për demokracinë e brendshme të PD? Duke pasur parasysh shumë aludime në media që zëri kritik përgjithësisht injorohet më pas.

Bregu: Unë nuk e shoh këtë problem vetëm të aludimeve në media sesa e shoh një problem të mënyrës sesi funksionojnë partitë politike. PD nuk është e ndarë nga mënyra sesi funksionojnë partitë politike në Shqipëri. Në rast se partitë politike do të ishin me të vërtetë oazet më të pastra dhe më të mira të mendimit dhe diskutimit të lirë atëherë nuk do të kishte nevojë as për fondacione pranë partive politike, sot PD psh ka Fondacionin për Liri dhe Demokraci.Nuk do të kishte nevojë as për ekspertë për të organizuar tryezat që organizojnë partitë politike për programin sepse ne do ishim të mjaftueshëm për veten. Unë nuk e shoh partinë të shkëputur nga sfidat që ka sot politika jo vetëm në Shqipëri por sigurisht edhe në shoqëri të tjera.Shto shoqërinë shqiptare që ka edhe shumë probleme të tjera sepse zakonisht pjesa sipërfaqësore apo tendenca për të rendur vetëm pas titujve na e bën më të vështirë të kuptuarit të fenomenit në terësi. Besoj që detyra kryesore e jona që jemi anëtar të PD deri në 2017, është me kosto të kurajos personale apo jo, gjithësecili e zgjedhim vetë, të mundohemi që në 2017 PD të ketë një rezultat që të jetë ai rezultat që presin jo vetëm demokratët, por të gjithë ata të tjerë qytetarë të cilët nuk do të votojnë më për koalicionin qeverisës apo PS. Kjo duhet të jetë sfida e gjithësecilit. Dikush mund të mendojë se rruga më e mirë është për të pritur, për të heshtur dhe për t’i qëndruar një linje zyrtare dhe jam krejtësisht dakort, është zgjedhje e gjithësecilit.Por askush nuk mund të më bëjë me faj mua dhe nuk mund të lejoj askënd që të më bëjë të ndjehem keq për faktin sepse them ca gjëra që ekzistojnë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button