Kosova

Kuvendi i bllokuar nga opozita, këtë javë në seancë të re

Kuvendi i Kosovës, i bllokuar nga opozita e me të gjitha seancat plenare të ndërprera në sesionin vjeshtor rimblidhet këtë javë, ndërkohë që kërkohet zhbllokimi.

Sipas shtypit të sotëm kosovar, politika e ka sjellë Kuvendin në gjendjen aktuale dhe vetëm ajo duhet ta zgjidhë atë, ka thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Duke iu përgjigjur pyetjeve, Veseli ka deklaruar se politika është ajo që duhet ta paguajë çmimin, por në asnjë mënyrë qytetarët.

“Qytetarët e Kosovës nuk guxon askush t’i manipulojë me retorikë patriotike e demagogji për qëllime të thjeshta politike”, ka thënë Veseli për gazetën “Koha Ditore”. Ai ka shprehur besimin në pjekurinë e qytetarëve të Kosovës për të mos rënë pre e politikave dhe politikanëve grindavecë.

Gjithë atë çfarë po ndodh rreth Kuvendit, Veseli i ka kualifikuar “luftë për pushtet” dhe përpjekje për të “provokuar situatën” drejt zgjedhjeve të parakohshme, “të cilat, përveç kostos financiare, do t’ia humbnin edhe një vit të plotë vendit dhe rrjedhimisht do të shkaktonin edhe ngadalësimin e drejtpërdrejtë të proceseve vitale që kanë të bëjnë me integrimin dhe zhvillimin ekonomik”, citon gazeta.

Javën e kaluar, në 8 tetor, nga grupi parlamentar i LVV është hedhur edhe gaz lotësjellës në “aksionet simbolike” protestuese të bllokimit të seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, në një prej të cilave ka pasur edhe gjuejatje me vezë drejt kryeministrit. Në kundërshtim të 4 marrëveshjeve me Serbinë të 25 gushtit dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita kosovare ka bojkotuar tre mbledhjet e kaluara të Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, bojkoton edhe komisionet parlamentare, ndërsa ka paralajmërtuar edhe protesta në rrugë.

“Vendimet e kryeministrit dhe vartësve të tij do të rezultojnë në ndarjen etnike të Kosovës, duke formalizuar dhe legalizuar ndikimin politik të strukturave ilegale të Serbisë mbi një pjesë të territorit të Kosovës, që nuk është në interes as të shqiptarëve e as të serbëve”, shkruanin tre subjektet opozitare, LVV, AAK e Nisma, në një letër të përbashkët drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës, në 9 tetor.

Jevtiç: “Zajednica”, kudo që jetojnë serbët

Për një nga katër marrëveshjet me Serbinë të raundit të 28-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që në shqip do thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë-Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ndërsa, siç transmeton sot gazeta kosovare “Zëri” ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiç, ka deklaruar për mediet serbe se pret që të formohet Bashkësia e Komunave Serbe, e cila do të fillojë me funksionim deri në gjysmën e vitit të ardhshëm. Jevtiç ka thënë se BKS-ja nuk do të ketë ingerenca vetëm në 10 komunat me shumicë serbe, por kudo që jetojnë serbët.

Ai ka përkujtuar se “Zajednica” është rezultat i marrëveshjeve të Brukselit, garanci e të cilës është Bashkimi Evropian dhe se pret që BE-ja të ndihmojë në implementimin, jo vetëm kur bëhet fjalë për BKS-në, por edhe për marrëveshjet tjera. “Deklarata e raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Dejvid Mekalister, se 25 dhjetori është dita e fundit kur duhet të shpallet Statuti i BKS-së, është një mesazh i qartë që të respektohen afatet e harmonizuara në Bruksel”, ka deklaruar ministri Jevtiç, i cili ka shtuar se edhe tani ekzistojnë disa vende në të cilat kushtet e sigurisë nuk janë në nivelin që do të duhej të ishin.

“Për këtë arsye edhe është e rëndësishme që secila familje serbe, e cila kthehet, të jetë e sigurt dhe nuk insistojmë që njerëzit të kthehen atje ku nuk ka kushte të sigurisë. Nëse flasim për Gjakovën, kushti i parë që nuk është plotësuar është siguria, derisa në rajonin e Gjilanit ekzistojnë probleme ekonomike. Kushtet janë të ndryshme nga vendi në vend, derisa problem të madh paraqesin pronat e uzurpuara të serbëve”, ka sqaruar ai, citon gazeta.

Pas zhvillimeve gjatë ditës së 8 tetorit me gaz lotësjellës të hedhur nga opozita në mbledhjen plenare të Kuvendit, është mbajtur mbledhja e Kryesisë, së bashku me shefat e grupeve parlamentare. Në këtë mbledhje, ndonëse nuk morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit dhe shefat e të tre grupeve parlamentare të opozitës, e cila ka paralajmëruar vazhdimin e bllokadës, Kryesia vendosi për mbajten e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës më 15 tetor, e cila do hapej me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

KDI: Jo seanca të reja të Kuvendit, pa garantuar mbarëvajtjen e tyre

Ndërsa, jo seanca të reja të Kuvendit të Kosovës, pa garantuar mbarëvajtjen e tyre, është opinioni i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili ka dënuar ashpër përdorimin e gazit lotsjellës në sallën e seancave dhe kërkon nga subjektet politike opozitare të ndalojnë praktikën e bllokimit të punimeve në Kuvend.

KDI u ka bërë thirrje kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit që “të mos ftojnë seanca të ardhshme pa gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, në mënyrë që të shmanget çdo përshkallëzim i mundshëm i situates”.

“Zhvillimet e fundit në Kuvend, po shpërfaqin dështim të institucioneve në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese, gjë që seriozisht rrezikon të destabilizojë vendin. Andaj, kërkojmë përgjegjësi dhe seriozitet më të madh karshi gjendjes së krijuar, duke përfshirë të gjithë akterët politikë dhe institucionalë në vend”, ka theksuar Instituti Demokratik i Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button