Opinion

A mund të kthehet SPAK në vrasës të demokracisë?

Nga ANDI BUSHATI

SPAK dhe kuvendi po bashkëpunojnë për ti dhënë fund procedurave për arrestimin e Berishës. Nga ana tjetër, nuk është më sekret, as mes gazetarëve, as mes politikanëve, se së paku njëri nga pjestarët e çiftit që drejton partinë e dytë më të madhe në opozitë, do të pësojë të njëjtin fat.

Ky rast i paprecedent, sipas disave, hap një faqe të re në historinë e këtij vendi. Ata shpallin plot besim dhe shpresë se, më në fund, ka mbërritur epoka e shumëpritur e fundit të pandëshkueshmërisë. Ata i gëzohen faktit se arritën, në të gjallë të tyre, të përjetojnë atë që dukej e paimagjinueshme vetëm pak kohë më parë, pra që Saliu, Iliri, apo Monika të shkojnë para drejtësië si të gjithë njerëzit e zakonshëm.

Në fakt, ëndërra për prokurorë apo gjyqtarë të pavarur që godasin edhe ministra, deputetë, apo kryebashkiakë të partisë në pushtet, pa kursyer aspak as ata të qeverisjeve të mëparshme është një fabul e bukur, në këtë vend të grabitur prej tre dekadash. Nëse ky ndëshkim i të gjitha palëve, zhvillohet me standarte të njëjta, duke përdorur të njëjtën masë dhe të njëjtën peshë për të gjithë, natyrisht që ai do të qe i mirëseardhur.

Por, fatkeqësisht, kjo tablo optimiste mund të shihet edha nga një kënd shumë më i zymtë dhe më shqetësues. Pasi, nëse llogaridhënia e atyre që kanë qeverisur dje, mund të përbënte një ogur shpresëdhënës për drejtësinë, goditja “en bloc” e krerëve të opozitës së sotme është një lajm i keq për demokracinë.
Duke e parë nga kjo optikë atë që po ndodh nuk dua të ndalem vetëm tek standartet e dyfishta të SPAK-ut, që po na tregon një histori sipas së cilës në kohën e Berishës vidhej me bekimin e shefit, ndërsa në atë të Ramës duke ia hedhur atij pas shpine. Nuk dua as ti rikthehem paradoksit të stërpërdorur se grabitës votash qenkëshin ata të LSI ose Beleri, dhe jo banda e organizuar e dosjeve të Durrësit dhe Dibrës që s’mbeti shqiptar pa i dëgjuar me veshët e tij. Në fund të fundit ato janë çështje të veçanta dhe gjithkush mund të pretendojë alibinë se s’ka pse krahasohen me njëra tjetrën.

Problemi është më i thellë dhe me impakt më të madh mbi sistemin dhe krejt shoqërinë. Goditja e krerëve të opozitës nga drejtësia, duam s’duam ne, nuk mund të shihet e shkëputur nga strategjia e mirëmenduar dhe sistematike për asgjesimin e saj nga Rama. Ajo po ndodh në kontekstin shoqëror dhe politik kur hapsirat e lirisë po ngushtohen, kur pronarëve të mediave po i vihet tritol, kur zërat realisht kritikë janë mpakur deri në mjerim.

Nëse SPAK godet dikë nga çifti Meta, askush nuk mund të mos çojë nëpër mend tentativat që u bënë për të shkarkuar presidentin si shkelës të kushtetutës, pastaj daljen e beftë të dokumentave të “spiunit”, pastaj hartimin e një projektligji që ish sigurimsat duhen përjashtuar nga politika dhe më tej akoma, atë tjetrin, për të mos lënë partitë e kryesuara nga ish bashkëpunëtorë, për të garuar në zgjedhje.

E njëjta fabul vlen dhe për Berishën. Kundër tij u lobua për ta shpallur non grata me metoda alla McGonigal. U ushtrua presion për ta nxjerrë jashtë parlamentit. Kjo ndau, përçau dhe sakatosi PD-në. E pavarësisht këtyre, ndonëse edhe zgjedhjet edhe matjet e opinionit, tregojnë se Berisha është shumicë dërrmuese në PD, pushteti po përdor disa palaço politikë dhe gjykatës kamikazë, për ti mbajtur peng vulën e përfaqësimit. Këto manovra pollën anomalinë e një opozite që nuk garoi dot normalisht në zgjedhjet e 14 majit, që u zhvesh nga e drejta për të pasur komisionerë, numërues, financim publik, madje më absurdja edhe nga ajo për të pasur emrin e liderit të saj në fletën e votimit.
Pra, pavarësisht sa e pandershme, joparimore, e pa rinovuar apo e pa drejtë qoftë kjo opozitë, sado keq të jetë katandisur ajo, është një fakt i pamohueshëm se tashmë ekziston një projekt për eleminimin total të saj.
Rastësi apo jo, SPAK-u rrezikon të bëjë në këtë proces rolin e xhelatit të gijotinës që i jep fund një kalvari të gjatë. Ai me gjasë mund të mbyllë një përpjekje që Rama e nisi pa e përfunduar dot. E po të vazhdojmë me përkimet, e gjithë kjo filloi pasi kryeministri ngriti zërin në kongreset e partisë së tij, se durimi për arrestimin e Saliut po sosej dhe se gjithë Shqipëria e donte Metën në burg.

Tani që këto kërkesa po bëhen realitet shumëkush po gëzohet, qoftë nga ndjenja e revanshit, qoftë nga ajo e naivitetit, se në fund të fundit, gjithësesi, dikush po shkon pas hekurave. Por, duke “festuar” këtë ne nuk kemi luksin të harrojmë se ky mund të jetë finalizimi i planit për një sistem pa opozitë.

Shumë shpejt Shqipëria mund të jetë një vend, me dy udhëheqës opozitarë të arrestuar dhe me përfaqësuesin e minoritetit më të madh që mbahet në burg. A ka një vend të tillë të ngjashëm në Evropë? Përgjigja dihet. Por edhe ky konstatim ndokënd mund ta gëzojë, pasi vetëm ne kemi fatin për të pasur SPAK.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button