Politika

Homazhe për Ditën e Dëshmorëve

Mazhoranca dhe opozita zhvilluan homazhe të ndara te “Nënë Shqipëri” për Ditën e Dëshmorëve.

Ishte opozita e para që bëri homazhet e saj. Pas tyre, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha para mediave se PD-ja është e vendosur për të vazhduar deri në fund betejën për një Shqipëri të lirë dhe të çliruar nga krimi e korrupsioni.

“Sot, kujtojmë dhe nderojmë sakrificën më të lartë për atdheun, për lirinë, për kombin, flijimin në altarin e lirisë të Dëshmorëve të Kombit në luftërat çlirimtare, luftërat për pavarësi dhe liri që shqiptarët kanë zhvilluar në shekuj e dekada për lirinë e Shqipërisë, për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e tyre në Maqedoni, Luginën e Preshevës.

Nderojmë heronjtë pra, bijtë dhe bijat e këtij kombi që dhanë jetën për liri. Përkulemi me nderim të thellë para atyre që u flijuan edhe për vlera të tjera pa të cilat jeta e njeriut nuk ka kuptim siç është demokracia, siç është liria nga tirania e krimit, liria nga terrorizmi. Pra, përkulemi dhe para bijve dhe bijave të kombit shqiptar që kanë dhënë jetën nën uniformën e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe atyre që bënë të mundur përmes sakrificës së tyre sublime ardhjen dhe konsolidimin e demokracisë shqiptare.

E sotmja është edhe një ditë reflektimi. Reflektimi i Partisë Demokratike para gjakut të Dëshmorëve të Kombit është vendosmëria për të vazhduar deri në fitore betejën tonë për një Shqipëri të lirë, të njerëzve të lirë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri të çliruar nga krimi dhe korrupsioni. Lavdi përjetë Dëshmorëve të Kombit!”, u shpreh Basha.

Ndërsa mazhoranca përfaqësohej nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, kryeparlamentari Ilir Meta, ministrja Mimi Kodheli dhe deputeti Pandeli Majko.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button