Politika

Fryma anti-SHBA përçan PD, deputetët takime me Donald Lu. Emrat e “rebelëve”…

Raportet mes Partisë Demokratike dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë po njohin ditët më zymta që nga vitet‘96-98, kur amerikanët çmontuan me forcë pushtetin e Sali Berishës. Pas një nervozizmi dhe tensioni të maskuar dyvjeçar, lidershipi i Partisë Demokratike, më në fund, nisi një ofensivë të paprecedentë sulmesh ndaj Ambasadës Amerikane dhe ambasadorit Donald Lu, për shkak të investimit të amerikanëve për realizimin e Reformës në Drejtësi.

Fillimisht shpërtheu ish-kryeministri Sali Berisha, duke e quajtur ambasadorin Lu interpret të Edi Ramës dhe guvernator, ndërsa një ditë më pas, befasoi Lulzim Basha, ku i kërkoi ambasadorit amerikan të shikonte punën e tij. Dy deklaratat u pasuan me një ofensivë sulmesh nga rrethi i dyshes Berisha-Basha, nga deputetët, opinionistët dhe mediat pranë tyre, ku gjithçka mori formën një fryme antiamerikane.

Fryma anti-SHBA përçan PD

Pas përplasjeve për sagën e humbjeve dhe për qëndrimet paradoksale për reformën, sulmet e paprecedenta të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës ndaj ambasadorit dhe Ambasadës Amerikane i kanë dhënë përmasa të tjera krisjes dhe turbullirës në Partinë Demokratike. Shqiptarja.com ka mësuar se, deputetë të Partisë Demokratike, 24 orët e fundit, kanë zhvilluar takime intensive me përfaqësues të ambasadës dhe ambasadorin Donald Lu.

Burime pranë PD thanë se takime janë zhvilluar për sqarimin e keqkuptimeve, por deputetët në fjalë, me anë të takimeve, duket se janë distancuar nga linja anti-SHBA e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Kjo për shkak se, me përfaqësues të ambasadës dhe me ambasadorin, janë takuar deputetët demokratë, të cilët janë pozicionuar hapur kundër mënyrës se si Lulzim Basha dhe Sali Berisha po e drejtojnë PD, duke nisur që nga Selami, Patozi, Bregu etj.

Përpos deputetëve që kanë kritikuar hapur sjelljet dhe politikën e Bashës në raport me SHBA-BE, mësohet se takim individuale po zhvillojnë edhe deputetë të tjerë demokratë, të pa pozicionuar publikisht. Ndërkaq, përveç takimeve, vijojnë edhe komunikimet intensive.

Sulmet e ditëve të fundit të Berishës dhe Bashës ndaj ambasadorit Lu kanë shqetësuar edhe deputetët e tyre besnikë, për pasojat e mundshme, ndonëse ata vijojnë të respektojnë kodin e heshtjes. Mbetet për t’u parë nëse këto takime do të marrin formën një lëvizjeje, për të ndryshuar kursin e opozitës në raport me SHBA.

Prapaskena e sulmit

Nuk mund të shpëtonte as Donald Lu. Sikundër ka sulmuar të gjithë ish-ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ish-kryeministri Sali Berisha, ka humbur durimin, duke shpërthyer nga ambasadorit Donald Lu. Arsye e dukshme e sulmit ishte një deklaratë e ambasadës amerikane, e cila tha se opozita po organizonte një protestë kundër mbetjeje jo të dëmshme.

Por, shkaku real është investimi i fortë ambasadorit Lu për të shembur sistemin aktual të drejtësisë, i cili është nën influencën e Sali Berishës. Dhe drejtësia ka nisur të shembet gradualisht. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë të instrumenteve të tyre, kanë mundësuar jo vetëm infrastrukturën ligjore të reformës, por kanë marrë rolin e garantit edhe për efektet e reformës, duke parashikuar dërgimin në Tiranë të ekspertëve të FBI, për të asistuar Byronë e Hetimit për çështjet e nxehta të krimit dhe korrupsionit.

Vijon ‘aksioni’

Deputetët e Partisë Demokratike, Gent Strazimiri dhe Genc Pollo, kanë ironizuar dje ambasadorin Lu, duke vënë në pah heshtjen e tij për çështjen e drogës. Madje, sipas Genc Pollos, Rama i ka mbyllur gojën ambasadorit Lu për hallin e drogës.

“Meqë Edi thotë se i ka mbyllur gojën amerikanit për hallin e drogës. Albania’s Deep-Rooted Drug Problem Huff Post”, shkruan Pollo. “Ky tipi nga Uashingtoni, i ditka gjërat sikur të kishte punuar në ambasadë në Tiranë”, shkruan Strazimiri, duke iu referua një artikulli të “Huffington Post”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button